Titulli origjinal: Kujtesa për të Dielën e Përgjakshme të Lituanisë ia përkujton Perëndimit mbrojtjen e lirive të veta demokratike
Nga: Leyla Boulton / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
“Vëllezër lituanë. Ky është Komiteti i Shpëtimit Kombëtar”, u dëgjua një zë i turbullt nga altoparlanti. “Në duart tona tash është i gjithë pushteti i republikës. Është fuqia e punëtorëve, e fshatarëve dhe e ushtarëve. Rezistenca është e pakuptimtë”.
Ishte 13 janari i vitit 1991 kur sapo i kisha parë tanket dhe ushtarët sovjetikë tek i vrasin civilët në kullën televizive të Vilniusit. Katërmbëdhjetë veta vdiqën në ditën që sot njihet si E Diela e Përgjakshme e Lituanisë.
Ishte ky kulmimi i muajve të tërë të konfrontimit me Moskën, qëkur lituanezët e shpallën pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Nga Moska fluturova për në Vilnius për të raportuar për Financial Times-in, meqë udhëheqësia sovjetike e Mikhail Gorbachevit kishte lëshuar një varg ultimatumesh që Lituania të zmbrapset. Turma u mblodh rreth kullës televizive, sepse trupat sovjetike e morën kontrollin e masmediave në kryeqytet. E dinin se si ka qenë pushtimi sovjet përgjatë një gjysmë shekulli, ndaj nuk donin të tërhiqeshin.
Që atëherë, Lituania e feston këtë përvjetor si Ditën e Mbrojtësve të Lirisë. Por, atë mëngjes, teksa nxitoja për në Parlament – që pritej të jetë cak tjetër i ndonjë sulmi sovjetik – dukej se po i vinte fundi luftës për rifitimin e pavarësisë së kësaj republike, pavarësi që ishte shuar nga Josif Stalini në vitin 1940. Me mua ishin një duzinë e gazetarëve të huaj, përfshirë burrin tim Ralph që atëherë raportonte për Reuters-in.
Pasi trokitëm në një derë – në një bllok apartamentesh me pamje kah Parlamenti – unë dhe Ralphi u futëm brenda nga Ramune dhe Arvijdas, nga çifti me një mace dhe një violonçel. E vlerësonin si detyrë patriotike ndihmën ndaj nesh. Qëndruam me ta për 10 ditë, duke e pritur më të keqen. Megjithatë, asnjë sulm nuk ndodhi – dhe, deri në fund të vitit, Bashkimi Sovjetik u shemb.
Sot, kur Vladimir Putini po e zhvillon një luftë të pamëshirshme për ta “denazifizuar” Ukrainën, gënjeshtrat absurde të Kremlinit dhe kontrolli total i medias më kthejnë në atë kohë – si dhe admirimi perëndimor për heroizmin e një kombi më të vogël që mbrohet nga grabitqarët e Moskës.
Përveç nivelit pakrahasueshëm më të madh të agresionit të sotëm, ndryshimi tjetër i madh është se fuqia ruse sot është e përqendruar në duart e vetëm një njeriu i cili e cilëson përmbysjen e Bashkimit Sovjetik si katastrofë gjeopolitike të shekullit XX.
“Ajo që ndodhi me fundin e Bashkimit Sovjetik ishte lufta për të ardhmen”, thotë Grigory Yavlinsky, ekonomisti që e drejton Yabloko-n të cilën e përshkruan si partinë e fundit opozitare të Rusisë. “Ndërsa, ajo që po ndodh sot është lufta për të kaluarën”.
Lituania, si dhe fqinjët e saj, Estonia e Letonia, vendosën të anëtarësohen në BE dhe në NATO. Integrimi i tyre relativisht i patrazuar në klubin e demokracive perëndimore është në kontrast me atë të vendeve tjera të Evropës Lindore.
Ndërkohë, në Rusi, Vladimir Putini e merr pushtetin duke e rikthyer atë që dukej si prosperitet dhe stabilitet për rusët e rraskapitur nga dekada e trazirave të brendshme politike. U kap pas kësaj duke i eliminuar rivalët dhe e duke marrë kontrollin e masmedias.
Sipas Yavlinskyt – i cili ka lindur në qytetin ukrainas të Lvivit, por që ka jetuar në Moskë që në moshën 17-vjeçare – demokracia e re e Ukrainës e paraqiste një sfidë të patolerueshme për Putinin.
“Pse? Sepse Ukraina vendosi të bëhet shtet evropian, që ta zgjedhë presidentin e ri çdo pesë vjet, të ketë gjyqësor të pavarur dhe të drejta reale pronësie”, thotë 69-vjeçari, duke folur tash së voni nga Moska. “Kjo ishte pika fillestare, sepse, nëse të gjitha këto gjëra mund të ndodhin në Ukrainë, çfarë do të thoshte populli rus? Nëse është e mundur në Ukrainë dhe në Bjellorusi, çka më pas? Putini vendosi ta shkatërrojë këtë sfidë.”
Megjithatë, sipas Yavlinskyt, kalbja nisi me paraardhësin e Putinit, me Boris Yeltsinin rrethi i të cilit më 1995 bëri një marrëveshje duke ua dhënë oligarkëve aksionet në kompanitë më të vlefshme shtetërore, dhe atë me çmime të ulëta, në këmbim të ndihmës për ta shmangur ringjalljen e ndonjë partie komuniste. “Kjo e krijoi një shtet korporativ mafioz”, thotë ai.
Mund të jetë tepër vonë tash për rusët, që ta ndalojnë shkatërrimin. Putini e ka përfshirë Ukrainën në një luftë të tmerrshme që mund t’i shkatërrojë shpresat e një brezi. Por, shembulli i Lituanisë ia kujton pjesës tjetër të botës demokratike – në të cilën disa liderë kanë luajtur goxha me të vërtetën – për ta mbrojtur rreptë nga gënjeshtrat të drejtën e saj për liri.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëArrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdha për Amir Rrahmanin
Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person
Këngëtarja Grimes flet për betejën e kujdestarisë së fëmijëve me Elon Musk: Flija dhe qaja, postimet e mia në Instagram u morën si provë që nuk jam nënë e mirë
Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë