Site icon Telegrafi

Aktori Gazmend Paja bën ironi pas daljes nga SPAK: Isha për një kafe me prokurorin, pa dashje më mori celularin

Aktori i njohur i humorit, Gazmend Paja, është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme, ku ka qëndruar për disa minuta. Pas daljes nga institucioni, Paja është pyetur nga mediat nëse kishte shkuar atje si aktor apo si investitor strategjik.

Aktori ka zgjedhur të përgjigjet me ironi duke thënë se ishte në SPAK për të konsumuar një lafe me prokurorët.

“Jo, isha me prokurorin në kafe, pa dashje ai mori celularin tim, sot ia solla të tijin dhe mora të timin. Nuk e njoh prokurorin,” tha Paja me humor.

Paja, i njohur për rolet e tij humoristike, është gjithashtu investitor strategjik në bregdetin e jugut të Shqipërisë. Kompania e tij, “Ecotech Energy Services”, në bashkëpunim me kompaninë “Startek”, ka projektuar një investim prej 13.8 milionë eurosh në Dhërmi.

Ai ka përfituar një sipërfaqe prej 133 mijë metra katrorë tokë për të ndërtuar “Dhërmi Resort”, një kompleks luksoz me fokus në turizmin elitar. Ky investim është miratuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

Pjesa e projektit përfshin ndërtimin e vilave dhe një hoteli 5 yjesh në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Ndërkohë, 108 mijë metra katrorë do të përdoren për vilat që do të shiten, ndërsa ky projekt nuk parashikon zhvillime të mëtejshme publike për turizmin në atë zonë.

Exit mobile version