Berisha-Grossruck: Shqipëria ofron mundësi për biznesin e huaj

Kryeministri Berisha falënderoi zotin Grossruck për interesin e vazhdueshëm që ai tregon ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, si dhe kontributin e vazhdueshëm që ai ka dhënë jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Austri dhe Evropë duke nxitur interesin e investitorëve dhe të publikut austriak.
Zyrtari i lartë Grosruk dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak, vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe u interesuan për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet.
Kryeministri Berisha foli mbi potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, nga burimet ujore, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, si dhe i njohu me klimën më të favorshme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe për biznesin dhe investimet, si regjistrimi on line elektronik përmes sistemit One Stop Shop, taksa, e-dogana, prokurimet elektronike.
Në takim u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë si dhe u vlerësua fakti që investimet austriake zënë vendin e trete të investimeve te huaja ne Shqipëri, në sektorë shumë të rëndësishëm si ai bankar, hoteleri turizëm. /Telegrafi/


































