Karriera muzikore e Adelinës, dikur dhe tash?
Kam filluar të këndoj qysh në moshën 9-vjeçare, kur shpreha dëshirë të këndoja në festivalin “Ylberi”. Aty më përkrahen shumë bashkëpunëtorët, dhe mora çmimin e parë nga publiku dhe atë, Atraksioni i mbrëmjes. Mikpritja e publikut më shtyri dhe më tepër të punoj dhe të bashkëpunoj më bashkëpunëtorët e mi.
Deri më tash kam realizuar shumë këngë dhe video-klipe. Deri sa flas për karrierën time profesionale, për të rritur, kam bërë një video-klip për këngën “Narcizoid”, e cila ishte mjaft e suksesshme në publik, pastaj këngën “Bukuroshi i mamit”, “Whisky” e “Gënjeshtër”.
Adelina dhe festivalet. Ku ke marrë pjesë, çmimet dhe planet për festivalet e ardhshme?
Prej kur kam filluar të kuptoj se kush jam, kam kuptuar njashtu se muzika dhe vallëzimi do të jenë pjesë përbërëse të jetës sime. Isha muzikale dhe vallëzoja bukur – gjëra këto të cilat ende më shoqërojnë, të paktën unë mendoj kështu.
Në moshën 9-vjeçare më treguan për festivalin e fëmijëve, “Ylberi”, festival ky i cili çdo vit mbahet në Maqedoni. Me iniciativën time por edhe të prindërve, u paraqita si pjesëmarrëse me këngën “Ëndrra” ku edhe fitova dy çmime – atë të publikut dhe Atraksioni i mbrëmjes.
Këto çmime ishin vetëm një motivim shtesë për tu paraqitur përsëri në këtë festival, por edhe në festivalet të tjera si: “Kosova Fest”, “Diaspora Fest”, “Festivali Ballkanik”, “Pamkids”, “Slatkite Jabuki”. Mblodha shumë çmime dhe mirënjohje në këto festivale për fëmijë, të cilat ishin motivim të vazhdoja më tej dhe të paraqitesha në festivalin “Nota Fest” – ku për herë të parë këndova këngë e cila u dedikohej të rriturve, dhe me të cilën këngë fitova dy çmime – çmimin e tretë të publikut dhe çmimin e mediave.
Përkrahja e publikut më bëri të vazhdoja të punoja, prandaj e punova këngën “Narcizoid”. Kompozitori i saj është, Robert Billbillov, tekstin e ka shkruar Avni Qahili, ndërsa video-klipi është punuar me produksionin “Tomato”.
Pas realizimit të video-klipit, vazhdova bashkëpunimin me kompozitorin Maki, i cili kësaj herë e kompozoi këngën “Whisky”. Me këtë këngë mora pjesë në “All star show”, i cili u mbajt në Tetovë, në diskotekën “Golden Gate”, ku fitova vendin e parë nga publiku dhe nga juria – ndërsa po ashtu fitova edhe këngën time më të re “Gënjeshtër”nga Jovan Jovanov.
Ndoshta e teprova pak, por ja që kam një të kaluar të dendur, edhe pse me moshë jam vetëm 15-vjeçare. Plane për festivale tjera nuk kam të definuara ende – por mendoj që, së shpejti, do të marrë pjesë në ndonjë festival, ku ia vlen.
Ke marrë pjesë në programet e Vitit të Ri – dhe ku do ta presësh ndërrimin e moteve?
Po kam qenë në shumë xhirime të Vitit të Ri – gati në të gjitha mediumet – dhe është një rast për t’më njohur më shumë. Vitin e Ri do ta pres në sheshin e Shkupit. Pata disa oferta të këndoja në Kërçovë, por vendosa të qëndroj këtu – edhe pse pata dëshirë që këtë Vit të Ri ta pres me familje, po ja që e dua muzikën dhe shpreha dëshirë të këndoj.
Adelina dhe jeta private – çka do të zbuloni për lexuesit tanë?
Po si gjithmonë që them, në jetën private askujt nuk dua t’i ndërhyjë por nuk dua as mua t’më ndërhyjnë dhe nuk preferoj të flas për jetën time private. Hobi kam muzikën dhe notin. Pa muzikë nuk mund të jetoj – nëse njerëzit ushqehen me ushqim unë ushqehem me muzikë. Mësoj në shkollën e mesme të muzikës – jam në vitin e dytë. Si instrument kam pianon ndërsa jam e angazhuar në solo-këndim. Shoqëri nuk kam ndonjë të veçantë – me të gjithë rri, kam shumë shokë e shoqe, dhe çdo ditë vetëm sa shtohet numri i tyre.
Lexuesit i kisha befasuar me një album timin, të cilin mendoj se do ta përfundoj deri kah fundi i pranverës, kur edhe do ta bëj promovimin tim. Nuk dua shumë të flas, po më mirë është të realizoj e mos të premtoj.
Kush kujdeset për pamjen tënde, veshjen…?
Për pamjen time kujdesem personalisht unë – kujdesem mjaft në këtë aspekt. Ndërsa për veshjen time kujdesem unë dhe përkrahësja më e madhe – që do ta kisha falënderuar për gjithë mundin e saj dhe përkrahjen – mami im, e cila është e gjithanshme dhe e dua shumë.
Je sprovuar ndonjëherë në ndonjë spektakël bukurie, manikenizëm apo diçka të ngjashme?
Jo nuk kam reklamuar as nuk jam sprovuar në këto fusha – megjithëse shumë njerëz më kanë ofruar një gjë të tillë.
Për fund. Çka mund të presim prej Adelinës në një të ardhme të afërt?
Po siç thash dhe me lartë, së shpejti një album me një video-klip. Kam edhe shumë plane të tjera, po më mirë le të mbesin surpriza.
Foto & make up: Armend Ramadani