LAJMI I FUNDIT:

Arta Dobroshi fituese e “Shooting Stars 2013”

Arta Dobroshi fituese e “Shooting Stars 2013”

E nominuara nga Qendra Kinematografike e Kosovës, aktorja Arta Dobroshi, është fituese e çmimit “Shooting Star 2013”, dhe është renditur mes 10 aktorëve më të mirë të rinj të Evropës.

Në ceremoninë që do të mbahet në skenën kryesore të Berlinales, nga data 9 deri më 11 shkurt 2013, Arta do ta merr shpërblimin me të cilin e vlerësoi juria e European Film Promotion, që ndan edhe çmimet “Shooting Stars”.

“Unanimisht jemi të impresionuar me këtë gjeneratë të aktoreve Evropianë, dhe nivelin e të nominuarve. Për një gjë jemi të sigurt, zgjedhja jonë do të jep fokusin artistëve të vërtetë që e meritojnë këtë”, thuhet në deklaratën e jurisë.

Rreth këtij suksesi është prononcuar edhe vetë aktorja kosovare, gjatë një konference shtypi të organizuar nga QKK.

“Po ndihem tepër e nderuar për këtë çmim, është moment madhështor për mua dhe për vendin tim, Kosovën. E kam pasur ëndërr te jem “Shooting Star”, por për shkak se nuk kemi qenë shtet dhe anëtarë të European Film Promotion, nuk kemi pasur mundësi të jemi të nominuar për ‘Shooting Stars’”.

“Faleminderit shumë Qendrës Kinematografike të Kosovës për anëtarësimin në European Film Promotion. Çdo ditë e më shumë po e dëshmojmë që jemi qytetarë të botës dhe se mund të arrijmë çfarëdo që kemi në zemë”, ka thënë Arta.

Përveç Arta Dobroshit nga Kosova, 10 aktorët më të mirë të rinj të Evropës për 2013 janë: Mikel Boe Folksgaard nga Danimarka, Laura Birn nga Finlanda, Christa Theret nga Franca, Saskia Rosendahl nga Gjermania, Luca Marinelli nga Italia, Ada Condeescu nga Rumania, Jure Henigman nga Sllovenia, Nermina Lukac nga Suedia dhe Carla Juri nga Zvicrra.

Me anëtarësimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës në European Film Promotion në maj të këtij viti në Cannes, Kosova u be anëtare e barabartë e kësaj organizate evropiane me 34 shtete, dhe fitoi të drejtën të nominojë aktorë ose aktore për programin Shooting Stars.

“Jam tepër i gëzuar dhe krenar për Artën, por edhe me faktin që Kosova si anëtare e re e European Film Promotion, me nominim e parë edhe e fiton atë. Ka shtete që kurrë nuk kanë arritur ta fitojnë. Ky është benefiti i parë dhe konkret për industrinë tonë të filmit me anëtarësimin ne EFP, dhe të tjerat do të pasojnë. Producentët dhe regjisorët tanë po ashtu do të kenë të drejte garimi për shpërblimet në programet tjera adekuate për ta të organizatës European Film Promotion”, tha Fatos Berisha, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

European Film Promotion është organizatë panevropiane për promovimin e kinematografisë,e formuar në vitin 1997 në përbërjen e së cilës janë 34 shtete evropiane, ndërsa programi i saj Shooting Stars, që u ndahet aktorëve më të mirë të rinj evropian, është finansuar nga programi Media i Bashkësisë Evropiane dhe shtetet anëtare të saj. /Telegrafi/