LAJMI I FUNDIT:

Zbardhet vrasja në Shkodër, 70-vjeçari dyshohet se u vra nga fqinji dhe u hodh në kanal

Zbardhet vrasja në Shkodër, 70-vjeçari dyshohet se u vra nga fqinji dhe u hodh në kanal

Një ditë më parë u raportua gjetja e një trupi të pajetë në fshatin Boks në një kanal vaditës dhe sipas komunikatës së policisë raportohej për vdekje natyrale.

Policia e Shkodrës ka zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe pas marrjes në pyetje të personave dhe këqyrjes së viktimës, dyshohet se Musa Bajraktari është goditur me sëpatë nga fqinji i tij dhe ka humbur jetën.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Xhemal Zeqiri i cili është fqinj me viktimën dhe është arrestuar nga policia e Shkodrës . Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobta.


“Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 19.10.2023, në fshatin Boks, Shkodër, ku në një kanal u gjet trupi i pajetë i shtetasit M. B., 70 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për të cilin paraprakisht u dyshua se e kishte humbur jetën, prej shkaqeve natyrale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ata të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, për të cilën u vu në pranga shtetasi: Xh. Z., 60 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për veprën penale “Vrasja me dashje”, njofton policia.

Nga provat e siguruara dyshohet se 60-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (sakicë), në kokë, shtetasin M. B., i cili për shkak të goditjes, ka rënë në kanalin e fshatit Boks, ku u gjet i pajetë më pas.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (sakicë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/