LAJMI I FUNDIT:

Guri me mbishkrimin ilir në Shkup, çfarë rëndësie historike ka për shqiptarët?

Guri me mbishkrimin ilir në Shkup, çfarë rëndësie historike ka për shqiptarët?

Skender Asani nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve fol për gurin me mbishkrimin ilir në Shkup.

Rëndësia historike e këtij guri lidhet me mbishkrimet.

“Është emri Skupi, që do të thotë vetëm pasardhësit e tyre shqiptarët e shqiptojnë ashtu si duhet, siç është themeluar,” – u shpreh Asani i cili shpjegoi se në gjuhën latine mungon gërma “sh” dhe në alfabetin shqip, Skupi i shkruar në gur lexohet Shkup.


Në gjuhën maqedonase Shkupit i thonë Skopje.

“Rëndësia tjetër historike është Dardania, si rajon, si mbretëri. Kjo flet për kompaktësinë historike edhe të emrit të Dardanisë dhe Shkupit,” – tha Asani në një intervistë për Euronews Albania.

Ndërkaq, zbulimi  i këtij guri që po konsiderohet i rëndësishëm për dokumentimin e historisë ilire të Shkupit po shkakton shumë reagime.

“Në mbishkrimin që u bë aq shumë i famshëm shkruan se i ndjeri është Epikrati, e ka shënuar edhe shoqen e tij edhe tre djemtë e tij, djali i tretë e ka emrin Dardanus, kjo është pra gjithë ajo që e bëri famën deri sa nuk na erdhi përkthimi. Për atë arsye kërkoj nga qytetarët të kenë durim, deri sa të kryhen të gjitha punimet,hulumtimet shkencore, për atë e them se duhet të ketë një përmbledhje të gjithave arte-faktet të ruhen, qofshin ata të vogla ose nurizmatike”, tha Arian Asllanaj nga drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike.

Zona është pronë private, e megjithatë ndërtimi aty është ndaluar, ndërkohë që hapësira do të studiohet nga arkeologët.

“Derisa nuk mbaron punë qendra konservatore e qytetit të Shkupit, nuk fillon ndërtimi i çfarë do qoftë objekti në këtë vend- banim, kështu që sipas institucioneve të cilët jemi bashkërisht të gjithë këtu, të gjitha procedurat ligjore janë përmbushur dhe nuk bëhet fjalë për asnjë tjetërsim të çfarë do qoftë artefakteve të trashëgimisë kulturore të cilit do qoftë komunitet në vend”, tha zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Shkupi Antik është themeluar në kohën e bronzit dhe përgjatë gjithë kohës ka qenë një vendbanim i rëndësishëm për të gjitha kulturat që kanë sunduar në Ballkan.

Qyteti ka qenë edhe kryeqendër e Dardanisë, një mbretëri e rëndësishme ilire.