LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet Tixhja, braktisi beben e saj në Tiranë

Arrestohet Tixhja, braktisi beben e saj në Tiranë

Një 23-vjeçare u arrestua nga policia e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim për braktisjen e foshnjës së saj. Hatixhe Lamçja, kërkohej nga policia që prej datës 22 tetor të vitit të kaluar, pasi Gjykata e Tiranës e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim për veprën penale të “Braktisjes së fëmijës së mitur”.

Në mesin e muajit prill të vitit 2011, siç citon NOA, Lamçja kishte trokitur në banesën e F. Sula, bashkë me foshnjën e saj dyjavësh. Për shkak të njohjeve që kishin, ajo kërkoi Sulës që ta ndihmonte për ta strehuar atë natë, ngaqë nuk kishte ku të shkonte dhe ishte dhe me fëmijë të vogël.

Ajo i kishte thënë se fëmija ishte i saj dhe se e kishte lindur disa ditë më parë, por kishte bërë fjalë me bashkëshortin dhe nuk donte të shkonte atë natë në shtëpi. Sula pranoi që ta strehonte në banesën e tij.


Ditën tjetër, Lamçja i kishte kërkuar të njohurit të saj që t’ia mbante disa orë fëmijën, pasi do të shkonte në shtëpinë e saj në Durrës dhe të merrte disa rroba për fëmijën, por nuk ishte kthyer për ta marrë foshnjën. Fillimisht Sula e ka mbajtur beben me shpresën se e reja do të kthehej për ta marrë.

Në një nga këto ditë fëmija u sëmur dhe kur Sula e çoi në klinikë mjekësore për ta vizituar, nga ana e mjekëve është orientuar që ta dorëzojë fëmijën në institucionet përkatëse dhe të njoftonte dhe policinë.

Pas një muaji Sula dorëzoi fëmijën tek shtëpia e foshnjës në Durrës, ndërsa denoncoi nënën në polici. Pas dënimit të dhënë gjykata e Tiranës, dënoi 23-vjeçaren me burg, ndërsa arrestimi i saj u krye ditën e djeshme. /Telegrafi/