Please enter at least 3 characters.

Ja cilat janë vendet më të sigurta në botë!

2016/01/ja-cilat-jan-euml-vendet-m-euml-t-euml-sigurta-n-euml-bot-euml_hd.jpg

Në vitin e tij të tetë, ai ka sjellë në listën e vet, renditjen e 162 kombeve të rruzullit tonë, bazuar më së shumti në kriterin e ashtuquajtur “mungesa e dhunës”.Në hyrje të raportit të tij me këtë rast, Instituti për Ekonominë dhe Paqen, thekson se: “Ne po jetojmë në shekullin më paqësor në historinë humane; por sidoqoftë, Indeksi Global i Paqes për vitin 2014, tregon se në shtatë vitet e fundit, është shfaqur një përkeqësim i dukshëm në nivelin e paqes në botë”.Sipas “Global Peace Index”, ja cilat janë 14 vendet që kryesojnë listën e vendeve më paqësore aktualisht në rruzullin tonë e ku ia vlen në çdo rast të jetosh, të punosh apo t’i vizitosh pa pasur frikë.

1. Islanda
Islanda renditet si vendi më paqësor sot në botë, duke e mbajtur veten absolutisht larg konflikteve. Islanda rrallë, apo asnjëherë, nuk ka zënë faqet e para të gazetave, përveç lajmeve për kolapsin që u vu re në sistemin e saj bankar, pak vite më parë. Vendi ka mbetur një destinacion mahnitës për bukuritë e veta natyrore. Turistët nga të gjitha vendet e botës vijnë në Islandë për të parë nga afër vullkanet dhe akujt e saj, si dhe atraksionet e tjera rreth kryeqytetit të vendit, Reykjavik. Për këtë vit, Islanda renditet me plot meritë në podiumin e nderit.

2. Danimarka
Danimarka kryeson listën e vendeve më paqësore në botë, pasi ajo është vërtet një ndër vendet më të sigurta për të jetuar. Edhe kur kryeqyteti i këtij vendi, Kopenhagën, ishte i pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty nuk u regjistrua asnjë betejë. Fakti është se njerëzit që jetojnë në Danimarkë, preferojnë të fokusohen në çështje ekonomike në vend që të përfshihen në konflikte të armatosura. Populli danez është shumë miqësor, mendjehapur dhe solidar.

3. Austria
E preferuar nga shumë turistë, por gjithashtu edhe nga aktivistë të paqes sot në botë. E njohur për neutralitetin e dikurshëm, të cilin vijon ta shfrytëzojë edhe sot e kësaj, edhe pse është anëtar i BE-së dhe shprehet qartë për çështje të caktuara të debatueshme. Sipas “Global Peace Index”, Austria, ky vend i bukur në rrëzë të Alpeve, është edhe një ndër vendet më paqësore sot në botë.

4. Zelanda e Re
Zelanda e Re, një vend përrallor në brigjet e Paqësorit Juglindor, për shumëkënd thjesht fundi i botës, me 1.236 pikë renditet në vendin e katërt në listën e vendeve më paqësore në botë. Me shifra shumë pozitive për sa u përket niveleve të krimit të organizuar dhe krimeve violente, ajo duket se e ka merituar tërësisht këtë vend në renditjen aktuale.

5. Zvicra
Sipas IEP, Zvicra ka një qeverisje të qëndrueshme e shumëfunksionale dhe një kulturë politike shumë mendjehapur e demokratike. Duke ilustruar cilësinë e qeverisjes, Zvicra ka shënuar nivelin më të ulët në destabilitetin politik. Gjithashtu, ajo renditet në vendet më paesore në botë që kanë shifra të ulëta të krimit të dhunshëm. Zvicra është e njohur për neutralitetin e saj në çështjet rajonale a ato ndërkombëtare politike dhe mban marrëdhënie e shfrytëzon kanale diplomatike me shumë vende të botës, duke gëzuar automatikisht pozitat e një negociatori të besueshëm në shumë konflikte.

6. Finlanda

Finlanda konsiderohet si një ndër vendet më paqëore të rruzullit e ku ia vlen me plot gojën të jetosh. Në historinë postmoderne, ajo nuk përmendet për asnjë lloj konflikti. Finlanda është ende vendi që mban më këmbë shërbimin ushtarak e atë civil të detyrueshëm për të rinjtë e vet, dhe pjesëmarrja e vetme e vendit në luftime, ka qenë kur trupat e saj në kuadër të OKB-së janë dërguar si paqeruajtëse në rajone të ndryshme të botës. Kur flasim për Finlandën, nuk duhet harruar kurrsesi niveli i saj i lartë arsimor. Finlanda e vendos arsimin në prioritetet e saj të para. Ky sektor, në nivel botëror, renditet si i pesti më i miri në botë.

7. Kanadaja
Kanadaja, vendi i hapësirave të pamata në Amerikën Veriore, renditet si një ndër vendet më të preferuara për emigrantët e shtresave të mesme e profesionistëve të shumë fushave. Ajo konsiderohet edhe si një ndër vendet më paqësore të rruzullit. Sipas “Global Peace Index”, ajo zë vendin e shtatë në renditje me 1.306 pikë.

8. Japonia
Një ndër vendet më magjepsëse në aspektin kulturor, Japonia ka ekonominë e tretë më të madhe në botë. Që prej Luftës së Dytë Botërore, Japonia ka qenë shumë paqësore, me një përqindje të ulët të krimit dhe konflikteve të brendshme. Vendi ka një forcë ushtarake sigurie të brendshme, në mënyrë që të ruajë paqen e sigurinë. Japonia është një vend sa paqësor, aq edhe mbresëlënës e që të lë pa frymë për nga bukuritë natyrore e gjithmonë ia vlen ta vizitosh. Eksperienca unike që ajo përjetoi me dy bombat atomike në vitin 1945, e kanë shndërruar atë në promotorin më të madh të iniciativave të paqes në botë, e sidomos të fushatave kundër përdorimit të armëve bërthamore.

9. Belgjika
Sipas “Global Peace Index”, Belgjika është një ndër vendet më të mira e më paqësore në Europë e botë. E ndodhur në zemër të Europës, Belgjika zë një vend të veçantë. Brukseli, kryeqyteti i vendit, është gjithashtu edhe shtëpia e Bashkimit Europian dhe selia e NATO-s. Belgjika ka qytete mesjetare, qytete e qyteza të bukura, kështjella të mrekullueshme dhe bukuri natyrore të rralla. Vrasjet dhe burgimet janë në vlera të ulëta në këtë vend, edhe pse Belgjika ka përjetuar krizë qeverisëse e kërcënim separatist në periudhën 2008-2011.

10. Norvegjia
Shumë njerëz ndoshta nuk e kanë pritur që Norvegjia të shfaqej në këtë listë në vendin e dytë, pasi kujtojnë rastin e masakrës së shkaktuar nga Anders Behring Breivik, që nuk vrau vetëm njerëz, por edhe krenarinë e një vendi të tërë. Sigurisht se ai ishte një incident fare i izoluar, por sipas “Global Peace Index”, Norvegjia është gjithsesi një ndër vendet më paqësore për të jetuar në botë dhe gjithashtu shumë miqësor e i sigurt. Norvegjia është vendi me nivelin më të lartë të jetesës në mbarë globin, plus faktit se qeveria e Oslos, gjithnjë e vendos “paqen e sigurinë” në krye të prioriteteve të veta.

11. Republika Çeke
Një vend relativisht i ri, Republika Çeke e fitoi pavarësinë e vet nga Blloku Sovjetik në vitin 1989, falë fitores së “Revolucionit të Kadifenjtë” dhe ndarjes së saj nga Sllovakia, pak kohë më pas. Pas ndarjes në fjalë, Republika Çeke është përqendruar fort në ndërtimin e një ekonomie të tregut dhe krijimin e një klime stabile për investime. Në 2009, “Human Development Index” ose HDI, e vlerësonte Republikën Çeke si një vend me zhvillim të lartë human. E rizbuluar për cilësitë e kryeqytetit të vet, Pragës, dhe bukurive të tjera natyrore, Republika Çeke shënon çdo vit turistë në rritje, nga të gjitha vendet e botës.

11. Suedia
Një ndër vendet më të bukura skandinave, Suedia shtrihet në skajet veriore të Europës. Megjithëse Suedia është një ndër ekspertuesit më të mëdhenj të armëve në Europë, vendi ka një nivel shumë të ulët të vjedhjeve (vetëm 9,000 në vit) krahasuar me atë të SHBA-së (rreth 350,000 në vit). Sipas “Global Peace Index”, Suedia është një ndër vendet më paqësore në botë, pavarësisht faktit që përmendëm më sipër – prodhimin e eksportin e armëve. Suedia nuk ka marrë pjesë në ndonjë luftë për thuajse dy shekujt e fundit. Ajo ndan pikë të barabarta me Republikën Çeke në vlerësimin e “Global Peace Index”, me 1.381 pikë, duke ndarë së bashku vendin e njëmbëdhjetë për këtë vit.

13. Irlanda

Me sitet e saj të pasura historike, peizazhet e mrekullueshme plot gjelbërim, si dhe njerëzit e saj shumë mikpritës, nuk është surprizë që Irlanda renditet ndër vendet më paqësore sot në botë! Irlanda është në përgjithësi një vend interesant me një seri arsyesh për ta vizituar! Është e pasur në histori letrare, kodra që shpesh mbi shpatulla mbajnë kështjella mesjetare të mrekullueshme, një vijë bregdetare të mrekullueshme dhe një mikpritje tradicionale që e bëjnë atë një vend të rrallë e që ia vlen ta vizitosh në çdo kohë të vitit. “Global Peace Index” e ka vendosur atë për këtë vit, në një nga vendet kryesorë të listës së vet.

14. Sllovenia
Një vend i bukur europian, Sllovenia renditet ndër vendet më paqësore të botës. Sllovenia fitoi vendin më të mirë në renditjen e OKB-së për misionet e paqes në botë, numrin e policëve dhe zyrtarëve të sigurisë, nivelin e perceptimit të kriminalitetit në shoqëri, numrin e konflikteve të brendshme të organizuara, protestave të dhunshme dhe numrin e luftërave e konflikteve të brendshme e të jashtme të luftuara. Me qytete si Maribori dhe Ljubljana, ajo përfaqëson edhe një kulturë të veçantë, duke e bërë në tërësi Slloveninë, një destinacion turistik fantastik.

Cili është vendi më i pasigurt dhe ku renditet Shqipëria?

Por lista, siç e theksuam edhe në fillim, përmban 162 vende e pas Sllovenisë vijojnë me radhë Australia, Butani, Gjermania, Portugalia, Sllovakia, Holanda, Hungaria, Katari, Polonia etj. Në raportin e “Global Peace Index”, Shqipëria renditet në vendin e 65-të për sa i përket nivelit të paqes e sigurisë në vitin 2014, dhe në raport me fqinjët e vendet e tjera në rajon, ajo zë vendin e pestë. Bie në sy fakti se në raportin e fundit të “Global Peace”, Shqipëria ka fituar 4 vende nga viti i kaluar, ku renditej e 69-a në nivel botëror, duke arritur nota pozitive.

Sidoqoftë, ajo renditet një vend me poshtë Kosovës, e cila sipas këtij raporti, konsiderohet me siguri më të lartë se sa vendi “amë” i shqiptarëve. Siria renditet si vendi më i pasigurt në botë, i pasuar nga Afganistani, Sudani Jugor dhe Iraku. Në rajonin e Ballkanit, vendet më të sigurta vlerësohen Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi. Greqia dhe Maqedonia, konsiderohen si vende më pak të sigurta në rajon.

Listës së vendeve me paqe të përkeqësuar në botë, u janë shtuar Sudani Jugor, Republika e Afrikës Qendrore, Egjipti dhe Ukraina, kjo e fundit me një kapërcim shumë të ndjeshëm nga lista e një viti më parë, për shkak të konfliktit të fundit në lindje të vendit.