Kandidatët që do ta sfidojnë Shpend Ahmetin për të parin e Prishtinës pothuajse janë zyrtarizuar. Ka mbetur vetëm AKR ajo që po e pret vendimin e kreut të saj që të vendosë nëse do t’i hyjë garës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Nënkryetari i AKR-së Agim Bahtiri thotë se deri në mbrëmje do të vendoset nëse do të jetë ose jo Pacolli në garën e Kryeqytetit.
Zyrtari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Agim Bahtiri ka sqaruar se ende nuk është vendosur për kandidatin që ata do ta nxjerrin për Prishtinën.
Bën të ditur se e gjithë kryesia dhe degët e AKR-së e kanë propozuar kreun e tyre Behgjet Pacollin që t’i hyjë garës për zgjedhjet lokale. Por shpjegon se po e presin liderin e tyre ta thotë fjalën e fundit.
“E gjithë kryesia, anëtarësia dhe degët e AKR-së kanë propozuar që në garën për Prishtinë të jetë z Pacolli. Presim që ai të reflektoj pozitivisht”, është shprehur Bahtiri, derisa ka shtuar se beson që 90 për qind, Behgjet Pacolli nuk do të kandidojë.
Bahtiri ka thënë se sot merret vesh nëse do të jetë ose jo Pacolli. “Pra kemi edhe një takim të kryesisë së AKR-së dhe deri në ora 20:00 kemi afat që ta publikojmë kandidatin”, ka thënë Bahtiri për Express.