LAJMI I FUNDIT:

“Alarm Profesional” i merret tenderi

“Alarm Profesional” i merret tenderi

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka çuar në rivlerësim tenderin për Furnizim dhe montim të kamerave në semafor dhe në shkolla të Komunës së Prishtinës, duke e shpallur të papërgjegjshëm fituesin e tenderit “Alarm Profesional”. Krejt kjo pasi që kompania “Botek”, pjesëmarrëse në tender është ankuar për një sërë shkeljesh të dispozitave të Ligjit mbi Prokurimin Publik.

Lidhur me pretendimet e Operatorit Ekonomik “Botek”, eksperti shqyrtues ka konstatuar se procedura e ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, si dhe nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë Operatorët Ekonomikë konform nenit 7 të LPP-së.

Ndërsa gjatë prezantimit në seancë, pala ankuese deklaroi se e mbështet raportin e ekspertit shqyrtues, mirëpo nuk është pajtuar me konstatimin e ekspertit që ka të bëjë me garancionin e pajisjeve, të kërkuara nga Autoriteti Kontraktues për 36 muaj.


“Me duhet të deklaroj se kompania e cila ka fituar tenderin ka dy deklarata të garancionit ku jep vetëm 12 muaj garancion në të dyja deklaratat, ndërsa prodhuesi garanton edhe për 2 vjet të tjera, gjë që është në kundërshtim me kërkesat e AK-së, sepse vetë OE i rekomanduar për kontratë, duhet ta japë deklaratën e garancionit të pajisjeve”, ka thënë pala ankuese, shkruan “Zëri”.

Paneli Shqyrtues, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, raportit të vlerësimit të komisionit vlerësues të Autoritetit Kontraktues, shqyrtimit të pikave pretenduese të parashtruesit të ankesës, konstatimeve, analizën konkrete dhe rekomandimin e ekspertit shqyrtues të cekur në ekspertizë, ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues në dosje të tenderit, te specifikimet teknike të detyrueshme është kërkuar Switch 24 porte 10/1Oil OOOMbps dhe 4sfp ports, ndërsa fituesi i tenderit, kompania “Profesional Alarm” nuk e ka plotësuar në tërësi këtë kërkesë të dosjes së tenderit, pasi që ka ofruar Switch 24 porte 10/10/1 OOOMbpsdhe 2sfp ports.

Paneli shqyrtues po ashtu duke u bazuar në shkresat e lëndës konstaton se Autoriteti Kontraktues gjatë vlerësimit të ofertave, nuk e ka respektuar kërkesën e paraparë tek specifikimet teknike ku parashihet që kamerat të mos shpenzojnë energji elektrike më shumë se 4 Watt, ndërsa kompania “Profesional Alarm”, ka ofruar kamerat që shpenzojnë energji elektrike 4.5 Watt.

Përfshirë të gjitha këto Paneli shqyrtues kishte konstatuar se ankesa e kompanisë “Botek”, është e bazuar, pasi që Autoriteti Kontraktues, gjatë ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve, ka rekomanduar për kontratë Operatorë Ekonomikë të papërgjegjshëm, në kundërshtim me nenin 59 të LPP-së, pasi që ky OE nuk i ka plotësuar specifikimet e detyrueshme teknike, si dhe nuk është bërë trajtimi i barabartë i OE ofertues konform nenit 7 të LPP-së. Përfaqësuesi i kompanisë “Botek”, Ilmi Asllani, pjesëmarrës në këtë tender pas vendimit të OSHP-së që tenderi të shkojë në rivlerësim pretendon se do të jenë fitues të këtij tenderi.

“Pjesëmarrës ishim tre operatorë, i pari është shpallur i papërgjegjshëm, tash presim pas rivlerësimit të kemi një përgjigje pozitive për ne. Kjo është procedurë e rregullt, realisht nuk ka shumë punë dhe nuk mund të zgjatë shumë, brenda javës kryhet sigurisht”, ka thënë Asllani.

Ai është shprehur i bindur se ankesa e tyre do të merret parasysh. “Katër pika thelbësore nuk janë përmbushur nga operatori i parë, ne i kemi ankimuar, qartësuar me saktësinë më të madhe dhe nuk ka asnjë dilemë aty”, ka thënë ai duke shtuar se vlera e tenderit është afër 90 mijë euro.

Ndërsa përfaqësues të kompanisë së cilës i është marrë tenderi “Alarm Profesional” thonë se nuk janë të njoftuar për një gjë të tillë. “Nuk kemi asgjë zyrtare, nuk jemi të njoftuar, andaj preferojmë të mos flasim për këtë gjë”, ka thënë Amir Statovci nga kjo kompani. /Telegrafi/