LAJMI I FUNDIT:

Besimi nuk është produkt me telekomandë

Alarmi që ngriti Ombudspersoni Kurteshi për mosfunksionimin e shtetit ligjor, kur një shkollë në Viti nuk respekton vendimin e gjykatës për ta lejuar nxënësen Arjeta Halimi për ta vazhduar shkollimin, pasi që e kishte larguar për shkak të shamisë së kokës, vetëm sa e përforcon rasti tjetër, a i nxënëses Arlinda Zeka, e cila, largohet nga procesi i rregullt shkollor në Ferizaj po për të njëjtin shkak.

E para, kjo ngrit çështjen se kur një nxënëse muslimane ka të drejtë ligjore, ajo e drejtë nuk respektohet, dhe, e dyta, tek ne ende dominon klima e diktaturës komuniste që popullatës t’i imponohet vetëm një ideologji, pa kundërmendim.

Duke ia shtuar kësaj heshtjen e mekanizmave përgjegjës shtetërore para këtij fenomeni, lihet përshtypja se drejtorët e shkollave kanë kompetenca edhe mbi ministrinë që i udhëheq ata. Derisa ne kemi mekanizma ligjorë që mund të japin përgjigje për këtë (ta zëmë Gjykata Kushtetuese), në vazhdimësi, herë përmes heshtjes, e herë përmes fyerjeve dhe diskriminimeve, atakohen këto nxënëse, duke u bërë kështu besimi i tyre islam si shkas për ndërprerjen e shkollimit.


Çështja e besimit nuk është produkt me telekomandë që mund të dirigjohet nga jashtë. Personi që e ndien vetën si musliman, ashtu sikurse edhe shtresat tjera shoqërore, nuk ka nevojë që t’ia diktojë dikush që as përafërsisht nuk është i njëjtë si ai, se çfarë duhet të veshë e çfarë jo. Kjo është çështje intime, përderisa nuk cenon nderin apo provokimin e askujt. Nuk munden as politikanët, e aq më pak ateistët, ta marrin kontrollin e besimit të dikujt, t’ia ndërrojnë “frekuencat” e bindjeve për qejfet apo interesat e tyre të ngushta.

Bindja nuk mund të imponohet. Çdo përpjekje për imponim është vetëm dhunë. Kështu, imponimi për t’ia kushtëzuar shkollimin me heqjen e shamive, gjë të cilën ato që e vënë e besojnë si obligim fetar nuk sjell asgjë tjetër në skenë veçse kufizim të lirisë. Thjesht, kjo është dhunë. Dhe, kur dhuna përdoret kundër pjesëtarëve të popullit të vet, madje të fëmijëve që janë nga gjiri ynë, atëherë kjo është edhe marrëzi e llojit të vet.

Natyrshëm, çdo ministri arsimore e çdo shteti duhet që të bëjë përpjekje që t’u sigurojë qasje në shkollim të gjithë pjesëtarëve të shtetit të vet. Duhet ta luftojë analfabetizmin dhe braktisjen e shkollës dhe duhet ta promovojë dijen dhe shkencën. Në rastin e këtyre vajzave ma shamia, mjerisht po ndodh e kundërta.

Nëpër faqe të shuma të gazetave jemi mësuar të lexojmë se, këto nxënëse, edhe pse me sukses të shkëlqyeshëm dhe sjellje shembullore, ato largohen nga mësimi, nga e drejta e tyre elementare për shkollim. Ama, nuk gjen asnjë arsye tjetër përveç shamisë së tyre që përfaqëson bindjet, besimin e tyre personal. Me të tilla vendime fatale atyre ua mbyllin rrugët e dijes. Dhe, kujt? Asaj që nesër do të jetë nënë, do të edukoj breza të rinj.

A nuk do të duhej që ministria ta kalkuloj rezultatin e thjeshtë: Më e dobishme do të jetë për shtetin e Kosovës që të kemi disa nëna të shkolluara, ta pajisura me njohuri shkollore-shkencore dhe këto t’ua përcillnin fëmijëve të tyre, apo, meqë ato s’pranojnë ta heqin shaminë e tyre, t’i hedhim në listën e shumë nënave analfabete.

Cili është “suksesi” që promovon Ministria e Arsimit këtu? Të shtohen radhët e femrave të pashkolluara, të mbetemi edhe pa disa kuadro, të cilat në të ardhmen mund të jenë mjeke, pedagoge, afariste etj. apo, mos ndoshta kemi të rinj me tepricë, ku djem të rinj për çdo ditë po marrin botën në sy (disa prej tyre vetëm gjatë këtij viti shkollor kanë qenë nxënës të mi, të klasës së dhjetë) e vajzat me shamia po u dashka që të mos u mësohet se si të edukojnë fëmijë që ta duan shtetin e tyre, ta ndërtojnë jetën po këtu, me po këto mundësi.

Tashmë është i njohur refreni se shteti është laik dhe se shamia është veshje propaganduese fetare dhe bie në kundërshtim me laicitetin. Këtu po parashtroj një shembull. Uniforma e policisë, nëse do të bëhej me një vendim, ta zëmë: Të mbulohet i tërë trupi, nga këmbët e gjer në kokë, me çfarëdo ngjyre, dizajni, dhe në fund të vihet një kapelë në kokë, vallë a do ta quanim uniformë?! Sigurisht se jo. Kjo për faktin e thjeshtë se nuk do të mund të bëhej dallimi në mes të uniformës, që duhet të përfaqësojë logo të veçantë, ngjyrë të veçantë, grada të veçanta etj.

Kështu, shamitë janë aq të llojllojshme në ngjyrë, formë, madje, perfeksionohen nga dizajnerë të modës për çdo ditë. Dhe, këto nxënëse i vënë ato pa ndonjë qëllim të uniformimit, por si shprehje e besimit të tyre në Zotin e Mëshirshëm, dhe me këtë besojnë në mbulimin e rregullt të trupit. Nëse askujt nuk i pengon veshja e saj gjer tek flokët, atëherë pse t’i pengoj mbulimi i tyre? Kujt duhet t’i interesoj që t’ia shikoj flokët një nxënëseje? Ajo beson se shfaqja e tyre për meshkujt e huaj është në kundërshtim me fenë e vet, e ku është liria e manifestimit të besimit fetar që na mbrohet me kushtetutë? (mjerisht, me gjithë mangësitë që ka edhe si e tillë nuk respektohet).

O ZOT, sa shumë lakuriqësi kemi nëpër shkolla, sa shumë braktisje, madje mësimdhënës që s’kanë marrë paga që nga shtatori (kolegë të mi) e askush nuk brengoset, ndërsa, ajo që vjen në shkollë me modesti, me sjellje të mirë, me sukses të mirë, dhe, vë shami, nuk gjen tolerancë dhe as mëshirë njerëzore.

Kam qenë nxënës dhe student i gjeneratës së shkollimit nëpër podrume. Mendoja se s’ka më shtet i cili mund të flakë fëmijë nga shkolla, ngase u largua, i turpëruar, për ata që shikojnë me arsyen njerëzore, njëherë e përgjithmonë, dashti Zoti i Madh. E, sot….? Çfarë po ndodh? Ku po i çojmë fëmijët tanë nëse i largojmë nga shkolla? Madje, nga shkolla që pritet të bëhet e obligueshme!

Deri ku shtrihet e drejta e këtyre nxënëseve fëmijë për të jetuar të lirë në shtetin e tyre, ta barabartë me bashkëkombësit e tyre, nëse qendrat – shkollat i kanë të mbyllura?!

(Autori është profesor në Shkollën e Mesme “Fehmi Agani” në Klinë)

Në trend

Më shumë
Mbajti të ngujuar me forcë dhe nën kërcënimin e armës gruan dhe vëllain e saj – arrestohet gjakovari, pritet t'i caktohet masa e paraburgimit

Mbajti të ngujuar me forcë dhe nën kërcënimin e armës gruan dhe vëllain e saj – arrestohet gjakovari, pritet t'i caktohet masa e paraburgimit

Kronika e Zezë
Përqindja e përkthyer në mandate, Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës

Përqindja e përkthyer në mandate, Shenolli tregon se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës

Lajme
MKRS del me sqarim: Nuk janë anuluar tenderët për stadiumin në Pejë, Gjilan e Mitrovicë

MKRS del me sqarim: Nuk janë anuluar tenderët për stadiumin në Pejë, Gjilan e Mitrovicë

Sport vendor
Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Magazina
U hodh nga ura 92 metërshe në Zambi, australianes i këputet litari – përfundon në ujërat e mbushura me krokodilë

U hodh nga ura 92 metërshe në Zambi, australianes i këputet litari – përfundon në ujërat e mbushura me krokodilë

Afrika
Fenomeni i rrallë që habiti peshkatarët në Turqi, shfaqen para tyre dallgët katrore

Fenomeni i rrallë që habiti peshkatarët në Turqi, shfaqen para tyre dallgët katrore

Interesante
Kalo në kategori