Site icon Telegrafi

Akuza ndaj ushtarit amerikan, planifikoi sulm vdekjeprurës ndaj njësisë së tij

Një ushtar amerikan është akuzuar për organizimin e një plani për sulm masiv ndaj njësisë së tij ushtarake duke i dhënë informacione të klasifikuara një grup okult supremacistësh të bardhë, njoftoi të hënën Departamenti i Drejtësisë.

Ethan Melzer 22 vjeç, dyshohet se u ka dhënë informacione të klasifikuara në lidhje me njësinë e tij, si informacione mbi vendndodhjen, lëvizjet dhe personelit ushtarak, atij që njihet si “Urdhri i Nëntë Këndeve”, thuhej në një njoftim të Departamentit të Drejtësisë.

Zoti Melzer, i cili iu bashkua ushtrisë në 2018 dhe Urdhrit të Nëntë Këndeve në 2019, ua dha këto informacione anëtarëve të grupit dhe një grupi tjetër të lidhur me të, të quajtur “RapeWaffen Division”, menjëherë pasi mësoi në prill të vitit 2020 se njësia e tij me qendër në Evropë, do të zhvendosej në një vend tjetër të huaj, sipas dokumenteve të akuzës prej 14 faqesh që u bënë publike të hënën.

“Melzeri dhe bashkë komplotuesit e tij kishin planifikuar atë që ata e quajtën “sulm xhihadist” gjatë zhvendosjes, me qëllimin për të shkaktuar një numër të madh viktimash”, në mesin e anëtarëve të njësisë ku shërbente”, tha Departamenti i Drejtësisë.

FBI dhe ushtria amerikane e parandaluan komplotin e zotit Melzerit në fund të majit.

Ai u arrestua në Nju Jork më 10 qershor dhe përballet me gjashtë akuza, përfshirë atë për organizimin e një plani për vrasjen e shtetasve amerikanë, që parashikon një dënim me burgim të përjetshëm. Sipas aktakuzës, gjatë një interviste më 30 maj me hetuesit, zoti Melzer kishte rrëfyer rolin e tij në komplot, duke pranuar se “kishte pasur si qëllim që sulmi të shkaktonte vdekjen e sa më shumë kolegëve të tij ushtarakë”.

Urdhri i Nëntë Këndeve (O9A), përshkruhen nga organizata e të drejtave të njeriut “Southern Poverty Law” si “një grupim okult enigmatik Satanik”, me bazë në Britani dhe me bashkëpunëtorë në mbarë botën. Adhuruesit më ekstremistë të grupit reklamojnë sakrificën njerëzore, nazizmin, fashizmin si dhe mitet mbi popullsinë ariane dhe sipas “Southern Poverty Law”, kanë lavdëruar Adolf Hitlerin dhe Osama bin Laden.

Sipas Lidhjes Anti-Denigrim, drejtuesi shpirtëror i grupit, i cili përdor pseudonimin Anton Long, është “një udhëheqës famëkeq neo-nazist nga Britania, me një histori të dhunshme kriminale”.

Vitet e fundit, studiuesit e kanë lidhur Urdhrin e Nëntë Këndeve me një grup të dhunshëm neo-nazist të quajtur “Atomwaffen Division”. Sipas Lidhjes Anti- Denigrim, Atomwaffen “ndikohet nga ide e besime satanike”. /VOA/

Exit mobile version