Ftesë me 500 vjet vonesë
Në nëntorin e kaluar, ministri i Drejtësisë së Spanjës, Alberto Ruiz-Gallardon, njoftoi se qeveria ka në plan të japë me procedurë të përshpejtuar nënshtetësinë për trashëgimtarët e bashkësisë së hebrenjve, të njohur si hebrenjtë sefardikë.
“Në udhëtimin e gjatë, Spanja ka marrë përsipër të ri-zbulojë një pjesë të vetes, por në shumë pak raste kemi ditë kaq prekëse sa sot”, tha ai. Çdokush që mund të dëshmojë se ka origjinë spanjollo-hebraike, tha ai, do të marrë shtetësinë spanjolle.
Lajmi u përhap si rrufe mes hebrenjve sefardikë nëpër të gjithë botën. Sipas Federatës Spanjolle të Bashkësive Hebraike, e cila përpunon aplikimet, ka pasur mbi 6 mijë kërkesa vetëm brenda muajit të parë, përfshirë edhe një anëtar të Kongresit të SHBA-së.
“Reagimi im fillestar ishte që ky qe një moment me të vërtetë emocionues, se ishte një akt për drejtësi”, thotë Doreen Carvajal, një qytetare amerikane dhe reportere për gazetën “New York Times” në Paris, transmeton Express.
“Ishte një koncept romantik për mua. I thashë bashkëpunëtorit tim ‘po mendoj të shkoj dhe të përpiqem ta marr pasaportën, pasi ajo mbyll një udhëtim të gjatë’. Ishte me të vërtetë shumë poetike”, shtoi ajo.
Carvajal u rrit si e krishtere, por disa vite më parë, zbuloi se kishte rrënjë te hebrenjtë sefardikë. Ajo filloi të hetojë dhe në fund gjeti rrënjët e familjes së saj në qytetin Segovia në shekullin e pesëmbëdhjetë, në veri të Madridit. Ajo kishte dokumente të pafundme dhe e detajoi historinë e saj në një libër, “Lumi i harresës: një histori moderne mbijetese, identiteti dhe inkuizicioni.”
Por Carvajal thotë se kur kontaktoi Federatën Spanjolle të Bashkësive Hebraike, mësoi se nuk kualifikohej. Së paku, jo tani për tani. Familja e saj ishte mes një të tretës së hebrenjve spanjollë që u konvertuan në katolicizëm për t’i shpëtuar përndjekjes së inkuizicionit. Tashmë ata njihen si “conversos”.
Kështu, teknikisht Carvajal është trashëgimtare e të konvertuarve. Ajo vetë nuk është një hebreje praktikante. Asaj iu tha se duhet të konvertohet sërish në judaizëm para se të marrë nënshtetësinë spanjolle.
“Kjo më ra si një akt tjetër i të qenët të detyruar. Këtu janë këta njerëz, trashëgimtarët e të detyruarve, të konvertuarit, të cilëve u thuhet se duhet me doemos të konvertohen sërish dhe t’i përkasësh një feje të caktuar. Po çfarë ndodh kur je hebre jofetar?”, theksoi ajo.
Procedura e marrjes së nënshtetësisë nuk ka hyrë ende në fuqi dhe Carvajal mundet që të ketë të drejtën e nënshtetësisë në varësi të hartimit të rregullave finale.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Spanjolle për Bashkësitë Hebraike, Mauricio Toledano, i tha BBC-së se qeveria po punon ende në detajet e skemës dhe kur ligji të propozohet në Parlament, pritet që të specifikojë statusin e të gjithë pasardhësve me origjinë sefardike dhe pavarësisht nëse janë apo jo sot hebrenj, do të mund ta marrin nënshtetësinë.
Në total, rreth 100 mijë hebrenj u arratisën nga Spanja gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë. Disa shkuan në Afrikën e Veriut, por shumica u vendos në superfuqinë ekonomike të kohës, Perandorinë Osmane, e cila në atë kohë shtrihej nga Hungaria në Turqi, e më tutje në jug.
Rreth 90 për qind e hebrenjve që jetojnë sot në Turqi janë sefardikë. Roni Rodrigue, 55 vjeç, një tregtar makinash në Stamboll, sakaq ka aplikuar për pasaportë spanjolle. “Thjesht mendova se kam të drejtë të aplikoj për nënshtetësi, e pra, pse jo.”
Rodrigue nuk ka në plan të lëvizë për të jetuar në Spanjë dhe ka qenë atje vetëm dy herë, por thotë se e ndien lidhjen. Ai është folës i një gjuhe në grahmat e vdekjes, ladino. Është një gjuhë specifike për hebrenjtë sefardikë dhe bazohet në spanjishten e vjetër, me fjalë të huazuara nga hebraishtja dhe nga shumë vende ku kanë banuar që nga ajo kohë.
Prindërit e Rodrigue flisnin ladino me njëri-tjetrin, por kjo gjuhë nuk u trashëgua te fëmijët. Shumica e gjeneratës së re të kësaj popullate po e humbet këtë gjuhë. Por nuk është e pazakontë që hebrenjtë sefardikë të mendojnë për Spanjën me dashuri. “Unë jam ende spanjoll në shpirt dhe në zemër”, thotë një hebre sefardik në Britaninë e Madhe që kërkon të mos identifikohet.
Ai po ndërton një shtëpi në Spanjë, ka blerë tokë, madje edhe një vend ku pret që të varroset. Njësoj si Carvajal, ai ka mbetur i zhgënjyer nga rregullat ekzistuese për marrjen e nënshtetësisë dhe shpreson të përfitojë nga sistemi i ri.
Ai pati aplikuar me sukses për të marrë nënshtetësinë spanjolle disa kohë më parë, por thotë se u tërhoq në çastin e fundit kur mësoi se duhej të hiqte dorë nga nënshtetësia britanike për të përfunduar procedurën, diçka që nuk kishte dëshirë ta bënte. Ligji i ri i propozuar, nëse miratohet, pritet të lejojë dyshtetësinë.
Është i shumë i njohur fakti që përzënia e hebrenjve nga Spanja më 1482 pati efekte shkatërrimtare në ekonominë e saj, shumë prej tyre ishin tregtarë të pasur tekstilesh, bizhuterish dhe bankierë.
“Në atë kohë, sulltani i Perandorisë Osmane raportohet se shprehu habinë sesi mbreti spanjoll, Ferdinandi, po përzinte nënshtetas kaq të mirë, të cilët qenë burim i një pasurie të madhe, dhe po ia jepte pa të keq atij”, thotë Maria Josep Estanyol, një historiane në Universitetin e Barcelonës.
“Sulltani ishte shumë i lumtur që po i pranonte familjet hebraike, të cilat i vlerësonte se do të pasuronin perandorinë e tij.”
Sulltani Bajezid i Dytë i dërgoi me sarkazëm një letër falënderimi Ferdinandit, ku i tha: “Faleminderit që varfërove vendin tënd nga nënshtetasit më të mirë dhe pasurove vendin tim”.
Për shumë dekada ka pasur një lëvizje për të lejuar hebrenjtë sefardikë të kthehen në Spanjë, por mbetet e paqartë se pse qeveria spanjolle ka zgjedhur të trajtojë këtë çështje në këtë moment.
Në teori, pasuria do të rikthehet, por në praktikë, nuk pritet që shumë prej tyre të rikthehen për të jetuar në Spanjë. Është argumentuar se Spanja e bëri këtë ofertë për të zbutur Izraelin, pasi mbështeti Palestinën për një vend anëtar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Sido që të jetë motivi, disa studiues islamikë po e denoncojnë ofertën si të padrejtë. Ata thonë se edhe paraardhësit e tyre u përzunë nga Spanja gjatë inkuizicionit. Por askush nuk po i fton ata të kthehen.
Hebrenjtë sefardikë, që u përzunë nga Spanja, u morën me anije otomane dhe u dërguan më së shumti në Izmir, Kostandinopojë e Selanik. Por një pjesë e tyre zbarkoi edhe në Vlorë. Disa qindra prej tyre qëndruan në Shqipërinë e Jugut dhe morën goditjen e fundit pas Luftës së Dytë Botërore, kur mbi ta rëndoi Tatimi i Jashtëzakonshëm, një tatim për të gjitha kompanitë që u akuzuan se kishin fituar para duke spekuluar dhe duke bashkëpunuar me okupatorët nazifashistë. Greqia ua sekuestroi gjithashtu pronat hebrenjve pas luftës së Dytë Botërore, pasi dhjetëra mijëra prej tyre qenë dërguar të vdisnin në kampet e përqendrimit. /Telegrafi/


