Site icon Telegrafi

Bie konsumimi i duhanit te të rinjtë, rritet rreziku nga narkotikët

Konsumimi i duhanit te të rinjtë e moshave nga 13 deri 15 vjeç ka rënë në përqindje, nëse bëhet krahasimi gjatë këtyre 12 viteve të fundit, thuhet në hulumtimin e bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës për Kontroll të Sëmundjeve, me seli në Atlanta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në bazë të këtyre hulumtimeve, del se nga 6.7 për qind sa ishte numri i të rinjve nga grupmoshat 13 deri 15 vjeç që e konsumonin duhanin në vitin 2004, këtë vit, te këto mosha, duhan-pirja ka rënë në 4.4 për qind.

Kurse duhan-pirja pasive, që nënkupton qëndrimin në ambiente të mbyllura ku pihet duhani, më 2004 llogaritej se shkonte deri në 84 për qind, ndërkaq tani më 2016 thuhet se ka rënë në 43.8 për qind.

Si pasojë e pirjes së duhanit, në Kosovë gjatë një viti, llogaritet se vdesin 2 mijë persona.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka ngritur shqetësimin e tij për numrin e madh të vdekjeve gjatë një viti, si pasojë e duhan-pritjes, dhe ka kërkuar nga të gjitha institucionet relevante të punojnë më shumë në fuqizimin e ligjit për kontrollin e duhanit.

“Kërkoj që secili nga fushëveprimi i përgjegjësive të jap maksimumin për fuqizimin e masave për kontrollin e duhanit, dhe të ul vdekshmërinë nga duhan-pirja, që sipas të dhënave që janë raportuar gjatë një viti, rreth 2 mijë kosovarë humbin jetën si pasojë e duhan-pirjes aktive si dhe pasive”, ka thënë Rrahmani.

Adoleshentët në Kosovë, që përbëjnë njëzet për qind të popullatës së përgjithshme, janë më të shëndetshmit në Evropë, thuhet në hulumtimet e bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë dhe nga UNFPA. Në hulumtim thuhet se shprehitë e këqija, si konsumimi i substancave narkotike, alkoolit dhe duhan-pirja, janë më pak të theksuara tek adoleshentët kosovarë sesa tek ata në Evropë.

Por, çka thonë të rinjtë lidhur me këto dukuri?

B.H., 15 vjeçe, thotë se vet nuk konsumon duhan, alkool apo substancë narkotike. Por, sipas saj, ka plot të tillë që i njeh dhe i konsumojnë ato.

“Jo, personalisht nuk i përdori. Por, jemi të rrethuar me shoqëri që vazhdimisht përdorin dhe nuk ka masa për ndalimin e këtyre mjeteve që nuk janë në dobinë tonë. Mendoj se baza merret në edukimin familjar, shkollë e shoqëri dhe është e rëndësishme që të gjithë të informohen për dëmet që na shkaktojnë. Edhe pse besoj që dëmet nga duhani e droga i dinë të rinjtë, por kjo vazhdon të përdoret dhe po ndiqet rruga e keqe për të qenë sa më ‘IN’ ”, thotë B.H.

Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike vlerësojnë se janë rreth 5 mijë përdorues aktivë të këtyre substancave në Kosovë, derisa shtojnë se janë rreth 25 mijë përdorues në tërësi.

Por, shqetësues mbetet fakti se mosha mesatare e atyre që fillojnë për herë të parë të abuzojnë me narkotikë ka rënë në moshën 12 vjeç.

Kështu thotë Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, sipas të cilit, përkundër këtij fakti, numri i përdoruesve të drogave të rënda, si heroinë apo kokainë, ka shënuar rënie kohëve të fundit.

“Përdoruesit e moshave të reja të marihuanës janë në rritje. Tendenca e grupmoshave 14 vjeçe është në rritje gjithashtu”.

“Sa i përket tipit të drogës heroinë, ka pësuar rënie dhe këto tri vitet e fundit asnjë fëmijë nën moshën 18 vjeç nuk ka filluar të përdorë heroinë. Edhe deri në moshën 24 ka qenë vetëm një person i ri që ka filluar. Por, përdorimi i kokainës ka shënuar rritje, por jo nën moshën 18 vjeçe”, thotë Blakaj.

Po ashtu, edhe përdorimi i drogës së tipit, GHB, thuhet se ka shënuar rritje këtë vit, krahasuar me tri vitet paraprake.

Ndërkohë, sipas hulumtimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, del se 94.3 për qind e nxënësve favorizojnë ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike.

Drejtori ekzekutiv i Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se duhani është një faktor i rrezikut të lartë, sidomos për shkaktimin e sëmundjeve të kancerit të mushkërive, sëmundjeve të tjera të traktit respirator dhe sistemit kardiovaskular. Andaj, sipas tij, edhe është bërë ky hulumtim për të fuqizuar kontrollin e duhanit. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version