LAJMI I FUNDIT:

Bashkëpunimin me BSPK-në, i rëndësishëm për Trepçën

Bashkëpunimin me BSPK-në, i rëndësishëm për Trepçën

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi me bashkëpunëtorë, ka vizituar të enjten menaxhmentin e Kombinatit Trepça në Mitrovicë, me ç’rast është njoftuar për së afërmi për punën dhe problemet në këtë ndërmarrje.

Arifi tha se bashkëpunimi i deritashëm në mes të BSPK-së dhe Kombinatit Trepça ka qenë gjithmonë në nivel. “Veç tjerash, kemi shqyrtuar mundësinë që BSPK-ja si pjesë në AKP, e cila është monitorues i ndërmarrjeve shoqërore, të ndihmojë në kërkesat e menaxhmentit të Trepçës për një të ardhme më të mirë të saj”, ka thënë Arifi.

Në anën tjetër, menaxheri i përgjithshëm i Kombinatit Trepça, Ahmet Tmava, vlerësoi bashkëpunimin me BSPK-në si shumë të rëndësishëm në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive, qoftë si menaxhment, qoftë si sindikatë.


“Takimi ishte me interes reciprok në mënyrë që të fuqizohet mobilizimi për përgjegjësitë të cilat na presin neve si menaxhment harmonizuar me sindikatë, sepse pa një harmonizim të tillë objektivat dhe synimet tona nuk mund të realizohen”, ka thënë Tmava. /Telegrafi/