LAJMI I FUNDIT:

Analistët: Qeveria nuk ka bërë asgjë për të larguar paragjykimin ndaj produkteve serbe

Analistët: Qeveria nuk ka bërë asgjë për të larguar paragjykimin ndaj produkteve serbe

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka thënë se me ndërtimin e autostradës mes Kosovës dhe Shqipërisë kushtet për transportimin e mallrave nga Durrësi në Prishtinë, janë më të lehta se nga Beogradi në Prishtinë.

“Dikur ka qenë kosto e papërballueshme për bizneset të sjellin mallra nga Shqipëria në Kosovë, ndërsa nga Serbia ka qenë më e lehtë…Është thye miti se transporti është problem për sjelljen e mallrave nga Shqipëria në Kosovë”, tha Demhasaj në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.


Sipas pjesëtarit të shoqërisë civile, shoqëria kosovare ka paragjykuar cilësinë e produkteve serbe.

“Ka ekzistuar një lloj paragjykimi se mallrat që vijnë nga Serbia kanë një cilësi shumë të lartë, duke u bazuar në mallrat që i ka prodhuar Jugosllavia në atë kohë, ku mallrat e prodhuar janë ndarë njëjtë. Sot Serbia prodhon produkte me cilësi të ndryshme që kanë destinacione të ndryshme. Produktet e prodhuara në Serbia kanë destinim Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi apo vendet tjera të rajonit”, tha Demhasaj.

Demhasaj shton më tej se Qeveria deri më tani nuk ka bërë asgjë për të larguar këtë paragjykim ndaj produkteve serbe, por masat e marra së fundi mund të luajnë rol që qytetarët ta kuptojnë se mund të jetojnë edhe pa produkte serbe.

“Ka filluar popullata të vetëdijesohet dhe të kuptoj se cilat janë produktet nga Serbia, pa të cilat mund të jetojnë dhe se ata nuk e kanë ditur se ato kanë ardhur nga Serbia”, shtoi më tej ai.

Nga ana tjetër analisti Ilir Mirena thotë se shteti i Kosovës nuk ofron shëndetësi as ushqim të sigurt dhe sipas tij e vetmja gjë që na jep shteti janë certifikata.

“Shteti i Kosovës po të kishte qenë serioz në bojkotimin e produkteve serbe, qysh para dhjetë vitesh do të ndodhte kjo gjë. Por, klasa politike importuesit më të mëdhenj nga Serbia i ka futur në politikë”, thotë Mirena.

Analisti ka thënë se për shkak të së kaluarës, izraelitët edhe sot bojkotojnë produktet gjermane.

“Deri në vitin 2000 edhe pjesët muzikore të Wagnerit nuk janë lëshuar në Izrael”, tha ndër të tjera analisti Ilir Mirena./Telegrafi/