Site icon Telegrafi

A ka interpretim relativ në Kushtetutë

Tek ne në Kosovë, numri i juristëve është i bollshëm – nëse jo më shumë, atëherë në mesataren e rajonit, Ka një Fakultet Juridik publik dhe shumë fakultete private, me plot drejtime juridike, e në anën tjetër ka një ngërç juridik!

Në media, shkrime, artikuj e debate televizive po e dëgjojmë shprehjen ngërç. Në të vërtetë, po del që problemi është juridik, e po kërkohet një zgjidhje politike për ta formalizuar zgjidhjen juridike.

Në gjithë këtë vorbull ekspertësh, deklarime të politikanëve, shkrime e analiza nëpër penale të shumta televizive, po i lejoj vetës për të shprehur një mendim timin, i provokuar nga shpjegime shumë kontradiktore të të njëjtit fenomen.

Në shkencat shoqërore edhe tolerohet formulimi dualist për të njëjtin shpjegim, por vetëm në nivel finesash e spektresh të holla, pa prekur trungun, ose bërthamën e fenomenit. Në një rast të tillë, kur deformohet substanca, zbehet deri në venitje fjala shkencë.

Tashti, ose është shpjegim juridik i dobët, ose ndërhyrje politike e fortë!

Kur bari është më i dobët se virulenca e bakterieve, sëmundja vazhdon, edhe përkeqësohet!

Emëruesi i përbashkët është ngërçi!

Profesionist të fushës, me kompetencë, me spektaklin e uniformës dhe të kamerave, bënë interpretimin. Bënë edhe një shpjegim shtesë. Më pas na doli se interpretimi shtesë na qenka më i rëndësishëm se sa ai kryesori.

Edhe unë po diskutoj të dytin, me të parin nuk po merrem, verdikt profesional. “Zgjedhjen e udhëheqjes të Kuvendit e bën partia ose koalicioni i cili ka dalë i pari në zgjedhje”. Edhe kjo i ”pari në zgjedhje” është me shumë dilema. Ka një prag për të qenë grup parlamentar, sikur që ka një prag për të zgjedhur organet udhëheqëse; ka një prag tjetër për të zgjedh presidentin, ose për të bërë ndryshimin e Kushtetutës. Pra, gjithçka ka një prag për të dhënë efektin e caktuar juridik.

Kaq. Këtu duhet të ndalem, sepse “shpjegimi shtesë” na mëson se interpretimi është i paapeluar, nuk negociohet dhe është përfundimtar.

Bukur!

Duke qenë pa preferencë partiake, në këtë rast shumë neutral, po më provokon një konstatim: nëse X partisë ose koalicionit i takon një e drejtë me Kushtetutë, pse nuk e merr me automatizëm si e drejtë kushtetuese?

Nëse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash morën një vendim në interpretim dhe ky vendim thuhet që është përfundimtar, pse duhet të votohet në Kuvend?
Votimi në kuvend e relativizon skajshmërisht edhe interpretimin, edhe shpjegimin se vendimi nuk negociohet. Vet e drejta e deputetit për të votuar pro, kundër, ose për të mos votuar fare është negociatë në vete.

Është mosdije apo hile?

Shkenca e demanton hilen, mosdija është injorancë!

Të dyja bashkë shkaktojnë ngërç!

 

 

 

Exit mobile version