LAJMI I FUNDIT:

Osmani udhëton për në SHBA, merr pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së

Osmani udhëton për në SHBA, merr pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për New York për takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme.

Presidenca njofton se Osmani ka udhëtuar për në New York, ku në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.

“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, thuhet në njoftim.


Më tej, në njoftim thuhet se presidentja gjatë vizitës së saj do të flasë për zhvillimet në Kosovë.

“Përgjatë kësaj vizite, Presidentja në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate. Përveç takimeve, Presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA”, vijon komunikata.

Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA. /Telegrafi/