LAJMI I FUNDIT:

Eskobar: Bullgaria siguron se nuk do të ketë kushte tjera për RMV-në

Eskobar: Bullgaria siguron se nuk do të ketë kushte tjera për RMV-në

Zv/Ndihmësi Sekretar Amerikan i Shtetit i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, gjatë një interviste telefonike për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedone, ka theksuar se kolegët bullgar e kanë bindur se nuk kanë qëllime për të vënë kushte tjera për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.

“Bullgaria dëshiron të sheh progres të udhërrëfyesit. Dhe, duam të jemi të sigurtë se mund të punojmë me të gjitha palët që të sigurohemi se kushtet janë përmbushur. Por, kjo duhet të bazohet në fakte dhe në obligimet ekzistuese që të sigurohemi se RMV-ja mund të lëviz përpara në procesin aderues”, ka thënë diplomati amerikan, Gabriel Escobar.

Diplomati amerikan, siç percjell KlanM, ka theksuar se nuk posedon informacione për negociata të mundshme dhe “pazare” për ndryshimet kushtetuese midis Qeverisë dhe ish-Kryeministrit Nikola Gruevski, sic kishte deklaruar për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemajnë Cajtung”, lideri I OBRM-së, Hristijan Mickoski.


Eskobar, i ka komentuar edhe shqetësimet se ndryshimet kushtetuese mund të votohen në llogari të cënimit të sundimit të së drejtës dhe se zvogëlimi i dënimeve me burg për funksionarët është bërë me qëllim që të sigurohen votat për ndryshimet kushtetuese.

“Nuk do të spekuloj për ndodhitë në planin e brendshëm. Këtë duhet ta vendos RMV-ja. Duhet të vazhdojnë reformat që nevojiten për anëtarësim në BE. Ky duhet të jetë qëllimi i RMV-së, e jo për përfitime vendore politike. Ne do të vazhdojmë të jemi afër njerëzve që dëshirojnë reforma dhe që duan t`i përmbushin kërkesat evropiane”, tha Escobar.

Në intervistën telefonike për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedone, diplomati amerikan Gabriel Eskobar, ka theksuar se problem më I madh në Ballkanin janë sfidat me sundimin e së drejtës dhe korrupsionin.

Ai ka bërë të ditur se sanksionet e SHBA-së kundër aktorëve të korruptuar janë mjaft efektive dhe se mund të priten më tepër edhe sanksione tjera.