LAJMI I FUNDIT:

Si u regj Putini në një autokrat të petro-shtetit klasik?

Si u regj Putini në një autokrat të petro-shtetit klasik?

Nga: Ruchir Sharma / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Gjatë një vizite që bëri në Nju-Jork në vitin 2003, Vladimir Putini para investitorëve u paraqit si reformator ekonomik që është i gatshëm për t’i angazhuar kapitalistët perëndimorë, duke na thënë se Rusia ishte më shumë se thjesht një tjetër petro-shtet dhe se i ka vlerat e një “kombi normal evropian”.

Këto fjalë tingëllojnë bosh sot teksa Putini po e pushton Ukrainën, por dukej i sinqertë në atë kohë. Pasi e kishte marrë nën kontroll kombin i cili në fund të viteve 1990 u prek keq nga kriza financiare dhe nga falimentimi, ai e nxiste privatizimin dhe derregullimin. E vendosi një taksë të sheshtë prej 13 për qind mbi të ardhurat. Me zhvillimin nga çmimet e naftës, reformat ndihmuan në rritjen e të ardhurave ruse për kokë banori – nga 2,000 dollarë në fillim të mandatit të tij në vitin 2000, në kulmin prej 16,000 dollarëve në fillim të viteve 2010.


Por, fuqia dhe suksesi e ndryshuan Putinin. Ndryshe nga kolegët e tij në tregjet tjera në zhvillim, ai shpejt i ndërpreu takimet me menaxherët e fondeve të huaja. Një nga ndihmësit e tij më tha se takimet e tilla ishin për “fuqitë e mesme e të vogla” e jo për fuqitë e mëdha si ShBA-ja dhe Rusia.

Në vitin 2010 u ftova në Moskë për ta dhënë një vlerësim “të sinqertë” për ekonominë ruse, ku Putini ishte i pranishëm. Duke mos e ditur se seanca transmetohej në televizion, ftesën e kuptova fjalë për fjalë si më lart, ndaj deklarova se është vështirë të rezistojë suksesi i Rusisë. Për të avancuar si vend me të ardhura mesatare, Rusia duhet të lëvizë përtej naftës, ta zvogëlojë varësinë nga kompanitë e mëdha shtetërore e të merret me korrupsionin e përhapur në mënyrë masive. Mëngjesin tjetër e pash emrin tim nëpër mediat shtetërore pro-Putin, duke më sulmuar si mysafir i pasjellshëm dhe se Rusia mundet pa analizat e pa kapitalin e huaj.

Disa muaj më vonë e intervistova ish-presidentin e ShBA-së, George W Bush, i cili e përshkroi ngjashëm ndryshimin e Putinit – nga një pragmatik në fillim, drejt një mburracaku në fund të viteve 2000. Në takimin e tyre të fundit në Moskë, Putini ia prezantoi Bushit qenin retriever si “më të madh, më të fortë e më të shpejtë” se Barney, se terrieri i Bushit.

Putini tashti shpesh përshkruhet si udhëheqës unik i Rusisë, i etshëm për ta rimarrë sferën e dikurshme të ndikimit perandorak. Parë nga pikëpamja ekonomike, megjithatë ai është tip universal.

Hulumtimi im tregon se performanca ekonomike është e prirë të jetë shumë më e çrregullt nën udhëheqësit autokratikë sesa demokratë, se ajo përkeqësohet sa më gjatë të qëndrojë një lider në pushtet dhe se kjo veçanërisht vlen për shtetet e naftës. Putini i pasqyron të tri këto: autokrat, për një kohë të gjatë në pushtet, në një vend që prodhon naftë.

Kah fundi i viteve 2000, Putini ishte i vetëkënaqur dhe pushoi së shtyri reformat. Pasi pushtimi i tij i Krimesë në vitin 2014 i nxiti sanksionet perëndimore, nisi një ndryshim të ri – jo për ta nxitur rritjen, por për ta krijuar Fortesën e Rusisë, të papërshkueshme nga flukset e kapitalit të huaj.

Kjo mbrojtje funksionoi për një kohë, por vendi tani po goditet nga sanksionet e reja më të rënda. Nga kulmi prej 16,000 dollarëve, të ardhurat për kokë banori në Rusi – para pushtimit të Ukrainës – ranë në 12,000 dollarë. Pavarësisht rritjes së çmimeve të naftës, trendi është në rrugën e duhur për të rënë nën 10,000 dollarë deri në fund të vitit 2022.

Wall Street-i shpesh i ka mbështetur autokratët meqë ata ndonjëherë kanë krijuar bum ekonomik, por për çdo sukses janë tre ose katër që shkaktojnë stagnim, madje edhe kushtet e krizës së përhershme. Këta janë nga Castro në Kubë, te familja Kim në Korenë e Veriut dhe te shumë gjigantë të Afrikës – përfshirë Robert Mugaben në Zimbabve, Haile Selassien në Etiopi dhe Yoweri Musevenin në Ugandë.

Duke i analizuar 150 shtetet e vitit 1950, autokracitë përbënin 35 nga 43 rastet në të cilat një komb ka mbajtur rritjen e produktit të brendshëm bruto prej më shumë se shtatë për qind për një dekadë. Megjithatë, autokracitë përbëjnë gjithashtu 100 nga 138 rastet në të cilat një vend u rrit për një dekadë të plotë me më pak se tre për qind – një normë që merret si recesion në një vend në zhvillim.

Në rastet ekstreme, 36 shtete për dekada të tëra janë prekur nga luhatjet mes viteve të rritjes së shpejtë dhe viteve të rritjes negative: 75 për qind e tyre ishin autokraci, shumë nga to petro-shtete si Nigeria, Irani, Siria dhe Iraku.

Putini rrezikon ta vendosë Rusinë në këtë klasë ekstreme. Tregjet që tani po japin sinjale të shansit prej 99 për qind që vendi të mos e paguajë borxhin, pikërisht atë fat që Putini i mëparshëm punoi shumë për ta parandaluar.

Dikur reformator, tani duket si arketip i autokratit të regjur. Krizat e ngjashme ekonomike po shpalosen nën pushtetin e fortë e të gjatë, që nga Alexander Lukashenko në Bjellorusi, Recep Tayyip Erdogani në Turqi dhe Mahinda Rajapaksa në Shri Lankë.

Këto raste janë përkujtim se, e suksesshme apo jo, autokracia nuk është stabile. Udhëheqësit perëndimorë që po shpresojnë se Putini do të bie nën barrën e recesionit, duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë rrëfim. Autokratët mund ta shkëputin hallkën mes politikës dhe ekonomisë e të qëndrojnë pafundësisht në pushtet. /Telegrafi/