LAJMI I FUNDIT:

Berati, gati dosja për në UNESCO

Berati, gati dosja për në UNESCO

Kreu i Kulturës shqiptare, Ylli Pango, u tregua i bindur për përfshirjen e Beratit në UNESCO në muajin korrik. Në një konferencë për shtyp, kushtuar një rezymeje mbi gjendjen e turizmit në fillimin e këtij sezonit veror, Pango tha se dosja e Beratit është e përfunduar.

Ai dha shifra sipas së cilave, në këtë qytet janë restauruar 47 shtëpi monumente kulture. Për ministrin Pango, krahas këtij procesi, në fillim të muajit mars, pati një zhvillim tjetër të rëndësishëm: pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës është krijuar Agjencia për Qendrën Historike të Beratit e përbërë nga specialistë të qendrave historike dhe arkitekturës tradicionale të IMK-së dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat.


Kjo agjenci do të mbikëqyrë mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrës historike dhe të mbrojtur, si dhe kriteret shkencore të ndërhyrjeve. Në këtë kuadër, më 14 prill 2008, me urdhër të Pangos u krijua komiteti për koordinimin e planit të menaxhimit të qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës.

I përbërë nga drejtuesi i IMK dhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve, drejtorët e zyrave të planifikimit urban dhe të drejtorive rajonale të kulturës kombëtare, ky komitet do të drejtojë dhe aprovojë planet vjetore dhe shumëvjeçare për promovimin dhe konservimin e qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës.

Në të njëjtën kohë vazhdon bashkëpunimi i Beratit me Gjirokastrën me partnerë italianë të Universitetit të Maccerata për kryerjen e studimit pilot të riskut sizmik të qendrave historike.

Bashkëpunimi me zyrën e UNESCO në Venecia dhe ICR Rome për restaurimet kontribuon edhe në mbrojtjen afatgjate të Beratit dhe qendrave të tjera historike. Gjithashtu, ministri Pango tha se këtë vit, qeveria ka trefishuar fondin për restaurimin e monumenteve të kulturës. /Shqip/