LAJMI I FUNDIT:

Zelensky për AP News: Rusia mund t’ua mësyjë edhe vendeve të NATO-s

Zelensky për AP News: Rusia mund t’ua mësyjë edhe vendeve të NATO-s

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se është i shqetësuar se lufta Izrael-Hamas do të errësojë konfliktin me të cilin po përballet vendi i tij me Rusinë.

Në një intervistë ekskluzive me Associated Press, presidenti Zelensky tha se lufta Hamas-Izrael mund të tërheqë jo vetëm vëmendjen, por edhe burimet nga Ukraina, ndërsa lufton për të mposhtur një pushtim rus, transmeton Telegrafi.

“Vëmendja shkon barabartë me ndihmat. Asnjë vëmendje nuk shkon edhe pa ndihma”, tha presidenti ukrainas. “Ne luftojmë për çdo pjesë të vëmendjes”.


Një sondazh i fundit i AP News supozoi se pothuajse e gjysma e amerikanëve mendojnë se Ukraina tashmë po merr shumë para nga SHBA-ja, dhe kjo përfshin disa ligjvënës republikanë të SHBA-së.

Presidenti ukrainas tha se e kupton që amerikanët po përballen me një zgjedhje të vështirë kur bëhet fjalë për Ukrainën, por ai tha për AP News se pasojat nga mos-mbështetja amerikane për Ukrainën mund të jenë të ashpra dhe forcat amerikane mund të vendosen në Evropë. Pa mbështetjen e SHBA-së, Zelensky tha: “Rusia me shumë gjasa mund të pushtojë vendet e NATO-s dhe më pas fëmijët amerikanë do të luftojnë”.

Ndryshe, Zelensky javë më parë pati deklaruar se Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi, për të larguar vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

“Sot të gjithë po diskutojnë për krizën në Lindjen e Mesme. Por siç kam thënë, nuk është problem i djeshëm, por as nga pardje. Të gjithë e dinë këtë konflikt të vazhdueshëm, por askush nuk dëshiron t’i japë fund. Konflikti në Lindjen e Mesme, prapa saj qëndron Rusia, jemi të sigurt se këtë po e bën me aleatin e saj – Iranin”, pati thënë ai para gazetarëve afrikanë.

Zelensky kërkoi që t’i kushtohet vëmendje Ballkanit, pasi tha posedon informacione për plane keqdashëse të Rusisë.

“Kushtoni vëmendje Ballkanit. Më besoni, kemi informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme do të jetë Ballkani, e nëse vendet e botës nuk ndërmarrin diçka, do të ketë një shpërthim të tillë. Kjo është arsyeja pse Rusia do të sigurohet se një vend i Ballkanit (të jetë) në luftë me një tjetër”, potencoi presidenti ukrainas. /Telegrafi/