Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri thotë se buxheti duhet menaxhuar mirë dhe nuk ka hapësirë për maska falas.

Gaxherri në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se të gjitha shtetet kanë një përkeqësim të gjendjes me coronavirus.

“Kur ka numër kaq të madh të pacientëve është vështirë të menaxhohet situata. Kosova që nga rasti i parë i paraqitur e ka gjendjen më të rëndë të mundshme”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Deputetja e LDK-së thotë se asnjë shtet sado që është i zhvilluar nuk është i përgatitur për pandeminë.

“Askush nuk e parashikuar se situata do të vijë deri në këtë shkallë”, u shpreh Gaxherri.

Gaxherri thotë se edhe Kosova është duke mëndur të ndërtojë spitale të hapura siç kanë vepruar disa vende.

Deputetja e koalicionit qeverisës thotë se është Vetëvendosje ajo që ka larguar masat kufizuese në kohën kur ajo ishte në qeverisje. Duke folur për testimet për COVID-19, Gaxherri thotë se të gjithë deputetët duhet të testohen për shkak të rrezikut që u kanoset atyre në Kuvend.

“Unë kam kërkuar personalisht të ma bëjë dikush testin pasi dyshoj se ndjehem e rrezikuar por deri tani askush nuk ma ka barë”, u shpreh ajo.

Përfaqësuesja e LDK-së thotë se edhe deputetët sëmurën dhe sipas saj 20 prej tyre tashmë janë konfirmuar me COVID-19.

Gaxherri është shprehur kundër shpërndarjes së maskave falas për qytetarët pasi sipas saj me ato para mund të bënin shumë punë tjera.

“Me 3 milionë euro mund të punësojmë 200 personel shëndetësorë me 600 euro pagë mesatare për një vit e gjysmë”, tha Gaxherri.

Deputetja thotë se të gjithë qytetarët munden ta sigurojnë apo qepin një maskë./Telegrafi/