Berisha: Humbëm, fajtor jam unë, tërhiqem nga forumet e PD-së

Në një fjalim tek selia e PD-së, ai shprehu falënderime për elektoratin që i dha mbështetje.
“Qytetare dhe qytetarë, mbështetës të PD-së, shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni. Jam para jush me një mesazh. Duhet të theksoj një mesazh të vonuar, sepse kam dashur të respektoj punën me vetëmohim të madh të komisionerëve, proces që po shkon drejt fundit”, ka thënë Berisha që shprehi “mirënjohje pa kufi ndaj qindra dhe mijëra qytetarëve, të reja e të rinj, burra dhe gra".
“Ata më shoqëruan nga Koshovica në Tropojë me mikpritjen më fisnike, që kam provuar ndonjëherë. Në pikë të vapës shtrënguam duart, shkëmbyem mendime, ndoqën me vëmendje alternativën tonë dhe më bënë si dhuratë fushatën elektorale më të bukur, më të pasur dhe më masive të jetës sime. Jam përpjekur të bëj më të mirën. Kam punuar me përkushtim dhe entuziazëm edhe më të madh se herët e tjera”.
Berisha tha se do t’i përulet me nderimin më të madh para militantëve të PD-së, sepse ata janë energjia më e pashtershme e PD-së dhe e gjithë betejave të saj.
“Qytetarë që keni mbështetur PD-në, ju po ndiqni jo pa trishtim fjalën time, se me të drejtë prisnit diçka tjetër nga unë. Jam jo për të komunikuar rezultatin, se është njohur dhe pranuar nga unë dhe PD. Në karrierën time e kam ndjerë veten si shërbëtori juaj dhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh të jetës. Gjithnjë kam vendosur t’i bindem sovranit”, ka shtuar Berisha.
“Në këto zgjedhje ne paraqitëm para qytetarëve një projekt konkret për Shqipërinë si vend i zhvilluar, për punësimin. Premtimet e opozitës për heqje taksash nuk mund t'i bënim, sepse në filozofinë tonë bien ndesh me konkurrencën e ndershme, barazinë sociale. I uroj fituesit mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët të gëzojnë një jetë gjithmonë e më të mirë”.
Berisha deklaron se është përpjekur me mish e me shpirt të bëjë më të mirën.
“Ne i humbëm këto zgjedhje. Për këtë humbje gjithë përgjegjësia bie mbi mua, vetëm mbi Sali Berishën. Duke marrë përgjegjësitë që më takojnë, jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia, nga forumet e PD-së. Do të jem njëri prej jush, një deputet i PD-së, dhe të punoj me ju e lidershipin e ri për të mbrojtur si opozitë vlerat e programit tonë”.
Por, për të ky nuk është fjalim lamtumire.
“I tillë nuk është. Nga unë, PD dhe mbështetësit e saj nuk do dëgjojnë një fjalim lamtumire, sepse unë nuk do ta lexoja urrë. Jemi të mërzitur. Kemi humbur një betejë. Sot është e domosdoshme të qëndrojmë më të bashkuar se kurrë. Detyra të mëdha na presin që ta shndërrojmë çështjen tonë të drejtë në çështje të të gjithë shqiptarëve”.
Berisha ka folur edhe për sukseset e udhëheqjes së tij.
“Pata fatin e madh të më besoni drejtimin e PD-së për 22 vjet. Jemi dhe do të jemi krenarë, sepse së bashku me kurajo e me guxim themeluam në kushte terrori PD-në si parti të parë opozitare, me ëndrrat më të bukura të shqiptarëve. Jemi dhe mbetemi përjetë krenarë për gjithçka që kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë. Ne bëmë realitet ëndrrën e lirisë për shqiptarët dhe dinjitetin e tyre njerëzor. Ne sanksionuam lirinë e besimit, lirinë njerëzore si kryefjalë e agjendës sonë”.
Berisha thotë se shqiptarët janë më të mirë se kurrë, duke shtuar se për një kohë të shkurtër ai dhe partia e tij arritën të vendosin çështjen e lirisë në Kosovë në agjendën e kancelarive të Evropës.
“Me parullën një komb - një qëndrim, mbështetëm luftën dhe lirinë e Kosovës”.
Ai përmendi si krenari edhe faktin se Shqipëria sot është e aderuar në organizatat më të mëdha në botë.
“Ne bëmë të vërtet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, lëvizjen e lirë pa viza, dhe së fundi rekomandimet për statusin e vendit kandidat. Ne hodhëm themelet dhe konsoliduam në Shqipëri shtetin ligjor. Ne sot të gjithë së bashku duhet të ndjehemi krenar me PD-në, sepse ne pasi humbëm pushtetin për shkak të firmave piramidale në 1997, qëndruam në opozitë dhe në 2005 hodhëm poshtë qeverinë aktuale me votën e shqiptarëve”.
Berisha ndër sukseset e tij përmendi rrugët e shtruara në Shqipëri, pagat e ngritura, zhvillimin ekonomik etj.
“Këto vite të qeverisjes tonë ishin vitet më të vështira për shkak të krizës ekonomike, dhe qeveria jonë i rezistoi. Janë në ndërtim e sipër 120 hidrocentrale, si kaskada e Devollit. Kemi ndërtuar qindra rrugë, shkolla. Me 45 mijë projekte, që mbështetëm, kemi bërë të mundur në këtë kohë të shkurtër të katërfishohet toka e punuar në fshat. Hymë në 10 vendet me rritje të turizmit në planetin tonë”, shtoi Berisha, duke cekur edhe zhvillimit në aspektin e digjitalizimit të vendit.
“Miqtë e mi, demokratë dhe demokratë. Vetëm pak vite më parë, ora evropiane dhe euro-atlantike ishte e ndaluar. Së bashku morëm reformat më të thella; konsoliduam shtetin ligjor; anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Nisëm punën serioze për liberalizimin e vizave me ShBA. Edhe në këto dy mandate kemi folur me vepra, që kanë krijuar një Shqipëri tjetër, ndërtimin e të cilës do të jemi të gatshëm ta vazhdojmë, janë vepra që kanë ndryshuar përgjithmonë Shqipërinë tonë”.
Sipas tij, nuk janë këto arritje arsyeja pse nuk e votuan shqiptarët.
“Jam i sigurt që çdo shqiptar ndihet krenar. PD do dijë të lexojë me përulësi votën e çdo shqiptari”, ka thënë ai. “Kam dhjetëra, mijëra mesazhe në Facebook, të cilët më kërkojnë që kësaj here të heqë dorë nga vendimi që kam marrë, por i ftoj që bashkë me energji dhe entuziazëm të mbrojmë kauzën tonë dhe ta bëjmë kauzë të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve”.
“Në përputhje me Kushtetutën e vendit, deri në shtator do punoj me përkushtim të madh dhe për përgatitjen e lidershpit të ri, bashkë me strukturat e PD-së, dhe të ecim drejt fitores më të re që na pret. Zoti bekoftë PD-në, mbështetësit e saj, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë! Faleminderit”! /Telegrafi/




















































