Antagonisti i receptorit të interleukinës-1 (IL-1ra), e cila është një citokinë anti-inflamatore, shoqërohet me mbrojtjen e kapacitetit të qelizave-β te pacientët e diagnostikuar me diabet të tipit I.

Burimi: Reuters Halth

Ky zbulim i ri tregon se administrimi i IL-1ra, i cili përmirëson në mënyrë të suksesshme funksionimin e qelizave-β te pacientët me diabet tip II, mund të ketë ndikim terapeutik edhe te diabeti tip I. Megjithëse diabeti tip I është një sëmundje e ndërmjetësuar imunologjikisht, shumë pak dihet për lidhshmërinë ndërmjet citokineve dhe funksionimit të qelizave-β dhe kontrollit metabolik.

Në një studim të ri, shkencëtarët evropianë kanë matur vlerat në serum të citokineve pro- dhe anti-inflamatore te 256 pacientë të cilët ishin diagnostikuar me diabet tip I, pas 1, 6 dhe 12 muajsh të diagnostikimit. Vlerat e rritura të IL-1ra shoqëroheshin me stimulimin e C-peptidit të serumit, një marker i funksionimit të qelizave-β, si dhe këto vlera shoqëroheshin edhe me tërheqjen e simptomave klinike te pacientët me diabet tip 1. IL-1ra shoqërohej edhe me përqindjen e BMI (indeksit të peshës trupore), duke mbështetur indin dhjamor si një burim i rëndësishëm i IL-1ra.

Në mënyrë të papritur, grupi studiues kishte vërejtur nivele të zvogëluara të citokinës anti-inflamatore, adiponectin, te pacientët në përmirësim dhe një lidhshmëri negative me C-peptidin dhe glukozën e pranishme në gjak. Adiponectina ishte përcaktuar te pacientët me kontroll të dobët metabolik pas 6 dhe 12 muajsh, dhe kishte pasur lidhshmëri pozitive me hemoglobinën e glikoziluar (A1c). Autorët spekulojnë se kjo mund të jetë pasojë e tendencës kompensuese për të sjellë homeostazën e glukozës.

IL-6, një citokinë pro-inflamatore, shoqërohet me rezistencën në insulinë te pacientët me sindromën metabolike. Shkencëtarët kishin mbetur të befasuar kur kanë vërejtur se IL-6 ishte ngritur te pacientët me kontroll të mirë metabolik pas një muaji (p = 0.009), ndërsa ishte e shoqëruar pozitivisht me vlerën e glukozës në gjak pas 12 muajsh (p = 0.047).

Mbetet të shihet nëse gjenotipet të cilët kanë ndikim te diabeti, janë po ashtu të shoqëruar me këto tipa të citokineve dhe lidhshmërinë e tyre me funksionimin e qelizave-β dhe statusit metabolik. /Telegrafi/