Në vijim të vizitës në Prishtinë, anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të kryesuar nga kryetarja, Klotilda Bushka, dhe zëvendëskryetarja, Dhurata Çupi, zhvilluan takime edhe me institucione të sistemit të drejtësisë.
Në takimin me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gresa Caka-Nimani si dhe bashkëpunëtorë të saj, u diskutua dhe u shkëmbyen pikëpamje e përvoja mbi konsolidimin dhe përmirësimin e legjislacionit për gjykimin kushtetues si edhe për rëndësinë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe ndarjes së pushteteve në sistemin demokratik.
Gjatë vizitës së punës në Prishtinë, anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të kryesuar nga Kryetarja, Klotilda Bushka, dhe zëvendëskryetarja, Dhurata Çupi, zhvilluan edhe një takim në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Anëtarët e Komisionit u pritën nga Dekani i Fakultetit, Prof.Ass.Dr.Avni Puka, Prodekanët dhe profesorë të Fakultetit Juridik.
Në takim u diskutua për rëndësinë e nismave të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë si edhe vlerën dhe dobinë e pjesëmarrjes dhe kontributeve të Fakulteteve Juridike të Universitetit të Prishtinës dhe të Tiranës si edhe të komuniteteve akademike e kërkimore-shkencore në nismat dhe programet e përbashkëta midis të dy vendeve.
Gjatë takimit u diskutua në mënyrë të veçantë dhe u evidentuan disa nga projektet në të cilët mund të përfshihen edhe studentët e fakulteteve juridike nga Prishtina dhe Tirana.
Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, nënvizoi se “mbështetja dhe përfshirja e të rinjve e studentëve në projektet e bashkëpunimit intensiv e të zgjeruar midis qeverive, kuvendeve dhe institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë është thelbësore për këtë bashkëpunim. Përfshirja u krijon të rinjve akses në vendimmarrje dhe kontribuon që bashkëpunimi të konkretizohet me punë dhe nisma konkrete”.
Gjithashtu, anëtarët e Komisionit zhvilluan edhe një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit, gjatë të cilit u shkëmbyen informacion dhe mendime për nismat dhe projektet e përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u takuam me edhe me kryetarin e bashkisë të Prishtinës, Përparim Rama.
Pjesë e vizitës së punës që anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të kryesuar nga Kryetarja, Klotilda Bushka, dhe Zëvendëskryetarja, Dhurata Çupi, zhvilluan në Prishtinë, ishte edhe takimi me Kryetarin e Bashkisë të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Nënkryetaren, Donjeta Sahatçiu.
Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, pasi i uroi kryetarit Rama suksese në detyrën e tij, shprehu gadishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për të nxitur e mbështetur bashkëpunimin midis njësive të qeverisjes vendore të të dy vendeve.
Bushka e ftoi gjithashtu kryetarin Rama për të mbështetur një nismë lidhur me shkëmbimin e juristëve të rinj të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës.
Kryetari i bashkisë së Prishtinës, Rama, falenderoi Bushkën për mbështetjen e bashkëpunimit dhe e mirëpriti propozimin e saj, duke garantuar edhe mbështetjen e tij.
Kryetari Rama i njohu anëtarët e Komisionit me sfidat që po përballon aktualisht dhe vizionin e vendosmërinë për transformimin e qytetit. Rama u shpreh se njerëzit i sheh pa dallime politike a diferenca të tjera dhe se agjenda e tij është e fokusuar në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve./ATSH