Pesë vjet burg sepse “faji u vërtetua nga deponimet e pjesshme të tij …”; pesë vjet heqje lirie dhe punë të detyruar vetëm e vetëm sepse në biografinë e tij kishte pasur deviacione të bindjeve politike, shumica e të cilave të realizuara në kohë jo në Shqipëri, por në Rumaninë e largët. Ky është “shpërblimi për merita” që i rezervoi në vitin 1948 pushteti komunist Dhimitër Paskos, të njohur ndryshe edhe me pseudonimin Mitrush Kuteli, vlerësuar si një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë të shekullit të shkuar, apo më saktë si themelues të prozës moderne shqipe. Në dokumentet e drejtësisë së kohës, që Panorama.al sjell të paredaktuara më poshtë, publiku për herë të parë në mënyrë të plotë mund të përthithë një pasqyrë shumë afër reales të funksionimit të pushtetit komunist në vitet menjëherë pas çlirimit të vendit, sidomos në përvetësimin tepër të shpejtë të metodave të ndëshkimit stalinist për ata që llogariteshin se mendonin ndryshe. Këtë radhë në shënjestër është pikërisht Mitrush Kuteli, shkrimtari i njohur, autori i “Tregimeve të moçme shqiptare”, mbledhësi dhe shpërndarësi i mitologjisë ilire, kritiku letrar dhe përkthyesi i denjë. Në pretencën e prokurorit shfaqet, kuptohet, lakuriq e vërteta se Kuteli duhet të dënohet, qoftë edhe pa asnjë provë bindëse. Konkluzioni i prokurorit se “faji u vërtetua nga deponimet e pjesshme të tij”, pra nga ato që vetë shkrimtari nxori nga goja e tij dhe më tej akuza hipotetike, sipas të cilës, ai, kur jetonte në Rumani, kishte pasur lidhje me një parti naziste, janë konsideruar ndër provat më të rëndësishme për ta futur në burg. Pra, paradoksi i vërtetë qëndron në faktin se ai u fut në burg në Shqipëri kryesisht i akuzuar për mendimet që kishte në kokën e tij gjatë kohës që jetonte në një tjetër shtet. Ja pretenca e ndërtuar nga prokurori dhe vendimet e gjykatave.
***
PRETENCA E PROKURORIT
Sh. Gjyqtarë! I pandehuri Dhimitër Pasko, si anëtar i organizatës fashiste rumune “Roja e Hekurt”, ka vepruar aktivisht në ndihmë të okupacionit nazist dhe vendosmëria e tij për agresion e çon dhe vullnetar në ushtrinë mercenare rumune kundër Ushtrisë së Kuqe ku luftoi gati një vit. Në shtator të vitit 1942 kthehet në Shqipëri ku menjëherë emërohet nëpunës në aparatin e shtetit fashist. Në kohën e okupacionit nazist, ka shkruar një sërë artikujsh në gazetën “Bashkimi i Kombit” me anë të cilëve luftonte lëvizjen NÇ dhe mundohej të mbillte përçarje në elementët intelektualë.
Me çlirimin e Shqipërisë në shoqëri të ngushtë me Kostë Boshnjakun e Kol Kuqalin shfryn urrejtjen e tij kundër Pushtetit Popullor dhe kudo që ndodhet në rrethe elementesh të njohur shfaq mendimet e tij kundër reformave ekonomike dhe ligjeve të Pushtetit Popullor. Lufta e Tretë Botërore që popullarizon i pandehuni është bazë kryesore për të rrëzuar Pushtetin Popullor. Fajësia e të pandehurit u provua nga deponimet e pjesshme të tij dhe nga proces-verbali, i parashikuar prej Nenit 3 të Ligjit nr. 372 datë 12/XII/1946 mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit, në bazë të nenit e ligjit të sipërm, kërkoj të vendoset dënimi i tij me 7 vjet privim lirie e konfiskim të së drejtës…
Tiranë më 5 prill 1948 Prokurori ushtarak,
Kapiten II-të Petrit Hakani (firma)
***
VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË
Republika Popullore e Shqipërisë Gjykata e Lartë Ushtarake Nr.132 i Regj. Them.
Vdekje Fashizmit Liri Popullit Nr.207 i Vendimit Procesverbal Sot më datën 20/V/1948, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i formuar prej: Major Niko Cetës, kryetar. Kapiten I-rë Nexhat Hysenit, anëtar. Kapiten II-të Vangjel Kocanit, anëtar. I asistuar nga kryesekretari aspirant Thoma Rino dhe në prezencën e Prokurorit Ushtarak të UK Shqiptare Kapiten i I-rë, Nevzat Havzedarit, mori në shqyrtim akt-gjykimin nr.220 datë 7/IV/1948, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me të cilën, në bazë të Nenit 3 paragrafi 1,4,5 dhe të Ligjit nr 372 datë 12/XII/ 1946 dhe të nenit 4 të Ligjit të sipërpërmendur, mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit, është vendosur ndëshkimi me 5 vjet privim lirie si dhe konfiskim të pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme kundër Dhimitër Pasko, i biri i Pandit dhe Poles, vjeç 41, lindur në Pogradec e banues në Tiranë, me profesion shkrimtar, i martuar pa fëmijë, i pa dënuar, me arsim shkencë ekonomike, arrestuar në datën 15/V/1947, për shkak se ka qenë anëtar i partisë fashiste “Roja e Hekurt” në Rumani dhe ka marrë pjesë në luftë kundër ushtrisë së Kuqe. Në vitin 1942 ka ardhur në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me tradhtarët kundër LNÇL dhe mbas çlirimit të Shqipërisë vazhdon aktivitetin e tij armiqësor kundër Pushtetit Popullor.
Prokurori kërkon të vendoset aprovimi i vendimit të sipërm si me vend dhe i bazuar në ligj, i hiqet dënimi përsa i përket konfiskimit të pasurisë.
Këshilli: Nga shqyrtimi i akteve rezulton se i pandehuri Dhimitër Pasko, më parë anëtar i partisë “Roja e Hekurt” në Rumani, i frymëzuar me ndjenja fashiste, më 1942, është kthyer në Shqipëri dhe me artikuj të ndryshëm që ka shkruar në gazetën “Bashkimi Kombit” ka bërë agjitacion dhe propagandë kundër LNÇ, me qëllim që të përçante popul lin dhe t’i bashkonte me organizatat terroriste ballin Kombëtar dhe Legalitetin.
Mbas çlirimit duke përfituar nga shpirtmirësia e Pushtetit Popullor nuk ka ndryshuar nga politika e tij fashiste, por ka mbajtur lidhje me armiqtë e popullit Kostë Boshnjakun e Kol Kuqalin; fakte këto që provohen në pohimet e tij. Duke marrë parasysh sa u tha më lart, Gjykata e Faktit e ka arsyetuar dhe bazuar në prova konkrete vendimin e saj dhe dënimi i është dhënë në proporcion me fajin, vetëm se nuk duhet të vendoste konfiskimin e pasurisë së tij.
Prandaj: Për këto arsye Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në bazë të neneve 10 dhe 17 nr. 2 të Ligjit nr 368 datë 12/XII/1946, mbi organizimin dhe kompetencat e gjykatave ushtarake, duke pranuar dhe kërkimin e prokurorit Vendosi:
Aprovimin e vendimit nr. 220 datë 7/IV/1948, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, që përmban ndëshkimin e Dhimitër Pandi Paskos, nga Pogradeci dhe banues në Tiranë me 5 (pesë) vjet privim lirie dhe punë të detyruar, pa konfiskim të pasurisë së tij. Ky vendim është i prerë. Tiranë, më 20/V/1948 (Emrat e anëtarëve të trupit gjykues e firmat).
***
Procesverbal I mbajtur kundër Dhimitri Paskos (Mitrush Kuteli)
I biri i të ndierëve Pandi e Pole, vjeç 41, i martuar me Efterpi Skëndi, pa fëmijë, profesioni shkrimtar, rrjedh nga një shtresë e mesme qytetare, i pa proceduar, i pa dënuar, kombësia, babai vlleh Rumun dhe nëna shqiptare, shtetësia shqiptare, i cili deklaron si më poshtë. Shkollën fillore e kam bërë në Pogradec, të mesmen tregtare në Selanik, universitetin në Bukuresht në 1934, ku kam marrë doktoratë në shkenca ekonomike.
Si mbarova shkollën kam punuar në Bukuresht në një depo verërash, kam punuar gjithashtu në gazetën “Shqipëria e Re” që dilte në Kostancë. Mandej në zyrën e studimeve të financës dhe kreditin industrial. Në Shqipëri jam kthyer më 1942 dhe hyra si drejtor – administrator pa të drejtë firme në S.A.S.T.E.B. për një vit, por u largova pasi dhashë dorëheqjen në muajin pestë.
Mandej hyra në Bankën Kombëtare deri më gjashtë tetor 1944, datë që u arratisa dhe shkova në Berat pranë Ministrisë së Financave. Kur u ktheva në Tiranë hyra në Bankë deri në gusht 1946 dhe prej kësaj date deri sa u arrestova kam punuar pranë Institutit të Studimeve.
Pyetje: Ke qenë t’i anëtar i “Rojës së Hekurt” në Rumani?
Përgjigje: Kam qenë simpatizues i kësaj organizate për një kohë të shkurtër, por anëtar jo.
Pyetje: Pse e simpatizoje këtë lëvizje fashiste?
Përgjigje: E simpatizoja për parullat e saj socialiste, si p.sh. puna është nder dhe lipset të jetë baza e jetës, zhvillimi i kooperativave për të luftuar spekulimin e tregtarëve, puna vullnetare me krahët e intelektualëve etj., të cilat shoh sot se i kishin marrë nga komunizmi dhe i kishin përvetësuar.
Pyetje: Ishte socialiste kjo lëvizje sipas mendimit tënd?
Përgjigje: Atëherë besoja se po, sot kuptoj se jo …
Pyetje: Kishte lidhje me gjermanët kjo organizatë dhe a e dije t’i një gjë të tillë?
Përgjigje: Nuk e dija, por më vonë e mora vesh se kishte lidhje.
Pyetje: Dije gjë t’i atëherë për Bashkimin Sovjetik dhe çfarë mendimi kishe për këtë shtet?
Përgjigje: Gjë të saktë nuk dija. Libra nga Bashkimi Sovjetik nuk vinin dhe mendimet e mia ishin shumë konfuze, ashtu siç i krijonte shtypi i brendshëm (rumun) që ishte reaksionar dhe fjala bolshevik në shtyp përdorej për të keq.
Pyetje: Nga këto del se t’i ke qenë fashist i vjetër, anëtar i “Rojës së Hekurt”, prandaj fol drejt!
Përgjigje: Nuk kam qenë fashist, por një socialist i turbullt, pa gjetur vijën e caktuar.
Pyetje: Ti kishe të gjitha mundësitë të kuptoje të mirën dhe të keqen, kishe mbaruar shkencat ekonomike dhe pse tash paraqitesh si inoçent, prandaj fol!
Përgjigje: Universiteti ishte i shumanshëm dhe nuk jepte mundësi të orientoheshim edhe për strukturën ekonomike, për punët që zhvilloheshin (në B.S.) nuk flitej fare, ose kur flitej e quanin kaos. Këto ishin kurset që bëheshin në universitet.
Pyetje: Domethënë ti je rritur me tendenca reaksionare?
Përgjigje: Dëshira ime ka qenë gjithmonë gjetja e një rruge për drejtësi shoqërore, ambienti ishte konfuz, reaksionar dhe unë mbeta i disoreintuar.
Pyetje: Ke qenë ti vullnetar në Bashkimin Sovjetik më 1941?
Përgjigje: Jo, nuk kam qenë dhe as mendoja, por më morën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohem, pasi ndieja se lufta që bëhej ishte e padrejtë, agresive. Atje kam qëndruar dy muaj e gjysmë dhe punoja si sekretar i II-të dhe me anën e bankës u lirova, pasi kërkova vetë një gjë të tillë.
Pyetje: Në Shqipëri kur je kthyer dhe me cilët autoritete je takuar?
Përgjigje: Jam kthyer në shtator të 1942 dhe jam takuar me plot njerëz si dhe me Dhimitri Beratin, ish-president i S.A.S.T.E.B-it dhe kam biseduar me të çështje familjare. Në dhjetor hyra në S.A.S.T.E.B., dhe sikur e kam thënë qëndrova pesë muaj megjithëse kontrata ishte për një vit, dhashë dorëheqjen dhe pasi kapitulloi Italia kam punuar në Bankën Kombëtare.
Pyetje: Puna që ke bërë ti ka qenë në shërbim të okupatorëve?
Përgjigje: Unë kam menduar si kundër okupatorit, për të mos dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që jepte Qeveria, për të siguruar rezervën e arit që të mos emetohej monedhë e re, etj.
Pyetje: D.m.th., ti e paske paralizuar aparatin e shtetit nazi-fashist?
Përgjigje: Po e kam sabotuar.
Pyetje: Çfarë shkrimesh ke shkruar në kohën e gjermanëve?
Përgjigje: Kam shkruar artikuj ekonomik dhe letrar në gazetën “Bashkimi i Kombit”, kjo ishte e Qeverisë, por artikujt e mi ishin kritikë kundër Qeverisë për çështje financiare dhe ekonomike.
Pyetje: Si të linin ty që të shkruaje kundër Qeverisë si pretendon, kurse e vërteta është se ti ke qenë bashkëpunëtor i bashkimit të kombit dhe i Qeverisë kuislinge?
Përgjigje: Ata nuk kuptonin. S’kishte kontroll, ishin budallenj, kishte anarki. Tash titujt nuk më kujtohen, por ishin mbi financën, kundër shpenzimeve të kota që kalonin mundësitë financiare të vendit.
Pyetje: Pas çlirimit ç’punë ke bërë dhe pse ike nga banka?
Përgjigje: Kam punuar në bankë dhe ika se kam qenë i sëmurë, nevrastenik, dhe mandej kam punuar nja dy muaj për përgatitjen e programit të studimit të folklorit në Institutin Pedagogjik.
Pyetje: Ç’marrëdhënie ke pasur me Kol Kuqalin?
Përgjigje: Ato që rridhnin nga detyra si anëtar administrativ në bankë.
Pyetje: Je takuar shpesh me të lartpërmendurin?
Përgjigje: Në bankë kur ishte po, mandej kam shkuar në shtëpi kur i kanë sjellë eshtrat e djalit nga Prishtina më 1946, ky ka ardhur ke shtëpia ime një herë për … dhe për urime martese. Kur erdhi më tha se nuk jam nisur direkt tek ty, por pasi isha në një shtëpi këtu afër, u ktheva për urime.
Pyetje: Tjetër herë ke qenë në shtëpi të tij?
Përgjigje: Po kam qenë për të bërë bibliografinë e librave të rinj që më kishte ngarkuar Instituti i Studimeve më 1947, për këtë punë kam qenë edhe në komunitetin mysliman edhe atë ortodoks, në depot e librave etj.
Pyetje: Takoheshe me Kolën ndonjëherë tjetër e çfarë bisedonit?
Përgjigje: Mund të jem takuar rastësisht rrugës dhe e pyesja shpesh për të birin që i kishte vdekur, pasi doja të shkruaja diçka për dëshmorët e Prishtinës. Unë kërkoja punë dhe kisha shpresë që do të gjeja, por ai thoshte me ironi se ty nuk të japin punë.
Pyetje: Fliste ndonjëherë kundër pushtetit ose tregohej i pakënaqur Kola?
Përgjigje: Me mua nuk bisedonte ndonjë gjë kundër, por ai vetë dukej i ftohtë.
Pyetje: Po Kostë Boshnjakun prej sa kohe e njeh dhe ç’biseda ke bërë me të?
Përgjigje: Kostë Boshnjakun e njoh qysh në Rumani më 1931-1932 dhe shkruanim në gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë e mandej jam takuar me të në Priskë, kur u arratisa në tetor 1944 dhe më vonë në Tiranë.
Pyetje: Sa herë ke qenë në shtëpinë e të lartpërmendurit?
Përgjigje: Kam qenë nja dy herë. Një herë kam qenë për të marrë firmën e Bilancit të Bankës dhe një herë tjetër për tu takuar me një plak nga Ballkameni i Follorinës, i cili dinte shumë këngë popullore, për këtë më kishte thënë Kosta, por pasi plaku atë ditë ishte i sëmurë dhe banonte në një shtëpi me Boshnjakun, hyra te Kosta dhe qëndrova një gjysmë ore, por nuk më kujtohet çfarë kemi biseduar.
Pyetje: Tjetër herë je takuar me të?
Përgjigje: Jam takuar pranë Librarisë … dhe kishte në dorë revistën “Krediti” dhe më tha nëse e kisha kënduar një artikull që thoshte diçka mbi disa anëtarë të ish-këshillit administrativ se ata donin, thoshte, artikulli që me anën e bankës të merrnin fuqinë në dorë. Unë i thashë nuk e kam kënduar. Ai ma tregoi dhe tha çuditem se Ministri i Financës na falënderoi kur dolëm nga Këshilli për punën e zhvilluar në Bankë dhe qeshi me çudi.
Pyetje: Ç’ke biseduar me të kundër pushtetit sepse neve e dimë se ti ke bashkëpunuar për të rrëzuar pushtetin me Kostë Boshnjakun e Kol Kuqalin, prandaj fol drejtë?
Përgjigje: Tjetër gjë nuk kam biseduar përpos këtyre që tregova as me të parin as me të dytin. Sa u thanë më sipër janë të vërteta dhe pasi mu lexuan fjalë për fjalë i firmoj me vullnet të lirë.
I pandehuri. Dhimitër Pasko (firma) Hetuesi. Beqir Ndou (firma)
/Gazeta “Panorama”/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë