LAJMI I FUNDIT:

Atentat në Dukagjin të Shkodrës, vritet babai dhe plagoset djali

Atentat në Dukagjin të Shkodrës, vritet babai dhe plagoset djali

Një atentat me armë zjarri ka lënë të vrarë babin dhe ka plagosur djalin. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shosh të Dukagjinit.

Sipas policisë, viktima është Zef Guri, ndërsa i plagosur djali i tij Gjin Guri. Ky i fundit u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Policia u njoftua për ngjarjen përmes një telefonate në orën 18:45.

Raportohet se shërbimet e policisë nuk kanë mbërritur ende në vendngjarje për shkak të zonës së thellë malore. Për këtë arsye drejt vendngjarjes është nisur një helikopter i policisë.


I plagosuri Gj.Guri rezulton person me precedent penal.

Ai është akuzuar se ka qenë një nga personat që qëlloi me armë drejt helikopterit të policisë në fshatin Shosh të Dukagjinit gjatë një aksioni antikanabis disa vite më parë. Gj.Guri u arrestua nga policia në Shtator 2015.

Pas daljes nga burgu, Guri vijoi aktivitetin në lokalin e tij, ndërsa bën edhe transport pasagjerësh me furgon në linjën Shkodër-Dukagjin dhe anasjelltas.

Nëntorin e vitit 2021, Gj.Gurit iu vendos një sasi tritoli tek lokali i tij në Shosh.

Njoftimi i Policisë së Shkodrës

Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gj. G. dhe Z. G.

Shtetasi Gj. G. po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Z. G. ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja.

Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma.

Me mbërritjen e shërbimeve dhe grupit hetimor, në vendngjarje, dhe pasi të sqarohen rrethanat e ngjarjes, do të ketë një njoftim tjetër./TV Klan/