LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar të premten me asnjë votë kundër projekt-rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.

Në votim kanë marrë pjesë 113 deputetë, të cilët kanë votuar të gjithë pro rezolutës për të nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë të kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Draft-rezoluta e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste në pushtet në Shqipëri u bazua në rezolutat e Parlamentit Evropian dhe vlerësimet e Komisionit Evropian mbi gjenocidin në Srebrenicë, akte këto që dënojnë mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e autorëve dhe mbështetësve të tij.


Krahas dënimit të mohimit të gjenocidit në Srebrenicës, rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, po ashtu, synon të dënojë retorikën politike që nxit urrejtjen ndëretnike duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet e tjera të luftës të kryera në luftërat e ish-Jugosllavisë.

“Besojmë që këto krime duhen dënuar, sepse viktimat meritojnë drejtësi. Besojmë që këto krime duhen dënuar – duke mos i dënuar rrezikojmë përsëritjen e tyre në të ardhmen”, deklaroi ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, derisa prezantoi draft-rezolutën në Kuvend.

“Besojmë edhe që duhet dënuar sepse nëse nuk dënohen, rajoni ku ne bëjmë pjesë nuk do të njohë kurrë harmoni e bashkëpunim”, shtoi ajo.

Rezoluta për Srebrenicën, Tabaku: Nuk dënon gjenocidin, PS të miratojë propozimet tona
Lexo po ashtu Rezoluta për Srebrenicën, Tabaku: Nuk dënon gjenocidin, PS të miratojë propozimet tona

Nisma e së enjtes është një përpjekje për ta amortizuar përplasjen politike që erdhi si rezultat i këtij diskutimi muaj më parë.

Më 12 maj Kuvendi i Shqipërisë dështoi ta shqyrtojë një rezolutë të propozuar nga deputetët e Partisë Demokratike, me të cilën dënohej gjenocidi në Srebrenicë.

Atëbotë, deputetët e Partisë Socialiste kishin votuar kundër shqyrtimit të rezolutës së propozuar nga deputetët e PD-së dhe i kishin akuzuar ata për instrumentalizim të kësaj çështjeje për politikë të brendshme. Ndërkohë, udhëheqësit e Partisë Demokratike e kishin akuzuar Partinë Socialiste në pushtet për qasje tejet miqësore me Serbinë si arsye për refuzimin e rezolutës që dënonte gjenocidin në Srebrenicë të kryer nga forcat serbe.

Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryetari i saj, Lulzim Basha, u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ta përkrahin draft-rezolutën dhe kërkoi që ajo t’i hapë rrugë dënimit të krimeve të forcave serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Debate në Kuvendin e Shqipërisë, Alibeaj kërkon rezolutë për krimet serbe në Kosovë
Lexo po ashtu Debate në Kuvendin e Shqipërisë, Alibeaj kërkon rezolutë për krimet serbe në Kosovë

“Që Serbia të integrohet plotësisht në rajon, duhet ta kushtëzojmë me kërkesën e faljes, me pranimin e krimeve, prandaj që e shkuara të mos harrohet, e që të mos lejojmë që faktet alternative të kurdisura nga propaganda hileqare dhe mohuese, të ndryshojnë historinë sipas orekseve politike apo konjukturave ndërkombëtare të momentit”, tha Basha.

“Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë e inkurajon kryeneçësinë e drejtuesve të saj në përpjekje të hapura dhe të fshehura për rishikimin e shëmtuar e të dënueshëm që po shfaqin karshi krimeve të së kaluarës”, shtoi ai.

Gjenocidi në Srebrenicë i referohet vrasjes së 8,372 burrave dhe djemve civilë boshnjakë nga forcat serbe gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995.

Kjo masakër është dënuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe është konfirmuar si e tillë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Rezoluta për gjenocidin serb në Srebenicë, Balla: Kambanë alarmi ndaj rreziqeve të forcave ekstreme nacionaliste
Lexo po ashtu Rezoluta për gjenocidin serb në Srebenicë, Balla: Kambanë alarmi ndaj rreziqeve të forcave ekstreme nacionaliste

Por, udhëheqësit e Serbisë, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministren serbe, Ana Brnabiq, e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë njësoj sikur liderët serbë të Bosnje e Herzegovinës.

Debatet rreth rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë zhvillohen në një kohë kur Shqipëria synon rol më aktiv në rajon, përfshirë një riformulim të marrëdhënieve me Serbinë përmes iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur,” ide e cila është përkrahur nga Serbia, por është refuzuar nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat konsiderojnë se kanë probleme të pazgjidhura me Serbinë./REL

Në trend Lajme

Më shumë
Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor

Në Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor

Lajme
Ambasadori francez, Guerot: Herët të mendohet anëtarësimi i Kosovës në NATO

Ambasadori francez, Guerot: Herët të mendohet anëtarësimi i Kosovës në NATO

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Kanadasë – flasin për shkëmbimin e kadetëve dhe stërvitjet e përbashkëta

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Kanadasë – flasin për shkëmbimin e kadetëve dhe stërvitjet e përbashkëta

Siguri
Ende pa filluar fushata, ka shqetësime për shkelje dhe ndërhyrje në proces zgjedhor

Ende pa filluar fushata, ka shqetësime për shkelje dhe ndërhyrje në proces zgjedhor

Lajme
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike

Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike

Lajme
Kalo në kategori