Në Vorë, ku ishin të përqendruara edhe sytë e ndërkombëtareve, rezultati vijon te jetë tmerrësisht i ngushtë ku kandidati i djathtë dhe kryetari aktual, Fiqiri Ismaili, ka 49.7 për qind të votave kundrejt kandidatit të majtë, Luan Sallaku, me 50.2 për qind. Edhe në Rrogozhinë sytë janë drejtuar në çdo votë që numërohet, pasi rezultati flet për 47.8 për qind për kandidatin e ASHE-së, Beqir Nuredini, kundrejt 49. 6 për qind të kandidatit të APPD-së, Eqerem Deliu.

Në Bashkinë e Lezhës kandidati i APPD-së, Fran Frrokaj, është në avantazh me 50.1 për qind, ndërkohë që ndiqet hap pas hapi nga kandidati i majtë, njëherësh kryetari aktual, Viktor Tushaj, me 49.9 për qind.


Duke zbritur më poshtë, i ngushtë duket rezultati për bashkinë e Kamzës, ku kandidati i djathtë dhe kryetari aktual, Xhelal Mziu, deri tani është përpara me 52.6 për qind, kundrejt rivalit të majtë, Safet Gjici, i cili deri tani ka 47. 4 për qind. Në Finiq, gara e vërtetë është mes kandidatit të PBDNJ-së me 48 për qind dhe atij të Partisë së Minoritetit Grek, i cili është në avantazh me 51.9 për qind.

Në Berat, kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Sinaj, është me një avantazh të lehtë prej 51.8 për qind, kundrejt kandidatit të zgjedhur nga Partia Republikane, Kasem Mahmutaj, me 48.2 për qind. Në Peqin, Miranda Rira është në avantazh me 51.2 për qind, kundrejt Bajazit Karriqit me 48.8 për qind.

Duke kaluar në veri të vendit, në Dibër kandidati i djathtë Ilir Krosi është drejt fitores, me një rezultat të lehtë prej 49.3 për qind kundrejt rivalit të majtë Shukri Xhelili, me 45.9 për qind.

Ndërsa në Mat, rezultati është në favor të kandidates së ASHE-së, Adelina Farrici, me 51.6 për qind, kundrejt rivalit të djathtë Nezir Rizvani, me 48.3 për qind. /Telegrafi/