Aeroplanët ushtarakë që zbarkojnë në aeroportin e Kabulit po përdorin dy taktika të ndryshme për të shmangur sulmet e mundshme me raketa.
Kështu raportojnë mediat e huaja, sipas të cilave, aeroplanët ushtarakë të ngarkesave kanë lëshuar “shkëndija që shkojnë larg tyre”, përcjell Telegrafi.
Një gjë e tillë është një kundërmasë ajrore e përdorur nga një aeroplan ose helikopter për të “mashtruar” një raketë tokë-ajër me rreze infra të kuqe (“kërkuese të nxehtësisë”) ose raketë ajër-ajër. Qëllimi është që raketa me rreze infra të kuqe të kërkojë “nxehtësinë e ‘shkëndijave’, e jo atë të motorëve të aeroplanit”.
Gjithashtu, siç thuhet më tej, ata po përdorin ulje përmes “uljeve spirale”.
Një ulje e tillë është një metodë e uljes së një aeroplani që ka për qëllim të minimizojë rrezikun e goditjes nga zjarri kundërajror nga toka gjatë rrugës për në destinacion, përcjell Telegrafi.
Në vend të zbritjes së ngadaltë drejt aeroportit, aeroplani pozicionohet në lartësi të madhe mbi aeroport, pastaj zbret me shpejtësi në një spirale.
Manovra zakonisht kryhet nga pilotët ushtarakë për të shmangur raketat tokë-ajër.
Ndryshe, ditët e fundit, vendet perëndimore kanë shtuar paralajmërimet e tyre mbi mundësinë e sulmeve në aeroport ndërsa përpiqen të evakuojnë njerëzit nga Afganistani.
SHBA dhe Britania e Madhe kanë veçuar ISIS-K, filiali i Shtetit Islamik në Afganistan.
Ministri britanik për forcat e armatosura, James Heappey, paralajmëroi të enjten se një “sulm i afërt, vdekjeprurës” mund të ndodhë në aeroportin e Kabulit dhe se njerëzit duhet të ndalojnë përpjekjet për të arritur në aeroport.
SHBA gjithashtu paralajmëroi amerikanët që të shmangin udhëtimet në aeroportin e Kabulit, duke cituar një kërcënim “specifik” nga ISIS-K.
Disa vende kanë thënë gjithashtu se kanë ndaluar fluturimet evakuuese jashtë Kabulit për shkak të mundësisë për sulme. /Telegrafi/