LAJMI I FUNDIT:

Learta Hollaj emërohet zëvendësshefe e stafit të kabinetit të Presidentes  

Learta Hollaj emërohet zëvendësshefe e stafit të kabinetit të Presidentes  

Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar Learta Hollaj, zëvendësshefe të stafit të kabinetit.

Hollaj ka qenë fillimisht e angazhuar si këshilltare kryesore për zhvillim të qëndrueshëm dhe partneritet.

Ajo ka mbuluar portfolion e energjisë, politikave mjedisore e zhvillimore, politikën e jashtme, si dhe projekteve e iniciativave në fushën e barazisë gjinore duke promovuar vazhdimisht partneritetin dhe bashkëpunimin me akterë relevant në fushat përkatëse.


Learta Hollaj ka udhëhequr organizimin e edicionit të parë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ndërsa aktualisht poashtu udhëheq punën në një prej tri shtyllave të zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci e cila fokusohet në avancimin e të drejtave të njeriut përmes promovimit të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes.

Hollaj iu bashkua ekipit të Presidentes Osmani në vitin 2020 si këshilltare politike e kryetares së Kuvendit, e para kësaj ishte anëtare aktive e shoqërisë civile dhe punonte në hartimin e politikave në fushën e energjisë, mbrojtjes së ambientit, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm në përgjithësi.

Learta Hollaj studimet Bachelor i ka përfunduar në RIT Kosova, ndërsa studimet në nivelin master i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest.

Hollaj merr rolin nga Artan Murati i cili ka mbajtur këtë pozitë deri më tani.

Presidentja Osmani ka falënderuar Artan Murati për punën dhe kontributin profesional, ndërkaq i ka uruar sukses në rrugëtimin e tij të ardhshëm profesional. /Telegrafi/