LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore: Rreth 90 për qind e bizneseve në Kosovë u preken nga pandemia COVID-19

Banka Botërore: Rreth 90 për qind e bizneseve në Kosovë u preken nga pandemia COVID-19

Banka Botërore njofton se goditjen më të madhe gjatë pandemisë COVID-19, në Kosovë e kanë marrë punëtorët e sektorit privat me rreth 90 për qind, ku pavarësisht pakove emergjente, bizneset e të gjitha ekonomive po pësojnë humbje, çka rrezikon punën e tyre.

Kështu thuhet në raportin “Tregjet e Punës të Ballkanit Perëndimor nën krizën COVID-19“, të publikuar nga Banka Botërore.


Në këtë raport theksohet se kufizimet kanë cenuar ofertën dhe kërkesën e krahut të punës, transportin dhe udhëtimet.

“Kufizimet mbi lëvizjen dhe mbajtja e distancës sociale kanë cenuar ofertën dhe kërkesën e krahut të punës, transportin dhe udhëtimet në mënyrë të paprecedentë. Janë mbyllur sektorë të tërë të ekonomive kombëtare: hoteleri-restorantet, tregtia jo e domosdoshme me pakicë, turizmi, transporti dhe një pjesë e mirë e prodhimit. Pavarësisht nga paketat e mbështetjes shtetërore, bizneset e të gjitha ekonomive po pësojnë humbje, çka rrezikon operacionet dhe aftësinë e tyre paguese”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Raporti kujton se më të prekura janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si edhe bizneset joformale.

Lehtësohen masat - hapen kafiteritë, restorantet dhe qendrat tregtare
Lexo po ashtu Lehtësohen masat - hapen kafiteritë, restorantet dhe qendrat tregtare

“Efekti te veprimtaritë që sjellin të ardhura është sidomos i rëndë për punonjësit e pambrojtur dhe grupet më të cenueshme në ekonominë joformale. Tregjet e punës ku vetëpunësimi dhe punësimi joformal dhe i përkohshëm është shpërpjesëtimor kanë të ngjarë të përballen më shumë me humbjen e vendeve të punës, çka do të duhet të trajtohet nëpërmjet sistemeve të mbrojtjes sociale”, vijon raporti.

Banka thekson se Kosova kishte rritjen më të madhe të numrit të personave të punësuar.

“Në fund të vitit, Kosova kishte rritjen më të madhe të numrit të personave të punësuar: 6.7 për qind në normë vjetore. Rritja vjetore e punësimit qe rreth 4 për qind në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi dhe 3.1 për qind në Shqipëri, por në Malin e Zi u ngadalësua në 0,3 për qind në normë vjetore. Në vitin 2019, janë krijuar 190 mijë vende të reja pune në Ballkanin Perëndimor”, thekson raporti, përcjell Telegrafi.

UNDP: Varfëria, papunësia dhe korrupsioni - problemet themelore me të cilat përballet Kosova
Lexo po ashtu UNDP: Varfëria, papunësia dhe korrupsioni - problemet themelore me të cilat përballet Kosova

Derisa përmend të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimore, në raport thuhet se bizneset kanë kaluar me shpejtësi drejt masave mbrojtëse: kanë ndryshuar orarin e punës, kanë bërë shkurtime të përkohshme të orëve të punës, kanë detyruar punonjësit të marrin lejen vjetore, leje pa të drejtë rroge dhe ka pasur edhe shkurtime të vendeve të punës për të përballuar rënien e operacioneve apo madje edhe mbylljen e detyruar.

“Nuk është për t’u habitur që goditjen më të madhe e kanë marrë punëmarrësit e sektorit privat (88 për qind). Vetëm në Kosovë, do të ketë më shumë punonjës të përkohshëm të cilët do ta humbin punën në krahasim me ata që janë në marrëdhënie definitive pune, por kjo ndodh për shkak të strukturës së tregut të punës përpara krizës. Një e dyta e punonjësve të prekur do të jenë në shoqëri të vogla (deri në 10 punonjës), ndërsa vetëm në Maqedoninë e Veriut mbi 38 për qind e punonjësve të prekur do të jenë nga firma të mëdha. Një e treta e të gjithë punonjësve të prekur në Ballkanin Perëndimor punojnë në tregtinë me shumicë dhe atë me pakicë”, përfundon raporti.

Po ashtu, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara thotë se papunësia, korrupsioni dhe varfëria janë tre problemet themelore me të cilat përballet aktualisht Kosova. /Telegrafi/