LAJMI I FUNDIT:

Mariçiq: Vendet e Ballkanit Perëndimor e dinë rëndësinë dhe potencialin e bashkëpunimit rajonal

Mariçiq: Vendet e Ballkanit Perëndimor e dinë rëndësinë dhe potencialin e bashkëpunimit rajonal

Ballkani Perëndimor di të jetë promotor i sistemit evropian të vlerave dhe është i vendosur të ecë drejt anëtarësimit në BE, thekson zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, i cili është pjesë e delegacionit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, që sot merr pjesë në takimin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Procesi i Berlinit po merr një vrull të ri dhe periudha e ardhshme do të japë shumë përgjigje për drejtimin në të cilin duhet të lëvizin vendet e Ballkanit Perëndimor dhe si të kapërcejnë me sukses sfidat dhe të arrijnë anëtarësimin në BE. Në rrethana të tilla komplekse gjeopolitike, procesi i Berlinit hap një shans të ri për dinamikë të mirë të integrimit evropian të vendeve të rajonit dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në kohën e duhur”, shkruan në profilin e tij në Facebook, Mariçiq.

Duke theksuar se delegacioni qeveritar mori pjesë në panelin e parë të Samitit ku u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe tregun e përbashkët, Mariçiq thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor e dinë rëndësinë dhe potencialin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht atij ekonomik.


“Të gjitha vendet e rajonit kanë një mundësi të shkëlqyer për të valorizuar më mirë burimet tona dhe për t’u bërë më tërheqëse për investitorët e huaj, të cilët do të na ndihmojnë të përparojmë më shpejt në zhvillimin demokratik të vendeve tona, në raport me BE-në”, shtoi Mariçiq./Telegrafi/