LAJMI I FUNDIT:

Rama: 2030-a të na gjejë gati për t’u ulur në tryezën e BE-së

Rama: 2030-a të na gjejë gati për t’u ulur në tryezën e BE-së

Kryeministri Edi Rama siguroi sot se Shqipëria në arenën ndërkombëtare do të vijojë të forcojë profilin e partnerëve të padyshimtë dhe miqve të palëkundur.

Në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, Kryeministri theksoi se “aleancat tona strategjike janë të qarta si drita e diellit dhe po ashtu miqësitë tona tradicionale janë të njohura”.

“Jemi profilizuar dhe do të vijojmë të forcojmë profilin e partnerëve të padyshimtë dhe miqve të palëkundur. Natyrisht duke qenë në këtë pjesë të Europës që ka një trashëgimi jo të lehtë lëmshi të marrëdhënieve, historive e interesave nuk është gjithmonë e lehtë.
Fjala vjen. Ne jemi miq tradicional të Turqisë e të Greqisë, sa për të sjellë një shembull. Për ne këto janë dy miqësi shumë të rëndësishme por në të njëjtën kohë për ne është e shkruar e zeza mbi të bardhë, qysh në krye të herës në programin tonë qeverisës dhe është bërë pjesë e rendit të ditës së politikës sonë të jashtme, qoftë Turqia, Greqia së bashku me e Italinë janë partnerët tanë strategjik”, shtoi Rama.


Kryeministri nënvizoi se Shqipëria është vend i vogël dhe vetëdija e përmasës është shumë e rëndësishme për të ruajtur modestinë, por dhe për të kuptuar në vijimësi domosdoshmërinë jetike për t’u rritur e fuqizuar si shtet e si komb.

Rama: Shqipëria mirëpret Samitin e Komunitetit Politik Evropian vitin tjetër dhe Samitin e NATO-s në vitin 2027
Lexo po ashtu Rama: Shqipëria mirëpret Samitin e Komunitetit Politik Evropian vitin tjetër dhe Samitin e NATO-s në vitin 2027

“E për këtë është po kaq e rëndësishme të ruhemi nga humbja e sensit të përmasës sonë që në të shkuarën ka shkuar në eksese të padëshirueshme të shoqëruara me daullet e nacionalizmit folklorik dhe i ka kushtuar Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, shtoi ai.

Po ashtu e rëndësishme, sipas Ramës, është “që të ruhemi nga kompleksi i inferioritetit për shkak të kësaj përmase pasi nuk kemi asnjë arsye, as për të parën e as për të dytën”.

“Të dyja kanë qenë dy ngjyra që në mënyrë të vazhdueshme kanë përcaktuar dhe e kanë dëmtuar pozicionin tonë ndërkmombëtar e politikën tonë të jashtme. Për t’u rritur e fuqizuar e për të vazhduar të ushqejmë respekt, prestigjin tonë duhet të flasim me qartësi e respekt me aleatët e miqtë tanë, por të pretendojmë të njëjtën qartësi dhe respekt nga aleatët e miqtë tanë. Kjo është shumë e rëndësishme e kjo është edhe një nga arsyet që na ka ndihmuar që sot të jemi në një pozicion tjetër, që në tërësi kur flitet për Shqipërinë nuk flitet për një vend në hije apo me hije”, tha Rama.

Sipas tij, “kur Shqipëria përmendet në korridoret, zyrat apo auditoret e politikës ndërkombëtare ka tjetër tingull emri i saj”.

“E dimë shumë mirë që viti 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë për t’u ulur në tryezën e BE-së si anëtarë të barabartë të familjes europiane. Kjo është detyra jonë. E dimë shumë mirë që ulja në atë tryezë sa është një proces i përmbushjes së të gjitha kritereve dhe detyrave është edhe një proces vendimmarrjeje politike, por çfarë na takon ne si në aspektin politik edhe në aspektin teknik është 100% e qartë. Ne duhet të jemi gati. Është shumë më e lehtë të thuash e shumë më e vështirë ta bësh sepse kërkon që gjithçka që kemi bërë deri tani ta konsiderojmë një stad ku mund dhe duhet të ngjitemi në një nivel të ri”, tha Rama.

Për këtë arsye, Kryeministri kërkoi që “trupi ynë diplomatik të ngjitet në një nivel të ri”.

“Ngjitja në një nivel të ri sot unë besoj është plotësisht e mundur duke shfytëzuar një eksperiencë shumë të pasur që ka ky komunitet. Shembujt e shkëlqyer që janë përfaqësues të këtij komunieteti, duke shfytëzuar edhe momentin transformues të Shqipërisë”, shtoi ai. /Telegrafi/