Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pas takimit që ka pasur me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, ka siguruar qytetarët se situata në veri është e qetë dhe nuk ka asnjë arsye për shqetësim.
“Unë i siguroj qytetarët e Mitrovicës dhe ata të vendit, se në bisedën që pata me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe me drejtues të tjerë shtetëror vlerësuam se situata në vend është e qetë dhe stabile dhe se në veriun e Republikës së Kosovës, nuk do të ndodhë asgjë nga ajo që mediet e ndryshme paralajmërojnë, pasi që institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës janë në gjendje të mbrojnë kufijtë e vendit dhe tu japin përgjigjen adekuate atyre që duan destabilizim situatës”, ka theksuar Bahtiri.
Komunikata e plotë e Komunës së Mitrovicës:
Shkrimet e shumta në mediet e ndryshme të Kosovës lidhur me situatën e përgjithshme në Republikën e Kosovës, e sidomos ato që ka në të bëjnë me situatën në veri, kanë futur njëfarë pasigurie dhe shqetësime tek qytetarët.
Për këtë arsye, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri ju bënë thirrje qytetarëve të Mitrovicës dhe të vendit që të jenë të qetë e të mos bien nën ndikimin e dezinformatave të ndryshme që i lansojnë mediet e shkruara dhe ato elektronike në vend.
Kryetari Bahtiri bënë të ditur se gjatë ditës së sotme është takuar me kryetarin e shtetit, Hashim Thaçi dhe me shumë zyrtarë të lartë të shtetit, me ç’rast është biseduar për ruajtjen e paqes në veri të vendit; vazhdimin e përpjekjeve për bashkimin e qytetit; ruajtjen e tërësisë territoriale e të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Unë i siguroj qytetarët e Mitrovicës dhe ata të vendit, se në bisedën që pata me Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaqi, dhe me drejtues të tjerë shtetëror vlerësuam se situata në vend është e qetë dhe stabile dhe se në veriun e Republikës së Kosovës, nuk do të ndodhë asgjë nga ajo që mediet e ndryshme paralajmërojnë, pasi që institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës janë në gjendje të mbrojnë kufijtë e vendit dhe tu japin përgjigjen adekuate atyre që duan destabilizim situatës”.
Kryetari Bahtiri bënë me dije se gjatë ditëve të fundit është takuar edhe me shumë drejtues të tjerë të institucioneve të ndryshme, personalitete të shquara politike e të sigurisë dhe se në të gjitha këto takime është vlerësuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë kapacitete dhe janë në gjendje të ruajnë paqen dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, kryetari Bahtiri njofton se është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Salvatore Cuocchi dhe se ka marrë garanci se ushtarët e KFOR-it janë të gatshëm që të kryejnë misionin e tyre ashtu si duhet dhe se kanë kapacitete të mjaftueshme për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë Kosovën.
“Edhe në bisedë me përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë dhe rendit në Kosovë, si dhe me përfaqësues të institucioneve tjera të rëndësishme të shtetit, kam marrë garanci se të gjitha organet përkatëse të rendit e qetësisë janë në gjendje që të ballafaqohen me situata eventuale të prishjes së rendit e qetësisë publike dhe tentimeve për destabilizim të vendit, apo të cenimit të rendit kushtetues dhe integritetit territorial të vendit. Prandaj, mesazhi im për juve qytetarë të nderuar, është që të jeni të qetë dhe të keni besim tek institucionet dhe udhëheqja legjitime e vendit, se nuk do të ndodhë asgjë që do ta rrezikonte, paqen, sigurinë dhe tërësinë territoriale të vendit”, thotë kryetari Bahtiri, përcjell Telegrafi.