Strategjia e terrorit të Putinit: Nëse e doni pamjen e së ardhmes së Ukrainës, shikojeni vendin tim – Çeçeninë
Nga: Lana Estemirova / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Ishte pothuajse e pamundur për mua të mos i shikoj imazhet e masakrës së kryer nga trupat ruse në qytetet e pushtuara të Ukrainës. E mposhtur nga mungesa e ndjenjave, në mënyrë mazohiste i zmadhoja fotot e viktimave duke e studiuar çdo fytyrë – ose çfarëdo që ka mbetur prej asaj fytyre. Gjithçka që mund të them është: “Këtë e kanë bërë më parë. Po e bëjnë përsëri”.
Granatimet e rrëmujshme, plaçkitjet, dëshmitë e përdhunimeve, të torturave dhe të ekzekutimeve e, mbi të gjitha, ajo ndjenja e entuziazmit me të cilën po kryhen këto krime lufte, fatkeqësisht janë të njohura për mua. Ditët e fundit, mendja ime vazhdoi të endet te një foto tjetër që u bë 18 vjet më parë në fshatin Rigakhoj në Çeçeni, nga nëna ime – aktivistja për të drejtat e njeriut, Natalya Estemirova. Aty shfaqen kufomat e pesë fëmijëve të vegjël me fytyrat gri, të gjithë vëllezër e motra, të rreshtuar sipas lartësisë. Më i madhi ishte pesë vjeç, më të vegjlit – binjakët – nuk ishin as 12 muajsh. Fëmijët dhe nëna e tyre, Maydat Tsintsayeva, u vranë më 9 prill 2004 nga bombardimi i qëllimshëm i rusëve.
Ky ishte një prej shumë krimeve të pagjykuara, të kryera nga ushtria ruse në emër të “antiterrorizmit” në Çeçeni. Nëna ime shpresonte se këto foto do ta njoftonin botën për atë që po vuanin civilët çeçenë, por nuk doli të jetë kështu. Disa vite më vonë ishte radha e saj – kur dikush e bëri një fotografi granulare të trupit të saj të pajetë, të trupit të mbushur nga plumbat, të shtrirë në një anë të rrugës, mbi barin e djegur nga dielli. Vrasësit e saj ende lëvizin të lirë. Kjo është trashëgimia e Rusisë në Çeçeni.
Dy luftërat që Rusia i bëri kundër Çeçenisë mes viteve 1994-1996 dhe 1999-2009, e shkatërruan republikën dhe i lanë afro 300 mijë të vdekur dhe 3 000-5 000 njerëz të zhdukur. Çeçenia shërben sot si miniaturë groteske e asaj që Vladimir Putini synon ta arrijë në Ukrainë: një vend të zhveshur, të nënshtruar e me popullsinë e thyer e të terrorizuar nga nënshtrimi dhe nga brutaliteti i udhëheqjes miqësore ndaj regjimit rus. Ramzan Kadyrov, “dragoi i vogël” i Putinit – siç e quajti gazetarja e ndjerë Anna Politkovskaya – vazhdon t’i zbatojë porositë e Kremlinit, duke e kërcënuar popullin e vet dhe duke i dërguar njerëzit e vet për të luftuar në Ukrainë. Ai gjithashtu dyshohet se qëndron pas vrasjeve të shumta të kundërshtarëve të regjimit të tij.
Para bombardimit të maternitetit të Mariupolit, ndodhi bombardimi i maternitetit të Groznit dhe i një tregu të mbushur me njerëz ku u vranë 100-120 njerëz në vitin 1999. Para Buças dhe Irpinit ishte Samashki ku, më 7 prill 1995, trupat ruse e kryen “zaqistkën” – operacionin e “spastrimit” që shkaktoi tmerre të papërshkrueshme ndaj njerëzve të pafajshëm. Ushtarët i qëlluan civilët, i përdhunuan gratë dhe ua vunë flakën shtëpive. Të paktën 103 vetë u vranë atë ditë. Dhe, lista vazhdon: Novie Aldi, Katir Jurti, Komsomolskoja – shumë masakra e shumë jetë të thyera për t’u numëruar.
Kjo e shtron këtë pyetje: me gjithë këto mizori të dokumentuara mirë, që janë kryer nga Rusia, si u lejua të ndodhte përsëri e njëjta? Modus operandi i Rusisë në Çeçeni shërbeu si plan për dy dekadat e ardhshme të strategjisë ushtarake dhe politike të Kremlinit, një metodologji makabre për ta thyer vullnetin e popullsive të panënshtruara e për t’i ndjekur interesat e saj perandorake. Në vitet që pasuan e kemi parë – nga Tskhinvali në Alepo, nga Krimea në Republikën e Afrikës Qendrore – gatishmërinë për ta përhapur dhunën që nuk ndëshkohet nga e tërë skena botërore.
Teksa aktivistët si nëna ime e rrezikuan jetën për t’i mbledhur provat e krimeve të luftës në Çeçeni, udhëheqësit pragmatikë perëndimorë i kundërshtuan ato duke e mirëpritur fluksin e naftës, të gazit dhe të parave ruse. Pavarësisht disa deklarimeve për keqardhje, çështja u hodh poshtë kryesisht si “çështje e brendshme” e shtetit rus.
Përbrenda Rusisë, propagandistët e Kremlinit i tjerrën me sukses mitet për “gjenocidin e rusëve” në Çeçeni dhe e shfrytëzuan “luftën kundër terrorit” global për t’i dehumanizuar çeçenët dhe për t’i bërë të justifikueshme krimet kundër civilëve. Taktikat e ngjashme propagandistike po përdoren sot për t’i përshkruar ukrainasit si “neo-nazistë” ose si “banderovitë” (sipas ukrainasit Stepan Bandera i cili, për ta krijuar shtetin e Ukrainës gjatë Luftës së Dytë Botërore, një herë bashkëpunoi e më pas i kundërshtoi nazistët – v.j.).
Pasi nisi pushtimi i Ukrainës, shumë liberalë moskovitë folën se si nuk po dinë të jetojnë me veten e vet – edhe pse shihet se shumica prej tyre jetuan rehat me veprimet e qeverisë teksa ajo e masakronte dhe e terrorizonte popullsinë e saj (myslimane) që nga viti 1994. Nuk kemi hasur në reflektim të tillë atëherë kur bombat ruse binin si shiu mbi qytetet e Sirisë.
Është e habitshme se si kaq shumë janë të tronditur nga sjellja aktuale e Putinit kur ai që në fillim i ka shfaqur tendencat autoritare. Është edhe më e habitshme se si Rusia veç u qortua pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe se si u lejua të jetë nikoqire e ngjarjes së madhe, si Kupa e Botës më 2018, në kohën kur e zhvillonte luftën në Donbas. Mizoritë që po kryhen në Ukrainë nga Rusia janë kulmi i agresionit dhe i dhunës së pakontrolluar që u mundësua ose u shpërfill për dekada të tëra.
Kjo luftë duhet të përfundojë me vetëm një mënyrë: me fitoren e Ukrainës. Sulmet e fundit me raketa në Kramatorsk, që vranë dhjetëra civilë që përpiqeshin të evakuoheshin, janë shembull tjetër se është mashtrim çdo kërkesë për armëpushim që vjen nga pala ruse. Perëndimi duhet ta bëjë të pamundurën për ta ndihmuar Ukrainën, duke dhënë gjithçka që kërkon qeveria ukrainase – tanke, artileri, aeroplanë, sanksione. Kështu do të bëhej një si kompensim për vitet e indiferencës.
Si çeçene, jam e lidhur me popullin ukrainas përmes nyjës së përgjakshme. Fitorja për ta do të ishte fitore për çdo viktimë të regjimit të Putinit. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëArrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio
'Policia' ngjitet në skenë për Noizyn, improvizohet arrestimi i reperit gjatë koncertit të tij në Tiranë
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdha për Amir Rrahmanin
Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve
Kanada ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë