LAJMI I FUNDIT:

“Më mirë për Tetovën”: Partitë politike pengojnë pjesëmarrjen në zgjedhje të listave të pavarura

“Më mirë për Tetovën”: Partitë politike pengojnë pjesëmarrjen në zgjedhje të listave të pavarura

Nisma “Më mirë për Tetovën” përmes një konference për media ka shprehur revoltën e saj për veprimet e partive në Kuvend, të cilat janë për ndryshime ligjore, të cilat, sipas tyre, pengojnë pjesëmarrjen e listave të qytetarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale.

Nga MMPT thanë se pragu për mbledhjen e nënshkrimeve për listat e pavarura të qytetarëve tani po rritet dhe po e vështirëson pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

“Ato ndryshime ligjore rrisin pragun për mbledhjen e nënshkrimeve për listat e pavarura të qytetarëve dhe vështirësojnë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Partitë politike i referohen rekomandimeve të OSBE/ODIR-it për demokratizim dhe barazi në zgjedhje, ndërsa me këto ndryshime po ndodh krejt e kundërta: nismat e qytetarëve diskriminohen në favor të partive politike. Këto ndryshime ligjore janë propozuar nga VMRO-DPMNE, LSDM, BDI (Arbër Ademi) dhe Aleanca për Shqiptarët (Adnan Neziri). Propozimi fillestar u pranua fshehurazi nga partitë opozitare. Ky akt i përbashkët i partive politike nxjerr në sipërfaqe standardin e dyfishtë të partive politike që paraqesin veten si “armiq të shqetësuar” në opinion, por gjithmonë kanë gjetur mënyrën për të bashkëpunuar kur “territori” i tyre kërcënohet””, tha Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën”.


Nga nisma u drejtuan disa pyetje disa deputetëve, a i kanë lexuar ndryshimet në ligj dhe a mund të shpjegojnë pse i kanë mbështetur këto ndryshime diskriminuese ndaj nismave të qytetarëve?

“Për të ashtuquajturin “Fronti evropian” i udhëhequr nga BDI-ja është i kuptueshëm një qëndrim i tillë ndaj nismave të qytetarëve, pasi për dallim nga kuazi-opozita, vetëm aktivistët civilë ishin ata që kundërshtuan me vendosmëri politikat e dëmshme të BDI-së. Hipokrizia më e madhe është se këto ndryshime ligjore janë mbështetur edhe nga dy deputetë të koalicionit “Vlen”, deputeti Kastriot Rexhepi dhe deputetja Safije Sadiki Shaini. I pyesim liderët e partive politike të deputetëve të opozitës që votuan pro, Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike dhe Afrim Gashi nga Alternativa, nëse ka pasur koordinim paraprak me partitë në pushtet për këtë qëndrim diskriminues ndaj nismave të qytetarëve? Pyesim koalicionin “Vlen” se cili është qëndrimi i tyre ndaj nismave të qytetarëve. A i shohin ata si armiq sikur BDI-ja”, tha Agron Arifi.

Ai shtoi se ndryshimet e reja kërkojnë që nismat e qytetarëve në qytetet e mëdha si Tetova të mbledhin 850 nënshkrime, që është pothuajse e barabartë me numrin e nënshkrimeve të nevojshme për themelimin e një subjekti politik, për të cilin nevojiten 1000 nënshkrime. Për ta ky kusht është i papranueshëm, haptazi diskriminues dhe procedurë antievropiane.

“Për këtë arsye kërkojmë ndryshime ligjore si më poshtë: maksimumi 50 nënshkrime për një kandidat të pavarur, leje për mbledhjen e nënshkrimeve në terren dhe jashtë ambienteve të KSHZ-së, zgjatje e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve në 30 ditë, leje për emrin e listës së pavarur në listën zgjedhore, leje për qasje të kandidatëve të pavarur në listën zgjedhore”, theksoi Arifi.

Ai konstatoi se ndryshimet e reja ligjore reduktojnë aktivitetin hapësinor të iniciativave të pavarura civile dhe i detyrojnë ato të organizohen në formën e partive politike.