LAJMI I FUNDIT:

Bedri Hamza, sigurt në postin e guvernatorit?

Bedri Hamza, sigurt në postin e guvernatorit?

Kandidatët për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) janë, Bedri Hamza dhe Gani Gërguri, por burimet të Kosovapress-it brenda koalicionit qeverisës bëjnë të ditur se Bedri Hamza është më i preferuari dhe ai, sipas të gjitha gjasave, do të përzgjidhet guvernator. Ndonëse drejtuesit e PDK-së thonë se kandidati, i cili plotëson kriteret, do të zgjidhet, duke mohuar se kanë ndonjë të preferuar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka paralajmëruar, ditë më parë, se Bedri Hamzën nuk do ta përkrahin në asnjë variant.

Paneli intervistues për kandidatët për guvernator ka dorëzuar listën në Qeveri dhe në Kuvend, me vetëm dy emra të kandidatëve për guvernator dhe ata janë ish-ministri i Financave, Bedri Hamza dhe Guvernatori i deritanishëm, Gani Gërguri, ndërsa në këtë garë kanë qenë 7 kandidatë.

“Kemi kandidatin tonë, Bedrinë, si më i miri. Besoj që nuk kemi me pas problem me zgjedh. Do i bëjmë votat për mu zgjedh ai”, ka thënë ky burim brenda koalicionit qeverisës.

Por ndryshe thotë Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, cili pohon se koalicioni do përkrah atë kandidat, i cili është më i miri. “Koalicioni qeverisës dhe PDK-ja do të bëjë përpjekje që si gjithnjë të përkrah ata të cilët janë më të mirët. Kanë qenë në komisionet vlerësuese kanë dhënë vlerësimet e veta, kanë dhënë rekomandimet e veta dhe normalisht se ata i kanë përgatitur për çdo deputet të dhënat veç e veç dhe deputetët kam besim të plotë se njerëzit do të përcaktohen për njerëzit konstatojnë dhe vlerësojnë se i përmbushin të gjitha kriteret dhe për njerëzit të cilët janë më të mirët”, ka thënë Grabovci.
Madje, ai mohon se është i preferuari i koalicionit Bedri Hamza edhe pse është në strukturat e PDK-së.

Por me këtë nuk pajtohet Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila vazhdon të këmbëngul se nuk do të votoj dhe as qëndroj në seancë kur do të votohet për këta njerëz.

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, ditë më parë, ka thënë se kurdo që të mbahet seanca, LDK nuk do të përkrah dhe nuk do të qëndroj në sallë, nëse Bedri Hamza do të jetë në listën e emrave të propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa. “Unë sot po ju tregoj edhe po ja paralajmëroj për guvernator shumë herët. Le të harron PDK-ja dhe askush kushdo qoftë që vijnë emra të propozuar edhe për guvernator të bankës që është i ndikuar politikisht. Sot po ju tregoj nuk do të vij Bedri Hamza. Asgjë personale por thjeshtë njeriu deri dje ministër me shkuar me u kandiduar po spekuloj. Por nëse vjen si propozim jo që nuk do të votojmë dhe nuk do të marrim pjesë në seancë”, ka theksuar Beqiri.

Ndryshe në këtë garë kanë qenë edhe Nexhat Kryeziu, i cili deri më tash ka qenë zëvendësguvernator, Valentin Toçi, Flamur Keqa, Safet Merovci dhe Xhemajl Gashi. Asnjëri nga këta nuk ka arritur ta bind panelin intervistues që ta vazhdojnë garën për guvernator.

Bedri Hamza i cili deri para pak javësh ka ushtruar detyrën e ministrit të Financave, kishte ofruar dorëheqje nga ky post, duke thënë se atë po e bënte për arsye personale, e që më vonë doli të jetë njëri nga kandidatët kryesor për guvernator të BQK-së.
Hamza deri më tash ka qenë njëri nga njerëzit me ndikim në PDK, duke pasur poste të ndryshme si zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave e më pas edhe Ministër i Financave. Ai në zgjedhjet e fundit në PDK, nuk ka garuar duke mos u gjendur emri i tij në listën për Këshillin Drejtues të kësaj partie.

Ndërkohë, Gani Gërguri, deri më tash, ka ushtruar postin e Guvernatorit të BQK-së, pas arrestimit të Guvernatorit, Hashim Rexhepi më 23 korrik të vitit 2010.

Përzgjedhja e guvernatorit pritet të ndodh gjatë javës së ardhme në seancën plenare. /Kosovapress//Telegrafi/