LAJMI I FUNDIT:

KosovaPress shënoi 23-vjetorin e themelimit

KosovaPress shënoi 23-vjetorin e themelimit

Agjencia e lajmeve KosovaPress të martën shënoi 23-vjetorin e fillimit të punës.

KosovaPress u themelua më 4 janar 1999, si një si një nevojë e kohës dhe për të informuar për zhvillimet në Kosovë, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare, krimet serbe dhe bombardimet e NATO-s.

Gjatë periudhës së luftës, KosovaPress publikoi lajme në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe frënge.


Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, u shuan të gjitha institucionet e krijuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përkatësisht drejtoria politike e UÇK-së dhe Qeveria e Përkohshme.

Në shtator 2000, KosovaPress nisi rrugëtimin e saj si agjenci e pavarur e lajmeve, pa e kthyer kokën mbrapa më asnjëherë. Fillimi ishte i vështirë dhe luftohej për mbijetesë, ndërsa më pas, falë këmbënguljes, nisi edhe periudha e zhvillimit dhe, vit pas viti, edhe zgjerimit të produkteve.

Në vitin 2002, KosovaPress kaloi në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e prej vitit 2005 rifilloi publikimet edhe në gjuhën angleze, ndërsa, në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke.

Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009), KosovaPress solli në tregun medial të vendit, produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin, ndërsa në 15-vjetorin e themelimit hapi zyrën në Tiranë. Përvjetori i 16 solli edhe një tjetër produkt, atë të sektorit të fotove.

KosovaPress, në përvjetorin e 17 të punës, prezantoi produktin e saj më të ri e që ishte transmetimi i drejtpërdrejt i ngjarjeve. Transmetimet e drejtpërdrejta u realizuan me teknologjinë më të re, përmes kamerave 4K. Investimi i vazhdueshëm në teknologji i lejon sot KosovaPress-it të bëjë deri në 10 transmetime “live” në të njëjtën kohë, si dhe me regji.

Kur KosovaPress kremtoi dy dekada punë, u prezantua edhe Departamenti i Produksionit, i cili kujdeset për realizimin e emisioneve edukativo-argëtuese, siç është emisioni për fëmijë “Foleja” si dhe emisioni “Cult”.

Në vitin 2017, KosovaPress anëtarësohet me të drejta të plota në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE). KosovaPress, që prej anëtarësimit, ka dhënë një kontribut të vlefshëm në promovimin e vlerave nacionale në rrjetin e lajmeve që editohen në platformat e ABNA-së. Në shtator të vitit të kaluar, KosovaPress pasi organizoi suksesshëm Asamblenë e Përgjithshme të ABNA-SE, iu besua edhe roli i presidencës.

Falë përkushtimit, përgjegjësisë dhe saktësisë, mediumet më të mëdha e më të rëndësishme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut si dhe vende të tjera të rajonit e me gjerë vazhdojnë t’i besojnë agjencisë së lajmeve KosovaPress, duke bashkëpunuar ngushtë çdo ditë tashmë për vite me radhë.

Agjencia e lajmeve KosovaPress vijon të sjellë për lexuesin dhe klientin gjithë çfarë ndodhë në jetën e përditshme politike, ekonomike e sociale të Kosovës, regjionit, Evropës dhe botës, por edhe duke ngritur çështje të rëndësishme përmes gjinive të tjera gazetareske si intervista, dokumentarë, reportazhe e të tjera.

Aktualisht, KosovaPress funksionon në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht, ndërsa vijon të ketë objektiv që të jetë një burim i besuar i lajmit si dhe një kontribuues i rritjes së lirisë së të shprehurit. /kp/