LAJMI I FUNDIT:

BBC: Njihuni me Dea Kurtin e cila synon ta ndryshojë botën

BBC: Njihuni me Dea Kurtin e cila synon ta ndryshojë botën

16 vjeçarja Dea Kurti është duke e balancuar shkollën dhe jetën sociale, ndërkohë që është duke u përpjekur ta afrojë dallimin gjinor në fushën e teknologjisë si dhe t’i fuqizojë refugjatët – kështu shkruan prestigjiozja BBC për Dea Kurtin.

Inkurajimi i vajzave për të studiuar më shumë STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë) është kauzë thelbësore edukative në të gjithë botën. Por, bazuar në statistika, ka ende shumë punë për t’u bërë që të arrihet kjo, transmeton Telegrafi.


Sipas ‘Pew Research Center’, femrat e përbëjnë vetëm 25% të punëve kompjuterike në SHBA dhe vetëm 14% të punëve në fushën e inxhinierisë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm 11% e inxhinierëve janë femra, duke e bërë Mbretërinë e Bashkuar vendin me përqindjen më të vogël të femrave inxhiniere në të gjithë Evropën.

Por pikërisht për këtë problem ekzistojnë yjet si 16 vjeçarja Dea Kurti.

Kurti ndihmon në udhëheqjen e një programi që transporton libra edukativ rreth programimit dhe STEM-it te vajzat të cilat janë në vende të largëta të botës, në mënyrë që ta shpërndajë pasionin për STEM mes vajzave të reja dhe të ndihmojë në reduktimin e dallimit gjinor në këto industri.

“Kur të rritem dua të jem e aftë të them: ‘Po, unë e bëra ndryshimin’”, thotë Dea Kurti, duke shtuar se me projektin e saj ‘Novel Girls’ dërgojnë libra edukativ rreth programimit dhe fushave tjera të shkencës në Shqipëri, Indi, Ukrainë, Filipine dhe Pakistan.

Ajo thotë se organizata e saj i motivon vajzat ta bëjnë ndryshimin dhe i motivon të mësojnë.

Prindërit e Deas kanë emigruar nga Shqipëria në vitin 1999, dhe historitë që prindërit ia kanë treguar për Shqipërinë – në veçanti mungesën e edukimit të duhur – e kanë motivuar Dean që të dëshirojë t’i ndihmojë tjerët.

Ndër tjerash, Dea me miqtë e saj planifikon ta lansojë edhe një ueb sajt të quajtur ‘Roadmap’, i cili në thelb është sajt për refugjatë të cilët kërkojnë të emigrojnë në SHBA, ku aty mund t’i gjejnë të gjitha format dhe dokumentet që duhet plotësuar.  /Telegrafi/