Me të drejtë thuhet se, pikërisht fëmijëria është periudha më delikate dhe plot sfida, të cilat, ose duhet kaluar për të arritur majat, ose duhet “shuar” si talent i pazbuluar. Tek artisti Astrit Alihajdaraj, fatbardhësisht, ka ndodhur e para. Pra, nga një djalosh plot ëndrra, ai tashmë jeton një realitet rrezatues, premtues dhe shpërthyes në botën e kinematografisë.
Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Qysh me rolin e parë, ndër më kryesorët, të cilin e interpretoi në filmin austriak “Nordrand”, sikur iu hapën dritaret e botës së madhe të filmit dhe teatrit.
Ndonëse profesioni i aktorit filloi t’ia trazonte shpirtin artistik, ai nuk u ndal vetëm me kaq, por vazhdimisht është në kërkim të sprovave të reja,
Me një karrierë të begatshme dhe plot plane e suksese të pritshme në rrugëtimin e tij, Astrit Alihajdaraj vjen me këtë intervistë shumë origjinale dhe shumë domethënëse.
Opinioni ju njeh si aktor televizioni dhe filmi. Ju mbajmë në mend nga filmat Nordrand, Gone Back, The Piano Room, “Tatort”, “BalkanTraffic”, Agnus Dei dhe shumë të tjerë. Mirëpo, si do të thoshit ju, kush në të vërtetë Astrit Alihajdaraj?
Astrit Alihajdaraj është një djalë nga Istogu. Aty ka kaluar fëmijërinë dhe rininë. Në fund të viteve të nëntëdhjeta si shumë shqiptarë të tjerë, edhe Astriti ka lëshuar Kosovën dhe ka shkuar në Vjenë. Atje ka studiuar në universitetin e Biznesit dhe pastaj ka vazhduar me Shkollën e filmit, po ashtu në Vjenë. Astriti gjithmonë ka qenë në kontakt të përhershëm me vendlindjen, duke e vizituar shumë shpesh. Nga vizitat familjare tashmë janë bërë edhe vizita profesionale, duke sjell përvojat e marra në Austri dhe Evropë që t’i bartë më tutje në Kosovë.
Si e keni filluar karrierën tuaj dhe çka përcaktoi rrugën Tuaj drejt profesionit të aktorit?
Karrierën e kam filluar në vitin 1999 në filmin austriak “Nordrand”, ku luaja një ndër rolet kryesore. Film ky që pati premierën botërore në Festivalin e filmit në Venedik në vitin 1999. Ishte ky filmi i parë që e përfaqësoi Austrinë pas disa dekadave, në po këtë festival prestigjioz. Që atëherë, unë kam vazhduar të merrem profesionalisht me aktrimin.
E ndërkohë që shumë vlerësime në jetën tuaj artistike ju keni marrë dhe në skenën teatrore. Çfarë mund të na thoni për teatrin?
Teatri është një përjetim ndryshe për aktorin pasi që aty gjithçka ndodhë live/gjallë para publikut dhe me një komunikim drejtpërdrejt me të. Është një formë ndryshe e rrëfimit të tregimit se sa ai në film. Në teatër është shumë më e rëndësishme fjala, përderisa filmi flet më shumë përmes fotografisë. Teatri është një lloj vallëzimi, një lloj loje komunikimi me publikun direkt, i cili mund të ndryshojë nga një mbrëmje në tjetrën. Nganjëherë ndodhë që ka një publik shumë aktiv dhe ec në takt me shfaqjen dhe nganjëherë duket më pasiv ku si aktor mund të irritohesh, por nuk do të thotë që ajo mbrëmje nuk ka qenë e suksesshme, përkundrazi në fund të shfaqjes e kuptojmë se ka qenë një performancë e mirë. Teatrin unë e shoh të domosdoshëm për aktor, sepse është si një lloj fitnesi për ta zhvilluar më shumë kreativitetin, imagjinatën dhe e forcon zanatin e aktorit. Është procesi i provave ai që unë e shoh më të rëndësishmin, sepse në teatër kryesisht provat zgjasin disa javë dhe gjatë gjithë asaj kohe, aktori është në një proces hulumtimi, krijimi dhe në të njëjtën kohë, testimi të asaj çka provon. Edhe dështimet janë pjesë e këtij procesi, ku prej asaj merr mësime të mëdha. Në film nuk e kemi ketë luks të bëjmë prova kaq shumë. Në film e gjithë kjo punë duhet të bëhet kryesisht vetë dhe kur arrin në sheshxhirim duhet të funksionosh njëqind përqind dhe të jesh shumë i saktë.
A është kënaqësi e veçantë të luash në projektet të cilat pasqyrojnë një epokë të caktuar, sikurse “Princi Eugen dhe Perandoria Osmane”?
Po, është një mundësi që të ofrohet për të përjetuar pak a shumë epoka të shkuara. Është një sistem pune më ndryshe, sepse duhet hulumtim për t’ju përshtatur sado pak asaj kohe. Si p.sh. dhe në rastin e projektit “Princi Eugen dhe perandoria osmane” unë kam luajtur rolin e “Ibrahim Müteferrika”, një personalitet që ka ekzistuar atë kohë. D.m.th. një personalitet real dhe jo fiktiv. Ai ka qenë një diplomat osman që në atë kohë ka qenë si ndërmjetësues i bisedimeve për paqe në mes të Austro-Hungarisë dhe Perandorisë Osmane. Ai, qenë themelues i parë i shtypshkronjës në Perandorinë Osmane. Këtu është dashtë të lexohet dhe të hulumtohet për këtë njeri. Por prapë, në fund të fundit, aktori e merr përgjegjësinë që të luajë personazhe të tillë në mënyrën që ai vendos ta luajë dhe me potencialin që posedon.
Cilin projekt mund ta veçoni në punën Tuaj të deritashme, por që e keni më për zemër?
Të gjitha projektet e kanë rëndësinë e vet dhe janë të veçantë në forma të ndryshme. Nuk mund të bëj shumë dallime, pasi që në secilin projekt kam pas përvoja të ndryshme dhe kam mësuar gjëra interesante. Secili projekt është diçka që fillon gjithmonë nga fillimi dhe nganjëherë të jep ndjenjën që këtë punë po e bën për herë të parë. Kjo është ajo që më pëlqen shumë në këtë profesion, sepse gjithmonë ke të bësh me tregime të reja, me njerëz, për njerëz dhe si tregimet po ashtu edhe njerëzit janë shumë të larmishëm dhe universe në vete.
Po qe se do t’i kishit zgjedhur ekskluzivisht rolet sipas afiniteteve dhe temperamentit Tuaj, cilat personazhe do t’i zgjidhnit?
Kjo varet shumë edhe nga interesat e përgjithshme që i ke si person dhe si aktor. Nuk do të thotë që duhet ta luash çdo rol që të ofrohet. Ne duhet edhe të mësojmë diçka nga këto role. Shpesh ka ndodhë që unë kam luajtur role që janë larg temperamentit tim. Ato më kanë interesuar të mësoj më shumë për llojllojshmërinë e jetës së njerëzve, por edhe për vetveten përmes këtyre roleve.
Si e ndieni se cili rol u “fle” më mirë” Çka ju tërheq më parë?
Është kryesisht kjo që e thash më lart. Duhet të ketë diçka që më bën kureshtar. Që më ofron mundësi të mësojë diçka. Së pari, duhet tregimi të jetë ai që më ngacmon e pastaj vjen edhe roli. Kur kam qenë aktor më i ri, kam luajtur edhe role që ndoshta në shikim të parë, nuk më kane tërhequr shumë, por si i ri ke nevojë për përvojë dhe të eksperimentoj; ndoshta nganjëherë nuk e kam dëgjuar shumë intuitën. Tash është intuita që i kushtoj shumë vëmendje. Në leximin e parë të tekstit e ndjej ose nuk e ndjej. Kjo është shumë me rëndësi.
Cilin zhanër filmash më së shumtë dëshiron t’i shikosh?
Nuk kam shumë preferenca të caktuara në zhanre. Kur një storie është e mirë, ajo mund të jetë dramë, triller, aksion, komedi, etj. Edhe këtu shumë e rëndësishme është që të ketë diçka që të tërheqë, të befason, të aktivizon të bëhesh pjesë e saj dhe gjithmonë duhet të mësosh diçka të re nga kjo.
Çfarë peshe ka fati për një artist?
Sikurse në jetë, fati ka peshë shumë të madhe edhe te artisti. Të gjitha janë të ndërlidhura. Ti mund të kesh shumë fat në karrierë si artist, por nuk ke fat në shëndet apo në rrethin familjar. Ose e kundërta. Por, në përgjithësi, unë e shoh si fat të madh që, nëse të qenurit artist apo çfarëdo që të jetë ajo që të bën të lumtur dhe të plotëson, atëherë je me fat.
Sa është vështirë të jesh aktor, çfarë sakrificash kërkon ky profesion?
Si edhe profesionet tjera edhe aktrimi i ka sakrificat e veta. Siç e thash më lart, nëse është diçka që të plotëson dhe të bën të lumtur, atëherë përballohen të gjitha. Vështirësia e parë e këtij profesioni është që ke të bësh shumë me vetveten si person, si aktor. E gjithë atë që e shfaqë përpara audiencës, është diçka që si aktor duhet ta kërkosh në brendinë tende. Çdo rol i ri të provokon, të sfidon emocionalisht edhe intelektualisht. Pandërprerën përballemi me kufijtë tanë. Janë rolet ato që të vënë në një lloj terapie psikologjike të cilën duhet ta përballojmë vetë. Nëse ke pranuar ta luash një rol “negativ”, atëherë për ta luajtur atë sa më mirë, ne si aktorë, duhet të gjejmë atë material diku në vetvete. Edhe në ketë proces duhet të kesh aftësi menaxhimi.
Më intereson, si e shikon aktori ndonjë film, në çka e përqendron vëmendjen posaçërisht me rastin e shikimit të filmave?
Mua personalisht më intereson Tregimi. Për çka bëhet fjalë, si trajtohet. Ai duhet të ketë diçka unike dhe jo të kopjuar apo i bërë si një lloj kompromisi. Normalisht që aktorit i intereson edhe aktrimi i kolegëve në atë projekt, sepse e kuptojmë se si shkon ky proces. Dhe kur unë si aktor shoh aktrim të mirë, origjinal dhe unik, atëherë kjo më gëzon shumë dhe më jep vullnet që të punoj edhe unë edhe më shumë që të bëhem edhe më i mirë.
Cilët kanë qenë idhujt tuaj në aktrim dhe regji që ju kanë paraprirë në jetë?
Në vitet kur kam filluar të interesohem për këtë zanat, kanë qenë Robert de Niro, Al Pacino, Jack Nickcholson, Gene Hackmann, Dustin Hoffman e shumë të tjerë, të cilët natyrisht që kanë pasur ndikim të madh tek unë. Po këta aktor vazhdoj t’i kem idhuj, sepse posedojnë një arsenal të madh njohurish njerëzore dhe çka është më e rëndësishmja, këta për secilin njeri kanë diçka për t’i dhënë. Edhe regjisorët kanë qenë ata përmes të cilëve i kam njoftuar këta aktorë, si p.sh.: Martin Scorsese, Roman Polanski, Steven Spielberg, e shumë të tjerë. Tani për momentin jam adhurues i madh i aktorit Christoph Ëaltz dhe regjisorit Larsvon Trier.
Çdo aktor mbart gjatë karrierës së tij mbresa të shumta. Do të ishte interesante të na tregonit diçka?
Filmi im i parë mbetet gjithmonë një përvojë me përjetime shumë speciale për mua. Ndodhi në një kohë që unë i kisha shuar shpresat se, ndoshta ndonjë dite do të merrem me këtë punë. Ishte viti 1999, unë sapo kisha shkuar në Austri dhe ëndrra për t’u bërë aktor ishte vetëm ëndërr. Kjo ndodhi në atë kohë, me një rol kryesor në një film të metrazhit të gjate dhe pas një kohe shumë të shkurtër, e morëm lajmin që do të marrim pjesë në konkurrencën zyrtare në festivalin e Venedikut. Kjo ndodhi shumë shpejt dhe unë si i ri dhe pa përvojë, nuk isha në gjendje ta përpunoja këtë me atë shpejtësi se si ndodhnin gjërat. Filmi u prezantua, u prit shumë mirë dhe pati shumë sukses. Në të njëjtën kohë, në Venedik, ishte edhe filmi “Eyes Wide Shut” me Tom Cruise dhe Nicole Kidman, të cilët pata rastin t’i shoh dhe t’i takoj për së afërmi. Pas gjithë kësaj që ndodhi, unë i thash vetes “me t’vërtet qenka zanat i mirë, po m´pëlqen, prej sot jam aktor”
Sado që të ketë dallime, është fakt që koproduksioni midis vendeve të sapoformuara është më i shpeshtë. Mbase është e gjitha vetëm çështje prakticiteti dhe sigurimi i lehtë i parave?
Në këtë kohë të vështirë ku kriza ekonomike është shumë prezente, e më së shumti në kulturë, bashkëpunimi është shumë i domosdoshëm. Filmi është art i shtrenjtë dhe vendet e vogla si Kosova e vendet e rajonit, duhet të bashkëpunojnë sa më shumë, sepse vetëm kështu mund të realizohen projekte. Kryesisht në gjithë Evropën ka bashkëprodhime. Kjo ka të bëjë edhe me temën e një filmi, i cili ndodh në një vend te caktuar, por shtjellon një temë që është aktuale edhe në një vend tjetër, apo në shumë vende tjera. Atëherë, këtu fillon interesimi i bashkëprodhimit. Bashkëprodhimi të ofron edhe mundësinë e arritjes më të madhe të shikuesve. Pra, filmi është një punë ekipore si në shesh xhirim, po ashtu edhe në mes të vendeve.
Para viteve ’90 publiku ishte më pranë teatrit dhe filmit shqiptar, por sot është larguar. Ju si e gjykoni këtë?
Kosova ka pasur një ngecje në zhvillimin e Teatrit dhe në Kinematografi. Edhe arti si të gjitha fushat tjera, ka nevojë për kontinuitet. Kjo është ndërprerë dhe penguar për një kohë të gjatë nga regjimi i Serbisë në Kosovë. Në Evropë dhe në botë, filmi ka avancuar shumë. Njëkohësisht, teknologjia po e mundëson të kemi qasje dhe mundësi të zgjedhim dhe të shohim atë që dëshirojmë. Pra, në këtë treg të madh global të artit, vetëm me një punë të pandërprerë, me përkushtim dhe me kualitet të mirë, mundemi të arrijmë që publiku vendor të joshet më shumë për filmin shqip. Kohët e fundit, kinematografia e Kosovës ka filluar të ringjallet, falë angazhimit të madh të artistëve, filmbërësve në Kosovë dhe atyre jashtë vendit. Kjo është diçka e mirë që po ndodhë dhe duhet të mos ndalemi, të vazhdojmë bashkëpunimin edhe më shumë, sepse jam i bindur që, nëse publikut i ofrojmë filma kualitativ, ata do të na favorizojnë më shumë ne, sesa filmat e huaj.
A mendon që vuajtjet dhe dashuria janë simbiozë filmike e pashtershme dhe ndonjë lloj garancie për sukses?
Dashuria gjithsesi. Vuajtjet nuk janë ndjenja të mira për askënd, por edhe ato të shtyjnë të krijosh, sepse janë gjendje jo komode dhe në një gjendje të tillë, njeriu është më luftarak dhe do apo nuk do, edhe kreativ. Garanci për sukses në film ke vetëm atëherë nëse si krijues je i sinqertë dhe synon të trajtosh një tregim, një temë të caktuar, ku përmes të cilit tregim publiku identifikohet me të, përfiton diçka nga ai, pra mëson diçka në mënyrë metaforike apo përjetimi të ndryshëm emocional. Empatia është esenciale në rrëfimin e një tregimi në përgjithësi, poashtu, edhe në film.
Në çastin që po flasim keni ndonjë projekt të bukur artistik në dorë?
Tani kam mbaruar xhirimet në dy projekteve në Gjermani dhe priten të shfaqen së shpejti në Televizione Gjermane. Bëhet fjalë për “Alarm für Cobra 11” që është i zhanrit aksion dhe do të shfaqet, më 17 nëntor, në kanalin televiziv RTL në ora 20:15 dhe projekti tjetër është SOKO München, i zhanrit kriminal, që do të shfaqet më 05 dhjetor në kanalin televiziv gjerman ZDF, në ora 18:00. Tani në këtë kohë, po merrem edhe me montazhin e filmit “Schatzi”. Film të cilin e kam shkruar vet, po ashtu edhe kam qenë regjisor. Xhirimet i kemi bërë në verë të këtij viti, në Kosovë. Ky është projekti im i parë si regjisor dhe jam shumë i lumtur që deri më tani, procesi po ec shumë mirë. Për premierë, ende nuk kemi caktuar një datë, por do t’ju njoftojmë me kohë. Filmi është prodhuar nga Produksioni ILLYRIA FILM me përkrahje të Culturefor all – Phase III nga Zyra e Bashkimit evropian, në Kosovë.
Cila është porosia juaj për të gjithë ata që përcaktohen për lojën skenike?
Aktrimi është një botë e pashtershme. Sa më shumë që ta njohësh, aq më e madhe bëhet. Është një aventurë, përmes të cilës ke mundësi të mësosh shumë gjëra për vetveten, jetën, njerëzit, si dhe të ofron mundësi të kontribuosh shumë për njerizimin. Mendohu mirë dhe futu me një mendje! /Telegrafi/