LAJMI I FUNDIT:

Kurti pas takimit me Scholz tregohet i ashpër me BE-në për vizat: Është koha të thuhet se mjaft është mjaft

Kurti pas takimit me Scholz tregohet i ashpër me BE-në për vizat: Është koha të thuhet se mjaft është mjaft
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz / Foto: Reuters

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sot nga kancelari gjerman, Olaf Scholz në Berlin, që Gjermania të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në një konferencë të përbashkët për media, Kurti ka thënë se është radha e shteteve të BE-së të përmbushin detyrimet ndaj Kosovës.

“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radha që edhe BE të kryej detyrat e saj”, tha ai, përcjell Telegrafi.


Scholz kërkon nga Kurti konstruktivitet në dialogun me Serbinë
Lexo po ashtu Scholz kërkon nga Kurti konstruktivitet në dialogun me Serbinë

Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për paqe të NATO-s ku llogaritet në ndihmën e Gjermanisë.

Ai ka thënë se mbështesin Procesin e Berlinit, derisa Kosova refuzon iniciativa tjera paralele.

Kurti ka thënë se Kosova është proaktive në dialogun me Serbinë.

Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Dialogu duhet të jetë i bazuar në njohje reciproke. Njohje reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund të procesit”, derklaroi tutje Kurti.

Kancelari Scholz tha se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, andaj ai tha se në gjysmën e dytë do të ketë një ftesë për takim në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ky njoftim, sipas Kurtit, është i mirëpritur për Kosovën.

Kancelari gjerman tha, po ashtu, se do ta vizitojë Kosovën në kuadër të një turneu në shtetet e rajonit.

Pas takimit të Scholzit me Kurtin, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më pas, dy liderët pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Më herët, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimet, mes tjerash, “do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”. /Telegrafi/