LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet plani i qeverisë shqiptare për kursimin e energjisë

Zbulohet plani i qeverisë shqiptare për kursimin e energjisë

Ashtu si gjithë Europa edhe Shqipëria ka vendosur të miratojë një plan për kursimin e energjisë dhe përballimin e stinës së dimrit.

Burime për TV Klan bëjnë të ditur se plani i hartuar tashmë nga Ministria e Energjetikës do të diskutohet sot me ekspertët e fushës, ndërsa pritet të miratohet nesër në mbledhjen e qeverisë.

Plani parashikon kufizim e energjisë në institucionet shtetërore me një përqindje që ende nuk është përcaktuar.


Për secilin institucion publik do të shihet mesatarja e energjisë së konsumuar në një muaj për vitin e shkuar dhe nëse kjo masë nuk është reduktuar në një përqindje të caktuar atëherë ndaj institucionit do të ketë penalitete.

Gjithashtu plani parashikon edhe kufizimin me vendim qeverie të ndriçimit publik në rrugë dhe nëpër zbukurime ndërtesash publike.

Pjesë e tij është edhe kufizimi i ndriçimit të reklamave pas një orari të caktuar gjatë natës. Gjithashtu Ministria e Energjetikës ka parashikuar që për të shtuar burimet energjetike në vend dhe për të ulur harxhimin e energjisë së rrjetit, të subvencionojë të gjitha ata abonentë që do të vendosin panele diellore për ngrohjen e ujit apo edhe për ndriçimin në ambientet e brendshme. /Tvklan/