Është gjetur i pajetë gjatë ditës së sotme, aktori nga Gjakova, Art Kurti, i cili kishte luajtur në hit serialin “O Sa Mirë”.
I njëjti kishte kandiduar edhe si asambleist nga radhët e AAK-së në komunën e Gjakovës në zgjedhjet lokale të vitit 2017, gjersa pas përfundimit të tyre ishte emëruar si këshilltar për rini në kabinetin e kryetarit të komunës, Ardian Gjini.
Ky i fundit, ka ngelur i shokuar nga lajmi i marrë gjatë ditës së sotme lidhur me vdekjen e aktorit, gjersa zgjodhi rrjetin social Facebook për të shprehur ngushëllime.
“Jam i shokuar nga lajmi që kolegu ynë Art Kurti nuk është më me ne. Kolegët e mi dhe unë ndjejmë dhimbje të thellë për këtë humbje. Largimi kaq i hershëm dhe i papritur i Artit, nga familja dhe të gjithë ne do të jetë vështirë i përballueshëm. Ju shprehë ngushëllime e mia më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve” (sic), ka shkruar Ardian Gjini.
Ngushëllime për të ndjerin, kanë shprehur edhe stafi i serialit “O Sa Mirë”, përmes një statusi në faqen e tyre zyrtare.
“Dhimbje të tmerrshme dhe pikëllim të pakufishëm na dha sot lajmi për vdekjen e Art Kurtit, kolegut fantastik që kishim në Serialin “O Sa Mirë”. Tepër i ri për të shkuar. Do ta kujtojmë gjithmonë mirësinë e tij, talentin e tij, të qeshurën e tij. Ngushëllime familjarëve, artistëve dhe miqve!”, shkruhet në faqen e “O Sa Mirë – Zyrtare” në Facebook.
Artistë të shumtë gjithashtu i janë bashkuar dhimbjes për humbjen në moshë të re të aktorit të njohur. /Telegrafi/