Site icon Telegrafi

Bashkë kundër UEFA-s

Shqipëria dhe Serbia kanë rastin tani që të marrin në konsideratë apelimin e përbashkët për përsëritjen e ndeshjes së ndërprerë në Beograd. Ajo që ndodhi nuk mund të zhbëhet. Si dhuna dhe racizmi në stadiumin e Beogradit, ashtu edhe ajo që ndodhi me Komisionin e Disiplinës në UEFA-s, tashmë janë fakte të kryera.

Është dënuar rëndë Shqipëria, e cila ishte vetëm viktimë. Por, është dënuar edhe Serbia. Të dyja dalin të humbura, ndërkohë që dikush tjetër i tretë përfiton nga ky vendim absurd. Por, më keq akoma, siç po e shprehin dhe shumë medie prestigjioze evropiane, janë dënuar dhe dhunuar futbolli dhe vlerat evropiane që ai promovon. Është dhunuar besimi te ligji, është goditur shpresa e njerëzve për drejtësi, është stimuluar racizmi e dhuna në stadiume.

Këtë radhë kanë fituar si në fushë dhe në UEFA vetëm urrejtja, hipokrizia, mashtrimi, intriga, djallëzia. Janë trazuar dy popuj, të cilët kanë lënë pas një histori tragjike. Kanë humbur të gjithë me këtë ndeshje, por më keq akoma, ka humbur UEFA.

Pra, me pak fjalë, ka humbur drejtësia dhe ka triumfuar e keqja. Ndaj, kam idenë se dy qeveritë, dy kryeministrat, dy ministrat e Jashtëm mund t’u sugjerojnë dy federatave përkatëse të futbollit, që të kërkojnë përsëritjen e kësaj ndeshjeje turpi, sepse të dyja shtetet tona janë në rrugën e aderimit në Evropë. Qeveritarët e të dyja vendeve kanë rastin që të tregojnë se janë burra shteti dhe të ngrihen nga llumi i tifozerive ultranacionaliste.

Apelimi së bashku i vendimit të trutharëve të UEFA-s së Platinisë për ta përsëritur ndeshjen, do të ishte kuptimplotë, pajtues dhe shërues. Një veprim i tillë, ose qoftë dhe një kërkesë e tillë e përbashkët, jo vetëm do të shuante të gjithë këtë zallamahi absurde, por do t’i shërbente për mirë të gjithë klimës pajtuese, që kishte nisur mes dy vendeve tona. Nëse Shqipëria dhe Serbia do të jenë të zonja që t’i kapërcejnë mëritë dhe të apelojnë së bashku përsëritjen e ndeshjes, kam bindjen e plotë se të dyja do të dalin fitimtare nga kjo situatë që u krijua me ndeshjen e keqe dhe me vendimin e UEFA-s.

Edhe në takimin e ardhshëm, të dy kryeministrave, një hap i tillë do të ndikonte që të kishte sukses të plotë në çdo aspekt. Kështu siç shkoi puna, as Shqipëria dhe as Serbia nuk kanë se çfarë të humbin, nëse kërkojnë përsëritjen e ndeshjes. Ato i kanë të humbura tashmë pikët. Nga përvoja dihet se dhe Apeli nuk është se ia prish shumë terezinë e UEFA-s. Por, dy qeveritë kanë në dorë dhe mekanizma të tjerë për të shkundur UEFA-n, sidomos kur bëhet fjalë për pajtimin dhe përsëritjen dinjitoze të kësaj ndeshjeje.

Të gjithë e dimë se nuk është thjesht vetëm një ndeshje futbolli. Nëse do ta kërkojnë këtë së bashku, Shqipëria dhe Serbia do të kenë në dorë mundësinë që ta përsërisin dhe ta luajnë me dinjitet ndeshjen. Po ta bëjnë këtë serbët dhe shqiptarët, kam bindjen se jo vetëm do t’i bëjnë një shërbim të madh vendeve të tyre, por do të ndihmojnë edhe futbollin evropian që të mos e kthejë në normë dhunën, racizmin dhe padrejtësinë.

(Marrë nga: Shekulli)

 

Exit mobile version