LAJMI I FUNDIT:

Lufta në Ukrainë: Putini e ka rishkruar botën, por jo në mënyrën që donte

Lufta në Ukrainë: Putini e ka rishkruar botën, por jo në mënyrën që donte

Nga: Allan Little / BBC
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putini, e ka ndryshuar botën. Po jetojmë në kohët e reja, më të rrezikshme – mbaroi epoka e pas-Luftës së Ftohtë që nisi me rënien e Murit të Berlinit.

Rrallë ndodhë të jetosh në momentin me pasojat më të mëdha historike e të kuptosh – në kohë reale – se çfarë do të thotë kjo.


Në nëntor të vitit 1989 isha në Sheshin Uenceslas, të mbuluar me borë, në Pragë, në kryeqytetin e asaj që dikur ishte Çekosllovaki, dhe pashë se si po lindte një botë e re.

Popujt e Evropës komuniste lindore u ngritën kundër diktaturave. U shemb Muri i Berlinit. Evropa e ndarë po bëhej sërish e plotë.

Në Pragë, nga një ballkoni i katit të dytë, dramaturgu disident Vaclav Havel iu drejtua një turme prej 400 mijë vetave. Moment emocionues e marramendës. Atë mbrëmje u shemb regjimi komunist dhe, brenda disa javëve, Haveli u zgjodh president i një shteti të ri demokratik. Ndjeja, atë kohë, se po e shoh rrotullimin e botës – se ky është një nga ato momentet e rralla kur e di se bota po ribëhet para syve tuaj.

Sa momente të tilla i ka pasur historia e Evropës, që nga Revolucioni Francez? Ndoshta pesë, mendoja atëherë. Ky, i vitit 1989, ishte i gjashti.

Por, ajo botë – e lindur në ato revolucione dramatike popullore – mori fund kur Putini i urdhëroi forcat ruse që të futen në Ukrainë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, e quajti këtë moment si “zeitenwende” – pikë kthese – ndërsa Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, tha se ishte “ndryshim paradigme”. Ajo tha se ka marrë fund epoka e vetëkënaqësisë.

Quentin Sommerville, një nga reporterët më me përvojë të luftës të BBC-së, kohët e fundit kaloi nëpër rrënojat e Kharkivit dhe për bombardimet ruse tha: “Nëse këto taktika nuk janë të njohura për ju, atëherë nuk ua keni kushtuar vëmendjen”.

Ai i njeh ato, sepse e kaloi goxha do kohë nën raketat ruse në Siri, për t’ia kushtuar një vëmendje më të madhe kësaj. Por, qeveritë e botës demokratike, cilën vëmendje ia kushtuan natyrës së regjimit të Putinit?

Dëshmitë janë mbledhur përgjatë viteve.

Kaluam në dy dekada qëkur i dërgoi trupat në Gjeorgji me pretendimin se po i mbështeste rajonet e shkëputura.

Më vonë, nëpër qytetet britanike i dërgoi spiunët e armatosur me helme nervore, për t’i vrarë rusët e mërguar.

Në vitin 2014 e pushtoi Ukrainën Lindore dhe e aneksoi Krimenë.

Pavarësisht kësaj, Gjermania dhe pjesa më e madhe e BE-së mbylleshin në varësinë – jo të shëndetshme – nga gazi rus. Një vit pas aneksimit të Krimesë e miratuan ndërtimin e një gazsjellësi të ri, Nord Stream 2, për t’i shtuar furnizimet.

“Kënaqësia” së cilës Liz Truss i referohet, e godet gjithashtu vendin e saj. Londra ka qenë strehë e sigurt për paratë ruse, qëkur John Major ishte kryeministër. Oligarkët rusë i kanë lënë miliardat këtu, i kanë pastruar paratë e tyre, i kanë blerë shtëpitë më prestigjioze në kryeqytet, janë shoqëruar me politikanë dhe kanë dhënë para për fushatat të tyre. U shtruan pak pyetje se prej nga erdhi pasuria e tyre e madhe e fituar kaq papritur.

Pra, jo. Demokracitë perëndimore nuk i kanë “kushtuar vëmendje” natyrës së kërcënimit që mbillej në kufirin e tyre lindor.

Por, edhe Putini dukej i vetëkënaqur.

Së pari, besonte se Perëndimi ishte në rënie kronike – i dobësuar nga ndarjet e brendshme dhe nga neveria ideologjike. Zgjedhjen e Donald Trumpit dhe Brexit-in i shihte si prova për këtë. Forcimi i qeverive autoritare të krahut të djathtë në Poloni dhe në Hungari ishin dëshmi e mëtejme e shpërbërjes së vlerave të institucioneve liberale. Tërheqja poshtëruese e ShBA-së nga Afganistani ishte dëshmi tjetër e një fuqie në rënie që po del nga skena botërore.

Së dyti, e keqkuptoi atë që po ndodhte në kufijtë e vet. Refuzoi të besonte se një seri kryengritjesh demokratike në ish-republikat sovjetike – në Gjeorgji (2003), Ukrainë (2004-5) dhe Kirgistan (2005) – mund të ishin shprehje autentike e vullnetit popullor. Meqë secili shtet synonte largimin e qeverive të korruptuara dhe jopopullore pro-Moskës, Kremlinit i dukeshin këto reagime si vepër e agjencive të huaja të inteligjencës, veçanërisht të amerikanëve dhe britanikëve – si marshim i imperializmit perëndimor në një territor që me të drejtë dhe historikisht ishte e Rusisë!

Së treti, nuk ka arritur t’i kuptojë forcat e veta të armatosura. Është e qartë tashmë se priste që ky “operacion special ushtarak” do të përfundojë brenda pak ditësh.

Paaftësia ushtarake e Rusisë ka habitur shumë ekspertë perëndimorë të sigurisë. Kjo mua m’i sjell jehonat nga luftë më e vogël, më e kontrollueshme, por gjithsesi shkatërruese në ish-Jugosllavi.

Në vitin 1992, nacionalistët serbë e nisën një luftë për ta mbytur që në lindje shtetin e porsa pavarur të Bosnjës. Ata pohonin se identiteti boshnjak është fals, se shtetësia boshnjake nuk kishte legjitimitet historik – se ishte pjesë e Serbisë. Kjo është pikëpamja e Putinit për Ukrainën.

Ashtu si Rusia sot, forcat serbe kishin epërsi dërrmuese të fuqisë së zjarrit. Por, shpesh ngecnin, kudo ku joserbët vendas bënin rezistencë. Ata ishin të paaftë për t’i pushtuar qytetet ose qytezat, sepse ishin të pavullnetshëm për të luftuar në këmbë – rrugë pas rruge. Mbrojtësit boshnjakë fillimisht ishin të pajisur shumë keq – më kujtohen djemtë me atlete në llogoret e Sarajevës dhe me një AK-47 te një në tre prej tyre. Por, e mbrojtën kryeqytetin e tyre për gati katër vjet. Vendosmëria e ngjashme është te të rinjtë që po dalin vullnetarë për të mbrojtur Kievin.

Pra, në vend se t’i merrnin qytetet dhe qytezat, serbët i rrethuan, i bombarduan, ua ndërprenë ujin, gazin dhe rrymën. Kjo po ndodh në Mariupol. Rrethojeni qytetin dhe ndërpriteni furnizimin me ujë dhe brenda 24 orëve çdo tualet është rrezik për shëndetin publik. Qytetarët duhet të dalin në rrugë për të gjetur tubacione uji për t’i mbushur enët – vetëm për t’i shpëlarë kazanët. Ndaleni energjinë elektrike dhe ngrini në shtëpinë tuaj. Shpejt ushqimi mbaron. A është kjo ajo që rusët synojnë për Mariupolin, për Kharkivin, për Kievin? Për t’i uritur deri në nënshtrim?

Por, për gati katër vjet nën këtë mizori, kombi boshnjak e ka një rrëfim të rëndësishëm të rezistencës, të vuajtjes dhe të luftës heroike. Identiteti i Ukrainës gjithashtu do të forcohet nga mënyra se si kanë luftuar ukrainasit. Rusishtfolësit e Ukrainës nuk u ndien të “çliruar” nga ky pushtim. E vërteta është se edhe ata besojnë në Ukrainën si shtet sovran. Lufta e Putinit – që synon ribashkimin e atyre që i sheh si dy pjesë të kombit rus – tashmë po e jep efektin e kundërt duke e forcuar vullnetin e shumicës së ukrainasve për ta kërkuar lirinë nga dominimi rus.

Në vitin 1994, teksa lufta në Ballkan ishte ende e ndezur, pjesa tjetër e Evropës Lindore shikonte kah e ardhmja – secili komb i etur për të marrë atë që e shihte si hise natyrale në një Evropë të shteteve të pavarura, sovrane e në paqe me njëri-tjetrin. Por, ende nuk dihej nëse ndonjëri prej tyre do të lejohej t’i bashkohej NATO-s.

Ishte një debat, në atë kohë, nëse një bllok i tretë sigurie duhet të formohej nga vendet e sapoçliruara të Evropës Lindore, për të vepruar si tampon midis NATO-s dhe Rusisë. Rusia ishte e dobët në vitet 1990 dhe kombet që e kishin duruar pushtimin sovjetik për 40 vjet, nuk besuan se do të qëndronte ashtu e dobët, për një kohë të gjatë. Në fund, nuk deshën gjë tjetër pos anëtarësimit në NATO.

Nën presidentin Bill Clinton, ShBA-ja vazhdoi me zgjerimin e NATO-s. Presidenti rus Boris Jelcin, i cili e shihte veten si aleat besnik të Clintonit, u zemërua kur zbuloi – në një konferencë shtypi – se NATO-ja planifikonte t’i pranonte anëtarët e rinj, pa u konsultuar me Moskën.

Dhe, shembja e Perdes së Hekurt ngriti një pyetje të re në gjeopolitikë: sa larg në Lindje shtrihet bota perëndimore? U porosita nga BBC-ja që ta bëj një udhëtim nëpër Poloni, Bjellorusi dhe Ukrainë, për ta adresuar këtë pyetje: “Ku është tani skaji lindor i botës perëndimore”?

Shkova në shtëpizën e gjuetisë në Bjellorusi ku, në fund të vitit 1991, presidenti i Federatës Ruse, Boris Jelcin, i kishte takuar homologët nga Ukraina dhe nga Bjellorusia. Aty ata ranë dakord t’i njihnin republikat sovjetike si shtete-kombe të pavarura. Më pas e telefonuan liderin sovjetik Mikhail Gorbachev dhe e informuan se shteti që e udhëhiqte – Bashkimi Sovjetik – nuk ekziston më.

Ishte ky një moment i mbushur me rreziqe dhe me mundësi. Për Bjellorusinë dhe për Ukrainën ishte shans për t’u çliruar nga sundimi i Moskës – nga dominimi i imperializmit rus, si në formën cariste ashtu edhe në atë sovjetike.

Për Jelcinin ishte mundësia për ta çliruar edhe Rusinë – nga roli historik si fuqi perandorake. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kishin pushuar së qeni fuqi perandorake, që pas-Luftës së Dytë Botërore – siç kishte bërë Austria pas Luftës së Parë Botërore. Në Turqi, Kemal Ataturku e kishte ndërtuar një republikë moderne laike evropiane – një shtet-komb turk – pasi Perandoria shumetnike Osmane u mposht dhe u copëtua më 1918.

A mund ta bënte Boris Jelcini të njëjtën gjë: ta ndërtonte një shtet-komb modern rus, në paqe me fqinjët sovranë, mbi rrënojat e Perandorisë Sovjetike? Në fillim të viteve 1990 e nisi eksperimentin perëndimor si përpjekje për ta kthyer fuqinë perandorake në shtet demokratik.

Por, ishte katastrofik nxitimi – i inkurajuar nga demokracitë perëndimore, të etura për mundësi investimi – për ta kthyer ekonominë sklerotike të kontrolluar nga shteti në një sistem të tregut të lirë. E krijoi një kapitalizëm mafioz. Një elitë e vogël u bë shumë e pasur duke i plaçkitur asetet e industrive kryesore – veçanërisht naftën dhe gazin.

Në vitin 1998, rrotat më në fund dolën nga eksperimenti. Ekonomia u shemb, rubla humbi dy të tretat e vlerës në vetëm një muaj dhe inflacioni arriti në 80 për qind.

Isha në radhë me një çift të moshës së mesme, në një bankë në Moskë. Ata donin t’i tërhiqnin paratë e tyre, në dollarë ose funte – çdo gjë tjetër po jo në rubla. Radha ishte e gjatë dhe e ngadaltë dhe në çdo disa minuta një punonjës banke e ndryshonte kursin e këmbimit, sepse rubla binte edhe më tej. Njerëzit mund t’i shihnin kursimet e jetës se si bien në vlerë, për çdo minutë. Çifti iu afrua kreut të radhës, kur papritmas ranë grilat – nuk kishte mbetur më asnjë qindarkë.

Shkova në një ish-rajon të minierave të qymyrit, pranë kufirit me Ukrainën, ku minierat mezi funksiononin. E takova një inxhinier të diplomuar minierash i cili e kishte humbur punën – një burrë rreth të 30-ave, me familje të re. Më çoi në shtëpinë e tij jashtë qytetit që kishte rreth një hektar tokë. “Rreth 80 për qind e asaj që ha familja ime në vit”, tha ai, “rritet në këtë copë toke. Pjesën tjetër, si kafen dhe sheqerin, i marrë me shkëmbime. Nuk i kam përdorur e as nuk kam parë para kesh për rreth 18 muaj”. Asgjë nuk fliste më fortë për dështimin e Jelcinit për ta transformuar Rusinë, sesa pamja e këtij njeriu me arsim të lartë që po gërmonte për darkën e vet.

“Brenda një brezi, Stalini e shndërroi një komb fshatarësh në superfuqi industriale. Jelcini po e bën të njëjtën gjë, në drejtim të kundërt”, tha ai.

Rusët e zakonshëm ndiheshin të grabitur. Eksperimenti i madh  perëndimor ishte mashtrim që e kishte pasuruar një elitë të kriminalizuar dhe i kishte varfëruar gjithë të tjerët. Shumë prej raporteve që i dërguam nga Rusia, në atë kohë, përmblidheshin në pyetjen e vetme: “Cilat janë pasojat politike të zhgënjimit të thellë që rusët po e ndjejnë tani”?

Përgjigja ishte se Rusia, përfundimisht, do ta bëjë një kthesë – një tërheqje nga demokracia dhe një kthim në sundimin autoritar. Tërheqja nga shteti-komb dhe kthimi në një qëndrim perandorak këmbëngulës ndaj “vendeve të afërta” – vendet që më parë kishin qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së, Zbigniew Brzezinski, me të drejtë tha se Rusia mund të ishte demokraci ose perandori, por nuk mund të ishte të dyja këto. Stema ruse, shqiponja dykrenore është e kthyer si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi. Historia e ka tërhequr Rusinë në drejtime të kundërta – shteti kombëtar demokratik në një drejtim, dominimi i pushtetit perandorak në tjetrin.

Shkoni në Shën Petersburg dhe e shihni një aspekt tjetër të këtij karakteri të dyfishtë. Është si dritare e bukur e shtetit në Gjirin e Finlandës. Është qytet i shekullit XVIII, me pamje nga Perëndimi. Aty është iluminizmi evropian – në formën arkitekturore. Nën carët ishte kryeqytet perandorak.

Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, bolshevikët e bartën kryeqytetin në Moskë dhe pushteti u tërhoq prapa mureve të larta e të ngritura të Kremlinit. Është arkitekturë e mbrojtjes, e dyshimit, madje edhe e frikës. Kur udhëheqësit rusë shkojnë nga këtu në Perëndim, e shohin një fshat të sheshtë të hapur që rrotullohet për qindra milje në jug dhe në perëndim. Nuk ka kufij natyrorë.

Kur isha korrespondent i BBC-së në Moskë, në fund të viteve 1990, ishte një shofer të cilit i kujtohej se, kur ishte fëmijë, në vitet 1940 i kishte parë trupat gjermane në periferi të Moskës. Sa herë që na çonte në Aeroportin e Sheremetjevës, kalonim pranë monumentit që duket si mbrojtje metalike kundër tankeve – të ashtuquajturit iriqët çekë – dhe thoshte: “Kaq afër ishin ata, gjermanët”.

Ushtria e Napoleonit kishte shkuar pak më tej, një shekull më parë. Kjo përvojë – ndjenja kronike e kufirit të pasigurt perëndimor – flet për mënyrën se si udhëheqësit rusë mendojnë për “vendet e afërta”.

Në një bisedë tjetër për “afër vendit”, një mik e recitoi një rimë. Në rusisht rimohet bukur, por në anglisht i bie: “Një pulë nuk është vërtet një zog; dhe Polonia nuk është vend i largët”. Ndjenja e Rusisë për atë që i takon në tokat në perëndim të saj, u fut gjithashtu edhe në ndërgjegjen popullore.

Do të huazoj një anekdotë nga një shoqe tjetër e asaj kohe në Moskë. I njëjti shofer e merr nga aeroporti dhe e pyet se ku ka qenë. “Kam qenë për fundjavë në Pragë”, ka thënë ajo. “Oh, Pragë”, ishte përgjigja. “Gjë e mirë kjo. Është e jona”.

Por, nuk ishte. Muri i Berlinit kishte rënë nëntë vjet më parë dhe kombet e Evropës Lindore kishin pushuar së qeni “tonat”.

Përveç Ukrainës. Emri i vendit vjen nga një fjalë ruse që i bie si buzë, ose si periferi. Putini nuk e konsideron si vend fqinj, por si tokën kufitare të Rusisë – dhe dëshiron që ta kthejë në vathën ruse.

Çfarë do të duhej të bënte për këtë? Si mund të nënshtrohet një komb që ka bërë rezistencë kaq të unifikuar? Me siguri e ka tejkaluar veten. Por, tashmë duhet ta alarmojnë disa faktorë.

E para është gjendja e forcave të tij të armatosura.

E dyta është qëndrueshmëria e mbrojtjes së Ukrainës. A priste Putini që populli rusishtfolës i Ukrainës do t’i mirëpres trupat e tij si çlirimtarë? A vërtet besonte se kryengritja e vitit 2014 – që e zëvendësoi qeverinë pro-Moskës me një qeveri të orientuar drejt Perëndimit – ishte komplot perëndimor? Nëse mendonte kështu, atëherë po zbulohet se sa pak kupton Kremlini për “vendet e afërta”.

Por, gabimi i tij më i madh ka qenë nënvlerësimi i vendosmërisë së Perëndimit. Dhe, kjo është ajo që vitin 2022 e bën të jetë një nga vitet kyçe – “zeitenwende”, sipas fjalëve të kancelarit Scholz.

Pothuajse brenda natës, Gjermania e ka transformuar qëndrimin ndaj rolit të vet në botë. Tradicionalisht ngurrues për ta treguar forcën që ka – për arsye të mira historike – deri tash kishte preferuar ushtrimin e fuqisë së butë e jo të fortë. Por, jo më. Ka njoftuar për dyfishim të shpenzimeve të mbrojtjes dhe po dërgon armë lufte në Ukrainë. Iku, gjithashtu, ostpolitika – politika me dekada e vjetër gjermane për ta kërkuar paqen përmes angazhimit, veçanërisht në tregti.

Gjermania, tok me pjesën tjetër të botës demokratike, do të lëvizë për t’i dhënë fund varësisë nga gazi rus. Është pezulluar projekti Nord Stream 2 – megjithëse ende nuk u bë për skrap. Po e shohim një rivizatim rrënjësor të hartës së shpërndarjes globale të energjisë që synon të heqë Rusinë nga aty.

Rusia është shumë e integruar në ekonominë globale. Por, tashti është përjashtuar nga sistemi që bota e përdor për t’i shkëmbyer pagesat për mallra e shërbime. Industritë e saj, përfshirë naftën dhe gazin, varen nga mallrat dhe komponentët e importuar. Së shpejti prodhimi do të ndalet. Punëdhënësit duhet të pushojnë punëtorët nga puna. Papunësia do të rritet.

Askush nuk priste se Perëndimi do ta sanksionojë Bankën Qendrore Ruse. Rubla tashmë ka rënë dhe normat e interesit janë dyfishuar. Asnjë ekonomi tjetër e madhe nuk i është nënshtruar, ndonjëherë, një pakete të tillë të sanksioneve ndëshkuese. Kjo nënkupton përjashtimin e Rusisë nga ekonomia globale. Më shumë punëtorë do të pushohen. Industritë e mëdha do ta kenë të vështirë funksionimin. Papunësia edhe më tej do të rritet. Rritja e inflacionit do t’i gërryejë kursimet jetësore.

Të gjithë do të prekemi nga kjo. Në fakt është një tërheqje nga ekonomia e globalizuar që u shfaq pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

ShBA-ja dhe BE-ja e kanë ndarë botën. Ato shtete dhe kompani që vazhdojnë të tregtojnë me Rusinë, do të ballafaqohen me ndëshkimin – gjithashtu do të përjashtohen nga tregtia me botën e pasur.

Kjo paraqet perden e re të hekurt ekonomike që e ndan Rusinë nga Perëndimi.

Shumëçka do të varet nga mënyra se si Kina do të manovrojë në këtë peizazh të ri. Kina dhe Rusia janë të lidhura nga antipatia e përbashkët ndaj fuqisë amerikane dhe nga bindja se kërcënimi më i madh është bota e ringjallur e më unike demokratike.

Kina nuk do që Putini të dobësohet, apo që Perëndimi të forcohet. Por, pikërisht ky është efekti që ka lufta në Ukrainë.

Disa njohës të rrethanave në Kinë besojnë se Pekini do të përpiqet ta sfidojë dominimin e dollarit si monedhë rezervë, duke e krijuar një zonë të veçantë juani si hapësirë alternative në ekonominë globale, që do të mund të mbrohet nga çdo përpjekje e ardhshme e ShBA-së për ta sanksionuar Kinën. Prandaj, lufta e Putinit mund ta ripërcaktojë hartën financiare ndërkombëtare.

Por, mbi të gjitha, është një luftë që i vendos demokracitë e botës kundër regjimeve autoritare të botës.

Është gjithashtu luftë midis dy koncepteve kontradiktore të rregullave me të cilat duhet të funksionojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.

Studiuesi i Oksfordit, Timothy Garton Ash, thotë se këto dy pikëpamje të botës mund të shprehen në formë të shkurtër me dy fjalë – Helsinki kundër Jaltës.

Në Jaltë, në vitin 1945, Stalini, Roosevelti dhe Churchilli e skalitën Evropën e pasluftës në “sferat e ndikimit” – pjesën më të madhe të Evropës Lindore nën Rusi, Perëndimin në aleancën transatlantike të përcaktuar në rindërtimin e demokracive evropiane.

“Helsinki”, për dallim, e përshkruan Evropën e shteteve të pavarura sovrane, secila prej të cilave është e lirë që t’i zgjedhë aleancat e veta. Kjo del nga Akti Final i Helsinkit i vitit 1975 që gradualisht evoluoi në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Mbrojtësit e Ukrainës po luftojnë për Helsinkin. Putini i ka dërguar trupat për ta imponuar versionin modern të Jaltës që do ta shkatërronte pavarësinë e Ukrainës dhe do ta linte nën dominimin rus.

Garton Ash argumenton se Perëndimi ka qenë me gjysmë zemre për mbrojtjen e vlerave të Helsinkit – se e ka pranuar zyrtarisht të drejtën e Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s në një datë të pacaktuar në të ardhmen, por duke mos e synuar kurrë realizimin e kësaj.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tashmë ka dhënë sinjale për kompromis ndaj parimeve të Helsinkit, duke rënë dakord për ta braktisur ambicien e Ukrainës për t’u bërë pjesë e NATO-s. Me të gjitha rreziqet që kjo sjell, ky mund të jetë çmimi që po e paguan Ukraina për mbijetesën e shtetit.

Brezi im u rrit me terrorin ekzistencialist të kërcënimit me asgjësim bërthamor. Në ndërgjegjen publike, ky konflikti e riktheu këtë frikë. Putini ka kërcënuar se do ta përdorë arsenalin bërthamor të Rusisë.

Ky është momenti më i rrezikshëm që nga Kriza Kubane e Raketave, më 1962. Bashkimi Sovjetik atëherë i dërgoi raketat bërthamore te aleati i dikurshëm, Kuba. ShBA-ja e mblodhi një flotë anijesh për ta kryer nga deti pushtimin e ishullit.

Ajo që amerikanët nuk e dinin është se sovjetikët nuk kishin vetëm raketa strategjike me rreze të gjatë veprimi. Ata kishin edhe raketa të vogla taktike bërthamore – të ashtuquajturat armë bërthamore të fushëbetejës. Dhe, kjo doktrinë ushtarake sovjetike e delegoi vendimmarrjen te komandantët në terren – për përdorimit e parë të këtyre armëve.

Nëse kërcënimi me pushtim do të shkonte tutje, do ta kishte shkaktuar një shkëmbim me armë bërthamore.

Sekretari i atëhershëm amerikan i Mbrojtjes, Robert McNamara, e kuptoi këtë kur arkivat sovjetike u hapën në vitin 1991. Tek atëherë kuptoi se sa i ishte afruar bota katastrofës.

Në një film të jashtëzakonshëm të quajtur “Mjegulla e Luftës: Njëmbëdhjetë mësime nga jeta e Robert McNamaras”, ai tregon se si bota e kishte shmangur shkatërrimin e vetvetes. Ishte diplomaci e mençur? Udhëheqje e mençur? Jo.

“Fat”, ka thënë ai. “Kishim fat.”

Kjo përvojë që është zbehur nga kujtesa, duhet ta ketë sërish përqendrimin e vëmendjes sonë. /Telegrafi/