Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk e kupton pse Qeveria e Kosovës po përplaset me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se me veprimet e veta, ajo po e bën Qeverinë në Beograd të duket si palë e dëmtuar, diçka që ai nuk ka besuar se mund të ndodhte.
Diplomati amerikan i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë mbylljen e strukturave paralele dhe të degëve të Postës së Serbisë në veri, dhe synimet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Sipas tij, nuk është në interesin e askujt që Kosova të ketë mosmarrëveshje me miqtë e vet.
Në intervistën e realizuar në margjina të forumit të sigurisë, Globsec, të mbajtur në Pragë, Fried ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, dhe për qasjen e SHBA-së ndaj rajonit, varësisht kush fiton zgjedhjet presidenciale amerikane, në nëntor.
Radio Evropa e Lirë: Zotëri Fried, Kosova është kritikuar së fundmi nga Perëndimi për hapa të njëanshëm, rreth tentimeve për hapjen e urës mbi lumin Ibër për automjete, për mbylljen e institucioneve paralele, për mbylljen e Bankës së Serbisë në veri të Kosovës. Si i shihni hapat e Qeverisë?
Daniel Fried: I shoh me shumë vështirësi. Pra, nuk e kuptoj pse Qeveria e Kosovës po përplaset me Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Kosovës ka arritur disi ta bëjë Qeverinë serbe në Beograd të duket si palë e dëmtuar. Nuk e kam menduar që kjo do të ishte e mundshme, por ajo e ka bërë. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara po shpërfillen dhe përplasja me miqtë e Kosovës nuk është në interesin e askujt.
Kosovarët nuk kanë nevojë që një amerikan t’iu tregojë që disa njerëz brenda administratës [së ish-presidentit amerikan, Donald] Trump kanë simpati të madhe për Serbinë. Nëse Trump fiton, ajo simpati mund të rikthehet. Nuk shoh asnjë arsye për t’i justifikuar politikat e njerëzve që do të vendosnin presion ndaj Kosovës, pa asnjë arsye, dhe ta mbanin komod Serbinë, kur nuk është në interesin e askujt.
Prandaj, veprimet e Qeverisë së Kosovës janë enigmë për mua. Kam lexuar deklarata të Ambasadës amerikane dhe zemërimi vërehet qartë. Sërish, nuk shoh interes.
Nuk është se kam simpati të madhe për separatistët serbë në veri, apo për njerëzit që e kanë bërë urën çështje të nxehtë. E kuptoj zemërimin. Por, ekzistojnë mënyra si të trajtohet dhe si të mos trajtohet kjo temë. E kam në mendje flamurin e Kosovës. Ai flamur është dizajnuar për t’u dukur si flamuri i Bashkimit Evropian. Yjet në flamur përfaqësojnë popullsinë e Kosovës. Ai nuk është flamur amerikan, është kosovar. Është flamur i mrekullueshëm, i cili tregon se Kosova nuk është krijesë e nacionalizimit etnik, por është vend i të gjithë atyre që jetojnë në të. Kjo është pikëpamja amerikane dhe e Bashkimit Evropian. Prandaj, nuk e kuptoj atë që po bën Qeveria e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Qeveria thotë se po shtrin sovranitetin në veri. Perëndimi, me raste, ka thënë se hapat e Qeverisë janë në përputhje me Kushtetutën, por ka kërkuar koordinim për kohën.
Daniel Fried: Këtu është problemi. Kam qenë shumë ngushtë i përfshirë në pavarësinë e Kosovës. Gjatë administratës [së ish-presidentit amerikan, Goerge] Bush, kam qenë njëri ndër avokuesit më të hershëm, dhe kam negociuar me Bashkimin Evropian dhe me shtetet evropiane, prandaj e di historinë aty. Sipas pikëpamjes amerikane, Kosova është shtet sovran, ka të drejta, por duhet t’i shfrytëzojë ato të drejta në mënyrë inteligjente dhe jo vetëm duke marrë qëndrim të guximshëm, dhe që njerëzit tjerë të bëjnë pastaj punën e vështirë për t’u përballur me pasojat.
Objektivi kryesor është pozita e Kosovës në botë, në Evropë dhe shpresoj në të ardhmen edhe në Bashkimin Evropian. Por, kjo duhet të bëhet në një mënyrë që është e qëndrueshme, dhe jo në një mënyrë që krijon mosmarrëveshje mes Kosovës dhe miqve të saj. Në interesin e kujt është kjo?
Radio Evropa e Lirë: E përmendet Bashkimin Evropian. Shumica thonë se dialogu mes dy vendeve, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka dështuar. Si e shihni këtë, dhe çfarë duhet ndryshuar nën udhëheqësinë e re për ta kthyer atë në binarë?
Daniel Fried: Serbia dëshiron të mbajë një këmbë në Evropë, një këmbë në Rusi, pak lëvizje drejt Kinës. Kjo është lojë e njohur, dhe më duket ide më e mirë që Kosova të mos luajë lojë të ngjashme, por të punojë me Bashkimin Evropian, për të forcuar pozicionin e vet. Po, dialogu mund të ketë vështirësi, mirëpo nëse problemi, sipas Kosovës, qëndron te mosgatishmëria e Serbisë për të pranuar që Kosovën e ka humbur përmes veprimeve të veta, me fajin e vet, atëherë Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për ta bërë të qartë se e ardhmja e vet është me Evropën, dhe shpresoj që një ditë edhe në Bashkimin Evropian, ashtu sikurse Serbia, çka ndihmon në minimizim të këtyre problemeve.
Radio Evropa e Lirë: A besoni që, siç thuhet, Bashkimi Evropian disi po e përkëdhel Serbinë?
Daniel Fried: Mendoj se veprimet e Kosovës po e vështirësojnë nisjen e një bisede të sinqertë me Beogradin, që do të duhej të ndodhte. Më duket se është në interesin e secilit t’i ndihmojë Qeverisë serbe të kuptojë se ka nevojë të rikalibrojë qasjen e vet, mirëpo edhe kjo po vështirësohet kur të gjithë janë të zemëruar me Qeverinë e Kosovës. Është me rëndësi të them se është e dhimbshme, sepse ne kemi pasur një marrëveshje me Kosovën kur kemi punuar drejt pavarësisë, që kosovarët kanë thënë se do të jetojnë “në përputhje me vlerat e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që na kanë shpëtuar”.
Pikëpamja jonë ka qenë që, në rregull, do ta çojmë përpara çështjen e pavarësisë dhe t’i japim fund administratës së Kombeve të Bashkuara, që qartazi nuk ka funksionuar. Kosovarët për shumë vjet e kanë mbajtur atë fjalë dhe e vlerësoj atë. Kanë bërë shumë punë të mira. Unë e kuptoj edhe zemërimin e Qeverisë aktuale të Kosovës, natyrisht.
Ata po përballen me një histori të mizorive të kryera nga nacionalistët serbë dhe Qeveria serbe në kohën më të rëndë. E kuptoj këtë. Ajo nuk harrohet. Prandaj, ku është mençuria e të dëmtuarit të pozitës tënde, dhe ta bësh Serbinë të duket si palë e dëmtuar? Gjithsesi, më falni për sinqeritetin.
Radio Evropa e Lirë: Thoni që nuk e kuptoni çfarë po bën Qeveria. Çfarë atëherë duhet të bëjë? Cila është këshilla juaj për Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti?
Daniel Fried: Janë shumë evropianë dhe amerikanë që kanë njohuri, dhe janë të zemëruar me lojërat që luan Beogradi. Zemra e problemit nuk është Kosova dhe dëshira për sovranitet dhe pavarësi. Zemra e problemit është që Serbia nuk e njeh Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Si duhet të përfundojë dialogu ndërmjet dy palëve?
Daniel Fried: Sido që ta ketë fundin, duhet të ketë njohje reciproke, njohje të Kosovës, si shtet evropian, me të ardhme evropiane, plus – edhe kjo duhet të jetë pjesë e marrëveshjes – që të njihet se serbët në Kosovë nuk janë të huaj, nuk janë jashtëtokësorë të rrezikshëm, të mos ketë asnjë ndonjë element dyshimi apo përbuzjeje, por të shihen si popull përbërës i Kosovës. Është në flamurin e Kosovës.
Dhe, nëse serbët e Kosovës nuk janë rehat me kufirin, përgjigja përfundimtare është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Kufiri zhduket. Është brilante, e thjeshtë. Mbani sytë te shpërblimi: një Kosovë e pavarur, në familjen evropiane, me të drejta për të gjithë banorët e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik për destabilizim nëse dy vendet vazhdojnë t’i bëjnë ato që Perëndimi i konsideron veprime të njëanshme?
Daniel Fried: Po. Nëse ekzistojnë provokime, ato mund të prodhojnë pasoja të këqija. Preferoj që Kosova të ndjekë implikimet e flamurit të vet, duke pasur model atë të BE-së.
Radio Evropa e Lirë: A ka ndikim rus në rajon?
Daniel Fried: Natyrisht.
Radio Evropa e Lirë: Si shtrihet ky ndikim?
Daniel Fried: Kremlini ushqehet me kaos dhe zënka. Nuk e kam studiuar këtë çështje vetë, por nuk dyshoj që dezinformatat ruse, ueb-faqet e rreme, janë duke i rritur tensionet. Për ta ka logjikë, që rusët të nisin thashetheme për kinse mizoritë e Kosovës kundër serbëve, apo për kinse sulmet e reja të serbëve ndaj kosovarëve, vetëm me qëllim të rritjes së tensioneve. Këtë e duan.
Radio Evropa e Lirë: Mënyra më e mirë për ta luftuar këtë ndikim?
Daniel Fried: E vërteta dhe proceset politike, që nënkupton që kur ka thashetheme, Qeveria e Kosovës thërret njerëzit e vet, që u beson, dhe që mund të punojnë me komunitetin serb, për t’i treguar që ato që dëgjon nuk janë të vërteta. Apo, që komuniteti serb të mund t’i thërrasë kosovarët dhe t’i pyesë së çfarë po ndodh dhe ta marrin vesh shpejt të vërtetën. Është më e lehtë ta thuash, sesa të veprosh, apo jo? Por, mund të bëhet.
Radio Evropa e Lirë: Si e keni parë vizitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns në rajon?
Daniel Fried: Nuk i di hollësitë e vizitës, e njoh Burnsin për shumë vjet. Ai është person i mençur dhe i kujdesshëm. Ai është praktik, i qetë, u qaset thellësisht problemeve. Kam shumë besim në të.
Radio Evropa e Lirë: A e njihni të dërguarin e ri amerikan për Ballkanin, Alexander “Sasha” Kasanof. Çfarë mund të pritet prej tij?
Daniel Fried: Natyrisht që e njoh. Është njeri solid. Këta janë njerëz, me të cilët kam punuar për vite. Janë diplomatë të mençur, me përvojë. Janë të regjur, dhe do të tregojnë kreativitet në taktika, në shërbim të synimit strategjik që tentova të shpalos.
Radio Evropa e Lirë: Për fund, na tregoni dy skenarët për Ballkanin Perëndimor, nëse fiton kandidatja e demokratëve Kamala Harris dhe nëse fiton kandidati i republikanëve, Donald Trump për president të SHBA-së?
Daniel Fried: Administrata e kaluar Trump është dukur e favorshme drejt Serbisë dhe jo për arsye të drejta. Për arsye të njëjta duket se e ka pasur një vend të ngrohtë për [presidentin rus, Vladimir] Putinin. Nuk e kuptoj. Për arsye të njëjta duket se ka qenë përçmuese, nëse jo armiqësore, ndaj Bashkimit Evropian dhe e prirë për veprime të njëanshme, që nuk mendoj se është politikë e mençur dhe as nuk është produktive.
Një administratë e Harrisit do të ishte më e gatshme për bashkëpunim me Evropën, me qëllim që t’i ndihmojë Kosovës të sigurojë njohjen e plotë në Evropë, dhe t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë dhe që të gjejë vendin e vet në Bashkimin Evropian.
Duke gjykuar ekipin e saj, të paktën Phil Gordon, e njoh shumë mirë për ta ditur që aty do të ishte pika fillestare dhe shpresoj që Qeveria e Kosovës do t’ia lehtësonte dhe jo vështirësonte punën. Nuk është e lehtë, sepse Serbia e ka një politikë të revanshizmit, shfrytëzimit të elementëve nacionalistë dhe ndjenjën e viktimizimit, ndonëse ajo ka qenë e padrejtë ndaj tjerëve. Pra, Serbia ka punë të madhe për të bërë, por tani Kosova po e vështirëson situatën edhe më shumë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDarka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Pacolli: Runa Zot nga ministrat hajna, gënjeshtarë dhe kontravers!
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë - Podujevë
Fermeri shqiptar synon rekordin Guinness me vargun më të gjatë të qepëve
Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë