Asociacioni i komunave serbe pas zgjedhjeve në Kosovë

Nuk është vetëm sistemi ligjor e kushtetues i vendit që në bisedimet në Bruksel, po sfidon platformën e asaj që në marrëveshje është projektuar si Asociacioni i Komunave Serbe në veri, sipas Marrëveshjes së arritur Kosovë–Serbi.
Me gjithë ndryshimet që po bëjnë vazhdimisht të dyja palët në planet e tyre rreth Asociacionit, qëndrimet skajshmërisht të ndryshme kanë shty palët, sidomos atë kosovare që të kërkojnë ndihmën e Bashkimit Evropian, lehtësues në këtë proces.
Burime brenda ekipit negociator kanë konfirmuar se ky lehtësim po kërkohet në formën e një propozimi të BE-së rreth Asociacionit, e që praktikisht ky propozim do ishte brenda materies që ka përcaktuar Konventa Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, nuk ka dashur të jap sqarime rreth çështjes së Asociacionit dhe çfarë saktësisht është kërkuar nga BE.
Ndërsa sipas përgjigjes që ka dhënë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, BE duket se nuk po preferon të shtyj përpara propozimet e veta rreth asociacionit, por që të shtyj palët në bisedime të gjejnë vetë një zgjidhje, të pranueshme dhe të qëndrueshme njëkohësisht. "Ne nuk po i shtyjmë përpara propozimet tona, por po i inkurajojmë të dyja palët që ta arrijnë një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët e cila mund të jetë e qëndrueshme”, thuhet në një përgjigje përmes postës elektronike të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për Radio Kosovën.
Ajo që është konfirmuar është se tashmë është shty krijimi i Asociacionit të komunave serbe. Ka qenë ministri i Kthimit, Dalibor Jevtic, ai që së fundi ka konfirmuar se Asociacioni i Komunave serbe do të pres deri pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, megjithëse nuk është caktuar ende data e këtyre zgjedhjeve.
Deri më tani beteja e të dyja palëve në bisedimet në Bruksel, është fokusuar në atë nëse Asociacioni i komunave serbe do të ketë përfaqësim ndërkombëtar dhe nëse do të ketë tiparet e një institucioni qeveritar që financohet nga shteti serb dhe ai i Kosovës. /Telegrafi/


































